9.8 C
Prizren
E martë, 23 Prill, 2024

Dy nudot e mbetura në zyrën e dekanit rus

I veshur me këmishë të kuqe, e kokën e mbështetur në duar, Danish Jukniu pozon për mikun e tij Jakup Keraj. Vepra e cila sot ruhet në arkivin e Galerisë Kombëtare të Arteve është ndoshta një nga më të bukurat e Kerajt. Portreti i mjelëses me përparësen e bardhë është një tjetër tablo që tregon talentin e një piktori. Më pas është një autoportret, ku artisti kërkon ta shfaqë veten duke dhënë më shumë brendësinë.

I konsideruar si një ndër piktorët më të rëndësishëm të portretit në gjysmën e dytë të shekullit XX, shumë pak flitet për Kerajn në shtyp. Po kush është piktori që krijoi larg kryeqytetit në vendlindjen e tij, Shkodër dhe arriti të shquhet si një individualitet, që pati ndikim në pikturën realiste shqiptare?

Pasi kreu Liceun Artistik “Jordan Misja”, Tiranë (1947-1951) nën drejtimin e piktorit Abdurrahim Buza, Jakup Keraj ishte student i grupit të parë të artistëve që studjuan në Institutin e Pikturës, Skulpturës dhe Arkitekturës “I.E.Rjepin” (Shën Petërburg, ish BRSS) dhe u kthye në Shqipëri në fundin e viteve ’50 (1951-1957).

Të parët që u diplomuan në ish BRSS, në degën pikturë ishin Guri Madhi, Jakup Keraj dhe në skulpturë: Thanas Papa, Kristaq Rama e Shaban Hadëri. Imazhi i talentit të jashtëzakonshëm “të shqiptarit Keraj” do të “ndihmonte” të gjithë studentët që vijuan studimet në Institutin “Rjepin”.

Në zyrën e Dekanit rus Orezhnikov, ndodheshin edhe dy nudo me dimensione të mëdha të mbajtura në një sfond blu (2 x 1.5m ) të studentit të veçantë shqiptar Keraj. Piktori Keraj i porsadiplomuar, entuziast u kthye në vendlindjen e tij Shkodër dhe filloi punë si mësues i vizatimit teknik në një shkollë të qytetit, me “ëndrrën” që të fillonte shumë shpejt si pedagog në Institutin e Arteve Figurative, që u çel në Tiranë më janar 1961. Keraj punoi si pedagog në disa shkolla të mesme të qytetit të tij (Shkodër).

Piktori Jakup Keraj është vlerësuar nga kritika për ndjeshmërinë, koloritin dhe psikologjinë e veçantë në trajtimin tablove të tij (e veçanërisht të portreteve) që në fillimet e krijimtarisë së tij. Ndër veprat e para të artistit kujtojmë: “Autoportreti” (1956), “Portreti i piktorit Danish Jukniu” (1959, GKA, Tiranë);”Kuvendi i Lezhës’ (1959, Muzeu “Gj.K.Skënderbeu”, Krujë); “Portret vajze” (1959). Artisti në punën e diplomës trajtoi temën historike shqiptare me titull “Çlirimi i grave nga turqit osmanë” (1957, GKA,Tiranë).

Në historinë e pikturës realiste shqiptare të gjysmës së parë të shekullit të XX, portreti për piktorët ishte gjinija më e lëvruar dhe sigurisht që Keraj duke ndjekur këtë traditë e pasuroi këtë “koleksion” me disa elementë shumë të rëndësishëm dhe të veçantë që ai zotëronte: natyrshmërinë e qëndrimit të personazhit të pikturuar, koloritin virtuoz, ekspresiv dhe me kontraste.

Po këto cilësi të tij u evidentuan mjaft mirë edhe në tablotë e hershme kompozicionale si “Kuvendi i Lezhës” (1959). Penelata e shkathët e Kerajt krijonte “plastikë ekspresive” dhe “ajër”, një dukuri kjo e re për pikturën shqiptare të viteve 1960 – 1970, e cila gradualisht u bë pjesë e artit zyrtar të kohës – “realizmit socialist”.

Në serinë e portreteve të Kerajt ndjehet një fill i hollë i vërtetësisë jetësore që piktori e prezanton natyrshëm, personazhet e tij janë të menduar e pa poza, ata të imponojnë me magjinë e një virtuoziteti realist. Sigurisht edhe piktori Keraj realizoi edhe vepra me përmbajtjen e kohës, por në trajtimin profesional të tyre edhe sot ndjehet se ishte mjeshtër dhe një talent i veçantë. Në Shqipëri Keraj, për krijimtarinë e tij është vlerësuar me titullin “Piktor i Merituar” (15.09.1986) dhe Urdhërin “Mjeshtri i Madh” (13.11.2002).

Keraj ka marrë pjesë në ekspozita, konkurse lokalë, kombëtarë dhe ndërkombëtarë gjatë viteve 1957 – 1987. Gjatë 15 viteve (1969 – 1974) ai çeli katër ekspozita vetjake prej të cilave tri në vendlindje (Shkodër) dhe një në Tiranë. Në disa ekspozita dhe veprimtari arti ai ka marrë vlerësime të larta Në fondin e GKA,Tiranë ruhen 25 punime të artistit (ndër to dhe diploma e tij), 22 punime ndodhen në GA, Shkodër..Vepra artistike e piktorit arrin në mbi 260 punime (80 vepra në vaj, 30 akuarel & pastel dhe 150 vizatime me laps).

Veprat e tjera piktorit Jakup Keraj ndodhen në koleksionin e familjes Keraj, si dhe në koleksione private brenda dhe jashtë shqipërisë (Francë, Angli). Më vitin 2002 Ksenofon Dilo do të shkruante për të në gazetën Drita: ” “…veprat e Jakup Kerajt nuk janë krijime “atraktive”.

Ato natyrisht janë produkt i viteve të shkuara, i një kohe me kufizimet e njohura, të një jete të mbyllur figurative, kohë që e dëmtoi rëndë heterogjenitetin dhe larminë stilistike të shprehjes individuale në plan të gjerë e në raport e në marrëdhënie me artin modern të kohës.

Gjithsesi përmes pasionit dhe përgatitjes rigoroze profesionale, përmes idealeve humane e kombëtare, artistët shqiptare mundën e ia dolën të krijonin një traditë në shumë fusha. Të tilla mbetën edhe veprat e piktorit Jakup Keraj, tablo jete me vlera morale, fisnike që burojnë së brendshmi nga konstitucioni shpirtëror i shqiptarëve. Ato janë krijime plot ëndrra e pasione, ku artisti ndjehet bashkudhëtar me subjektet e kohës së tij, me atë ç’ka i duket e përjetshme…”.

30 nëntor 2017 (gazeta-Shqip.com)

Më Shumë

Lajmet e Fundit