Pak ditë para ditëlindjes së 82-të, shkrimtari i madh Dritëro Agolli sërish nderon Shqipërinë me veprën e tij. Fjalët magjike të Agollit janë nominuar në Itali me Çmimin Kombëtar për Letërsinë “Carlo Levi”. Në edicionin e tij të 16-të të Çmimit Kombëtar për Letërsinë “Carlo Levi” u shpallën fitues autori shqiptar Dritëro Agolli, autorët italianë, Guido Conti dhe Enzo Vinicio Alliegro, si dhe francezi Andre Vauchez.
Çmimi u shoqërua me motivacionin “Poet, gazetar dhe shkrimtar”, ngushtësisht i lidhur me traditën dhe rrënjët e tij nga vendlindja, duke venë gjithnjë në pah me krenari origjinën e tij, transmeton Oranews. Vargjet e tij i japin jetë një thirrjeje prekëse, në të cilën të gjithë elementet e jetës gërshetohen e shkrihen tek njëri tjetri për të ravijëzuar një identitet i cili është femijëri, punë, dhimbje, beteja, dashuri, përhumbje dhe shpëtim.
Në romanet e tij “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” dhe “Njeriu me Top”, me kurajo të admirueshme, Agolli i jep jetë kritikës sarkastike ndaj burokracisë tek i pari, dhe përkujtimit epik dhe ironik të heroizmit partizan në luftën kundër nazifashizmit tek i dyti. Dritëro Agolli, edhe pse në rolin e tij për njëzet vjet President i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve dhe më pas anëtar i Parlamentit, gëzon një famë të tejskajshme në vendin e tij, që e ka dashur dhe e do me mjaft dhembshuri”.
Ceremonia e dhënies së Çmimit për fituesit u mbajt në datën 5 tetor në Aliano, pranë Auditoriumit të Komunës në Aliano në Itali, në praninë e kryebashkiakut të Alianos Luigi De Lorenzo, Presidentit të Parkut Letrar “Carlo Levi” Antonio Colaiacovo, Presidentit të Këshillit Krahinor të Bazilikatës, Vincenzo Santochirico, Presidentit të Rrethit Kulturor “Nicola Panevino”, Pietro Dilenge, si dhe shkrimtarit dhe mikut të Shqipërisë Raffaele Nigro i cili intervistoi fituesit në vijim të ceremonisë.
Emocione të vecanta ngjallën tek të pranishmit fjalët e përshëndetjes së Dritëro Agollit, të lexuara nga vajza e tij Elona, e cila në vetvehte shprehte edhe një herë magjinë e fjalës së Agollit. Në përshëndetjen e Agollit thuhej: “Të nderuar miq, unë sot duhet të isha atje mes jush, por jam një kalë që i kanë dalë brinjët dhe i kanë rënë patkonjtë nga udhëtimi i gjatë, megjithatë, këtij kali patkonjtë e trurit ende i mbajnë. Por, të mos bëhem i mërzitshëm si personazh parlamenti, falenderoj Jurine e Edicionit të XVI të Çmimit Kombëtar për Letërsinë “Carlo Levi” dhe veçanërisht Rafaele Nigron, mikun e mirë dhe shkrimtarin e shquar, vepra e të cilit tanimë është njohur dhe pritur në Shqipëri me dashuri dhe vlerësim nga lexuesit e shumte dhe kritika letrare.
Unë ndiej një kënaqësi të madhe të marr një çmim me emrin e Carlo Levit, piktorit, publicistit dhe shkrimtarit të shquar, luftëtarit Antifashist dhe ëndërrimtarit për një botë të re pa varfëri, padrejtësi shoqërore dhe pa luftra. Sikur të ndodhte një mrekulli që Carlo Levi të më shtrëngonte dorën, vetëm kjo gjë do të ishte çmimi më i madh që do të merrja ndonjëherë. Letërsia shqiptare që në fillimet e saj është ushqyer nga letërsia, arti dhe kultura italiane, sepse jemi fqinj dhe, siç thonë, na ndan vetëm një mur uji dhe mbi këtë mur uji siç fluturojnë pulëbardhat në brigjet tona, ashtu fluturon poezia, proza, muzika dhe të gjitha artet e tjera. Edhe njëhere, nëpërmjet kësaj përshëndetjeje të lexuar e të përcjellë nga vajza ime Elona, ju falenderoj për nderin dhe emocionet që më dhatë me Çmimin “Carlo Levi”.
Pleqtë dhe fëmijët u gëzohen çmimeve.
Ndërsa Fatmir Toçi, deputet dhe botues i “Toenës”, në fjalën e mbajtur në ceremoninë e dhënies së çmimit, ka falenderuar kreun e Bashkisë së Alianos, Luigi De Lorenzio dhe jurinë, që “kthyen sytë nga letërsia e vendit përballë dhe të vlerësojë me çmimin e këtij viti një prej penave më të ndritura të letërsisë shqipe bashkëkohore, poetin, shkrimtarin, publicistin, mendimtarin, personalitetin dhe mbi të gjitha, intelektualin e një kohe të trazuar për Shqipërinë dhe shqiptarët, Dritëro Agolli”.
Gjatë pasdites, u shfaq një Videoklip mbi jetët e autorëve të vlerësuar me çmim, dokumentari “Kine-turizëm nëpër vendet ku ka jetur Carlo Levi”, si dhe një përshëndetje nga Grupi Polifonik i Krahinës së Vlorës.
Çmimi Kombëtar Italian për Letërsinë “Carlo Levi” konsiderohet sot si një takim i rëndësishëm në lëmin e kulturës italiane dhe është padyshim së bashku me Parkun Letrar kushtuar autorit pjemontez, një tribut që komuniteti i Alianos i njeh Carlo Levit, i cili është një piktor, publicist, si dhe shkrimtar shumë i njohur italian. Në 1931, i bashkohet lëvizjes antifashiste “Drejtësi dhe Liri”. Për veprimtari antifashiste, në vitin 1934, Levi arrestohet, dhe një vit me pas, pas një arrestimi të dytë, dënohet me internim në fshatin lukez të Grassanos, e më tej transferohet në Aliano. Nga kjo përvojë do të lindë dhe romani i tij më i famshëm “Krishti u ndal në Eboli” (në roman, fshati quhet Gagliano duke imituar shqiptimin e vendasve). Ky roman, në 1979 përshtatet edhe për kinema dhe televizion nga Gillo Pontercorvo dhe Francesco Rosi.