16.8 C
Prizren
E premte, 26 Prill, 2024

Drejtësia poetike si dashuri

Nga Lirak Karjagdiu

Një ndër poezitë e tij më të njohura me titullin: “Drejtësia si dashuri”, më së miri simbolizon idenë e drejtësisë në situata të ndryshme të jetës. Vlen të vihet në dukje se, pavarësisht nga ndryshimet, transformimet dhe madje metamorfozat që ka pësuar, poezia e Audenit në esencë ka qenë gjithnjë e preokupuar, angazhuar, impenjuar dhe e orientuar drejt përcaktimit të qartë të konceptit të dashurisë dhe drejtësisë si balsam, qetësim dhe shërim i të gjitha mëkateve, ligësive, fëlliqësive, ultësive dhe poshtërsive të shoqërisë njerëzore

Poeti anglez Wystan Hugh Auden lindi më 1907 në York të Anglisë dhe është njëri ndër poetët më të shquar dhe më zulmëmëdhenj anglezë. Ai u shkollua kryesisht në Oxford. Një kohë jetoi në Gjermani, ku punoi si mësimdhënës dhe filloi të merrej me poezi. Ndërkaq, gjatë Luftës Civile në Spanjë, ai shërbeu si shofer i autoambulancës.

Në vitin 1935, Auden martohet me Erika Mannin, bijën e shkrimtarit të madh gjerman Thomas Mannit, me qëllim që t’ia bënte të mundur asaj që ta merrte pasaportën angleze dhe të largohej nga Gjermania fashiste. Ai fitoi edhe disa çmime dhe tituj nderi, ndër të cilat vlen të përmenden: Medalja e Artë për Poezi e Mbretit George, që iu nda në vitin 1937, çmimi i “Pulitzerit” në vitin 1947 për veprën “Kohë të ankthshme”, çmimin “Bollingen” për poezi, në vitin 1953 dhe Medalja Kombëtare për Letërsi, në vitin 1967. Në vitin 1939, Auden shpërngulet në SHBA dhe u kthehet sërish temave religjioze, që kishin qenë tema të preferuara të fazës së hershme të krijimtarisë së tij.

Nga viti 1950, Audeni ka mbajtur ligjërata në disa kolegje dhe universitete prestigjioze të SHBA-së dhe të Anglisë, si: Universiteti i Michiganit, Universiteti i Oxfordit, Universiteti i Swarthmoreit etj. Ndërkaq nga fund i jetës së tij Auden kthehet sërish në Angli për të jetuar në Oxford, ku edhe vdes në vitin 1973.

Audeni ka shkruar kryesisht poezi dhe ia ka dalë mbanë të bëhet një ndër poetët më të mëdhenj modernë anglezë. Duhet thënë se poezia e tij njihet për larushinë dhe laramaninë e temave dhe motiveve që kanë të bëjnë jo vetëm me politikën, por edhe me psikologjinë moderne, me shoqërinë, etikën, religjionin e të tjera. Gjatë viteve ‘20 dhe ‘30 të shekullit të shkuar, ai ka qenë drejtues i një grupi letrar të Oxfordit, që mbështeste prirjet, pikëpamjet dhe konceptet e majta. Në këtë grup bënin pjesë edhe shkrimtarë të tjerë zulmëmëdhenj anglezë, si Christopher Isherwood, Stephen Spender, etj.

Ky grup kishte për qëllim që të zbulonte dhe sillte teknika dhe stile të reja në poezinë angleze. Në përgjithësi, veprimtaria e hershme artistike-letrare e Audenit është influencuar shumë si nga psikoanalisti i famshëm Sigmund Freudi, i cili gjatë viteve ‘20 dhe ‘30 të shekullit të shkuar kishte arritur të bëhej tejet i popullarizuar, ashtu edhe nga teoritë marksiste. Sipas kritikëve, disa nga veprat më të mira të Audenit janë ato që i kishte shkruar gjatë periudhës së parë apo të hershme të krijimtarisë së tij artistike-letrare. Ca nga to janë: “Poezi” (1930), “Oratorët, një studim anglez” (1932) etj.

Në themel të vëmendjes se këtyre poezive janë rënia e sistemit kapitalist në Angli dhe shqetësimi i thellë i autorit për problemet dhe pasojat psikologjike dhe të tjera, që kishte shkaktuar lufta. Ai, po ashtu, shkroi edhe këto drama, në bashkautorësi me Isherwoodin: “Nën lëkurën e qenit”, “Ngritja e F-6” dhe “Në kufi”. Ndërkaq, në poezitë e tjera të krijuara më vonë gjatë viteve ‘30, siç janë “Shiko, i huaj!” (1936), “Letër nga Islanda” (1937), “Shkuarja në luftë” (1939) dhe “Një herë tjetër” (1940), ai shpërfaq opinionet, pikëpamjet dhe revoltën e tij kundër luftës. Më vonë Audeni, ashtu si Elioti, konvertohet në i krishterë, mirëpo, për dallim nga Elioti, Audeni shpërngulet prej Anglisë në Amerikë.

Poezitë e kësaj periudhe të Audenit i shquan një përunjësi, përkori, përqendrim dhe preokupim me tema fetare. Ashtu si edhe poetët e tjerë të asaj periudhe, duket se Audeni në këtë fazë nuk e kërkon shpëtimin dhe përgjigjen në zgjidhjen e problemeve shoqërore në politikë dhe psikologji, por në fe. Duket se poezia e kësaj periudhe është më refleksive, më urbane dhe më diskursive. Por këto poezi nuk shquhen për forcën dhe vlerën e tyre letrare, si ato të fazës së hershme.

Dy aspekte poetike

Dihet se poezia sipas temave dhe qëndrimit që poeti mban ndaj një teme mund të ndahet në dy grupe, “poezi universale” dhe “poezi e kufizuar”. Së këndejmi, temat e poezive mund të kenë jo vetëm aplikim universal, ku reflektohen dhe shpërfaqen hallet, brengat dhe preokupimet e gjithë njerëzimit, por edhe aplikim të kufizuar apo individualizuar, ku poeti nxjerr në pah karakteristikat dhe preokupimet e vetëm një epoke, një grupi, një poeti etj.

Ndërkaq, për Audenin mund të thuhet se i përket grupit të parë të poetëve. Ndonëse shumica e kritikëve dhe e lexuesve mendonin se poezia e tij do të ndryshonte dukshëm nga ajo e pararendësit të tij T.S. Eliotit, megjithatë tevona kritikët gjithnjë e më tepër po binden se në të vërtetë poezia e Audenit i ngjason shumë asaj të T.S. Eliotit, ngase ajo shquhet në radhë të parë për tema dhe teknika klasike dhe universale.

Do thënë se Audeni e kishte të qartë se poezia shkruhet me një gjuhë të veçantë, ndaj dhe ajo, sipas tij, duhet të jetë më koncize, ngase shpreh dhe përçon mesazhin e saj në shumë më pak hapësirë sesa ta zëmë romani apo edhe një tregimi i shkurtër.

Prandaj, poezia e tij shquhet jo vetëm për një koncizion, por edhe për një përdorim mjaft kreativ të gjuhës, gjë e cila ua bën të mundur lexuesve që të ndiejnë po atë që ka ndier poeti kur është frymëzuar ta shkruajë poezinë.

Kjo më së miri mund të vërehet në poezinë “Atlantida”, ku poeti trajton dhe spikat konfliktet e jetës: “Duke ëndërruar/ Pushtimin e Atlantidës/ Afër mendsh nisen sivjet/ Anije çmendurakësh/ Por ti me stuhi të furishme/ Do të përballesh…/. Ai mendonte se pikërisht për shkak të specifikave që ka poezia dhe për arsye se poeti rëndom krijon në një atmosferë të tendosur emocionale, ai duhet të jetë hulumtues dhe kërkues kreativ i fjalëve adekuate. Së këndejmi, poeti, sipas Audenit, duhet të bëjë kujdes në përdorimin dhe përzgjedhjen e fjalëve, duke përdorur fjalë adekuate dhe të përshtatshme jo vetëm për nga kuptimi i tyre, por edhe për nga tingëllima, asociacionet, evokimet dhe aluzionet që zgjojnë ato fjalë tek lexuesi. Ai besonte se një fjalë e përdorur pa vend dhe gabimisht mund ta prishë qëllimin dhe efektin që poeti dëshiron ta arrijë. Madje, ai me një rast pati thënë se “poeti, para së gjithash, dhe mbi të gjitha, është intelektual dhe krijues që është i dashuruar dhe i pasionuar pas gjuhës”.

Dashuria si lëngatë dhe këndellje

S’ka pikë dyshimi se me interes të veçantë janë poezitë e tij të hershme, të cilat konsiderohen si më të mirat dhe më të arrirat, ku Audeni shpeshherë e ka kritikuar, fshikulluar dhe sulmuar shoqërinë angleze. Në një sërë poezish të periudhës së hershme e deri te “Lamtumirë Mezzogiorno”, që u botua në përmbledhjen e tij të fundit “Homazhe Klios”, Audeni e përshkruan Anglinë si një vend të pllakosur, të katandisur dhe të mbërthyer nga konflikti, mjerimi dhe degjenerimi. Si një vend ku çdo gjë ishte e “sëmurë”, ku njerëzit e kishin humbur vetëbesimin, si një vend steril, i banuar nga njerëz miopë, egoistë dhe boshë, si një vend ku s’ka vlera, si një vend i pashpresë, pa perspektivë dhe si një vend ku vetëm të korruptuarit jetonin mirë.

Ja dhe ca tinguj ironie nga poema “Muzeu i arteve të bukura”, ku përshkruhet shoqëria angleze e asaj kohe: “Për vuajtjen ustallarët/ Kurrë nuk gabuan./ Ata e kuptonin fort mirë/ Pozitën e saj humane/ Dhe teksa ti vuan o i mjerë/ Dikush bën çakërrqejf./ E hap dritaren dhe sorollatet/. Do thënë se në përgjithësi poezitë e tij të hershme shquhen për një dualizëm të “simptomave” dhe “shërimit” të shoqërisë angleze të asaj kohe, ndonëse ka kritikë që mendojnë se poezitë e tij janë më tepër “simptomatike” sesa “shëruese dhe këndellëse”.

Në këto poezi Audeni kërkon me zjarr, pasion dhe këmbëngulje shpëtimin dhe shërimin nga ajo që është e sëmurë në shoqërinë njerëzore. Ai ishte i mendimit se simptomat duhet të diagnostikohen, identifikohen, të përcaktohen dhe të adresohen apo të shërohen. Kjo, sipas poetit, mund të arrihet përmes dashurisë, e cila të shpie drejt dënimit, gjykimit dhe shmangies nga veset e sëmura, si formën dhe stadin më të fundit drejt shërimit të shoqërisë. Mirëpo, poeti besonte se madje as në shoqëri të tilla dashuria ndaj artit nuk mund të përbuzet dhe nëpërkëmbet.

Në poezinë “Si të na ka ënda”, ku poeti këndon për artin, figurojnë edhe këto vargje: “Planetët i sulen Lirës si luaj të tërbuar/ A mund të prangosë aq fort urrejtja?/ Vallë, mos vdiqën të gjithë këtu? Po./ Edhe dëshira për lëndime ka fuqi:/ Por, dita e nesërme,/ Po agon. Ka vetëm një botë/ Një udhë./” Ndërkaq, në poezinë “Oratori”, të botuar më 1932, ai në mënyrë ironike dhe sarkastike e shtron edhe këtë pyetje: “Çka mendoni për Anglinë, këtë vend ku askush nuk është mirë?” Dashuria si temë, por edhe si metaforë dhe simbol në poezitë e Audenit herë e ka kuptimin e mjetit dhe mundësisë për shërimin e individit dhe shoqërisë, kur e kur ajo është mjaft e papërcaktuar, e vagullt dhe komplekse, ndonjëherë ajo i referohet revolucionit shoqëror dhe hove-hove ajo është identifikuar me fenë krishtere nën ndikimin e pararendësit të tij dhe gjeniut të letrave angleze T.S. Eliotit.

Drejtësia si dashuri sublime

Një ndër poezitë e tij më të njohura me titullin: “Drejtësia si dashuri”, më së miri simbolizon idenë e drejtësisë në situata të ndryshme të jetës. Së pari, drejtësinë si dashuri individuale dhe subjektive, poeti e artikulon me këto vargje: “Si dashuria, që s’dimë pse na kaplon/ Si dashuria e lirë e gëzuar/ Si dashuria, shpesh të pikëlluar/ Si dashuria që për pak jeton/.” Vlen të vihet në dukje se, pavarësisht nga ndryshimet, transformimet dhe madje metamorfozat që ka pësuar, poezia e Audenit në esencë ka qenë gjithnjë e preokupuar, angazhuar, impenjuar dhe e orientuar drejt përcaktimit të qartë të konceptit të dashurisë dhe drejtësisë si balsam, qetësim dhe shërim i të gjitha mëkateve, ligësive, fëlliqësive, ultësive dhe poshtërsive të shoqërisë njerëzore. Kështu, në një rast tjetër, poeti na ofron idenë e dashurisë si koncept filozofik dhe etik: “Drejtësia është dielli,thonë kopshtarët/ Drejtësia është diçka,/ Së cilës i nënshtrohen;/ Të gjithë kopshtarët:/ Nesër, dje, sot/”. Në fund, poeti na paraqet dashurinë edhe si normë të drejtësisë, që e dënon çdo lloj krimi: “Drejtësia s’është as e mirë as e keqe./ Drejtësia synon vetëm,/ Që krimet të dënohen,/ Në kohë dhe hapësirë/ Drejtësi janë rrobat e trupit,/ Kudo dhe kurdo./ Drejtësia është mirëmëngjesi,/ Dhe natën e mirë/”.

Poezitë e Audenit nuk përqendrohen vetëm në jetën e tij personale apo vetëm në idetë, pikëpamjet dhe konceptet e tij intelektuale për Freudin, Marxin, antropologjinë, psikologjinë, mitologjinë dhe religjionin, për të cilat ai kishte treguar interesim të madh dhe kishte njohuri të thella, por përmes referencave dhe aluzioneve të shumta dhe karakterit të saj universal poezia e tij përpiqet t’i sqarojë arsyet e ekzistencës sonë.

Dashuria në poezinë e Audenit, siç vë në dukje poeti i mirënjohur modern anglez Stephen Spender, është “ilaç dhe shëruese për individin dhe shoqërinë”. Ka të ngjarë që përdorimi i temës dhe motivit të dashurisë në pothuajse të gjitha ciklet e poezive të tij të ketë qenë ezaurues dhe të mos jetë pritur mirë nga kritikët dhe lexuesit. Megjithatë, siç dëshmon krijimtaria e mëvonshme e tij poetike, ai nuk ishte zhgënjyer dhe dëshpëruar nga këto kritika, por kishte vazhduar të shkruante dhe të krijonte.

Mirëpo, tani parapëlqente tema dhe motive të tjera, në radhë të parë tema që kanë të bëjnë me reforma shoqërore dhe sociale dhe më pas edhe tema metafizike dhe mistike. Së këtejmi, mund të thuhet se, për shkak të ndikimit që kanë ushtruar në të si kritika letrare e asaj kohe, ashtu edhe ndryshimet e vazhdueshme në sferën morale, etike, filozofike dhe politike në shoqërinë e asaj kohe, asnjë poet anglez nuk ka përjetuar dhe kaluar nëpër paradokse, sprova dhe tundime aq të mëdha sa Audeni.

Do thënë se poezitë e Audenit që kanë për temë dashurinë janë të drejtpërdrejta, pa ekuivoke, të qarta, lucide dhe pa teprime, përshkrime dhe fluturime poetike. Ato shquhen për një karakter moralizues, utilitar dhe edukativ, ngase përmes dashurisë ai shpreson se shoqëria angleze e asaj kohe do t’ia dalë mbanë t’u shporret të gjitha të këqijave që e kishin pllakosur atë.

Sipas gjykimit dhe vlerësimit të shumicës së kritikëve Audeni, pas T.S. Eliotit, është pa dyshim poeti më famëmadh, më i veçantë, më produktiv, më origjinal, më i spikatur dhe më i rëndësishëm modern anglez. Në fund do thënë se, me sa jam në dijeni, së shpejti do të dalë në dritë edhe përkthimi i disa poezive më të mira të Wystan Hugh Audenit.

https://www.koha.net/kulture/255422/drejtesia-poetike-si-dashuri/

Më Shumë

Lajmet e Fundit