Drejtori i Departamentit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu, në një intervistë për “Epokën e re” tregon se si zbuluan varrezën masive me shqiptarë të vrarë nga forcat serbe gjatë luftës në Rashkë të Serbisë. Ai ka thënë se që nga viti 2002 kanë dyshuar për këtë varrezë masive.
Në këtë varrezë, e cila është zbuluar javën e kaluar, sipas Gërxhaliut, dyshohet të jenë varrosur deri në 450 persona. Ai ka bërë me dije se për shkak të temperaturave të ulëta tani për tani është e pamundur të bëhet zhvarrimi i mbetjeve mortore në këtë varrezë.
“Temperaturat gjatë ditës kanë qenë -12 gradë celsius. Edhe po ta rrënonim atë ndërtesë, momentalisht nuk mund të punohet për shkak të ngricave. Tani nuk mund të punohet me vegla të mëdha, por me vegla të dorës. Kur të punosh me vegla dore, duhet të biesh në dy gjunjët për të punuar. Dheu atje është pothuajse akull”, ka thënë Gërxhaliu.
Se kur do të bëhet zhvarrimi i këtyre mbetjeve mortore, Gërxhaliu ka deklaruar se gjatë kësaj jave do të takohen me autoritetet e Serbisë për të diskutuar për këtë çështje. “Këtë javë do të takohemi për ta bërë strategjinë për të ecur tutje. Pra, do të dakordohemi se di do ta organizojmë punën”, ka deklaruar Gërxhaliu.
Ai ka thënë se në zbulimin e kësaj varreze nuk ka pasur kurrfarë ndikimi dialogu Kosovë – Serbi, konkretisht Marrëveshja për Normalizimin e Marrëdhënieve në mes të dy shteteve, e cila është arritur me 19 prill të këtij viti.
Gërxhaliu ka thënë se në Rashkë të Serbisë dyshohet edhe për dy lokacione për varreza masive. “Kur ta kontrollojmë këtë varrezë do ta kemi përafërsisht numrin se sa njerëz gjendën në të. Edhe në ato dy vende të tjera nga incizimet satelitore kemi gjetur lëvizje të dheut”, është shprehur Gërxhaliu.