20.8 C
Prizren
E enjte, 2 Maj, 2024

Edhe komunitetit boshnjak duhet t’i takojë pozitë ministrore në Qeverinë e Republikës së Kosovës

Cerim B.Shkruan:Cerim Bajrami

Pas pritjeve pesë mujore për tejkalimin e ngërçit politik rreth formimit të institucioneve qeveritare në Kosovë, pas zgjedhjeve qëndrore të mbajtura me 8 qershor të këtij viti, më në fund erdhi lajmi i shumëpritur se dy liderët e partive më të mëdha në Kosovë, PDK dhe LDK, z. Hashim Thaqi dhe z. Isa Mustafa, para dy javëve, në praninë e Presidentes së Republikës së Kosovës znj. Atifete Jahjaga dhe Ambasadores së SHBA-ve në Kosovë Tracey Ann Jacobson, kanë arritur marrëveshjen rreth formimit të Qeverisë së përbashkët dhe zgjedhjen e kryetarit të Parlamentit të Republikës së Kosovës.
Tash të gjithë e dimë se duke u bazuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese pozita e kryetarit të organit më të lartë legjislativ të Republikës së Kosovës i takon partisë ose koalicionit parazgjedhor i cili ka fituar numrin më të madh të votave në zgjedhje, e kjo është PDK me partnerët e saj, me gjithsej 36 vende të fituara në Parlamentin e Kosovës.

Ndërkohë, Blloku pas zgjedhor i formuar nga LDK, AAK, Nisma dhe Vetëvendosja, qe së bashku kishin shumicën absolute në Parlament, për kundër mospajtimeve me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, para një muaj ata vendosën që të lëshojnë pe lidhur me zgjedhjen e kryetarit të Parlamentit nga ana e PDK-së.

Mirëpo, shumë shpejt filluan problemet brenda Bllokut rreth ndarjes së pozitave udhëheqëse të parlamentit dhe ekzekutivit, pasi që paraprakisht ishte marrëveshja që partisë më të madhe në Bllok (LDK-së, gjegjësisht z. Isa Mustafa) t’i takoj posti i Kryetarit të Parlamentit, kurse z. Ramush Haradinaj, kryetar i AAK- së, ishte planifikuar për kryeministër. Problemi i tyre vazhdoi edhe më tutje rreth pozitës së udhëheqësit të ekzekutivit, pasi që LDK-ja në ndërkohë kërkoi që kjo pozitë t’i takoj asaj, me arsyetimin se kishte numrin më të madh të deputeteve në parlament nga subjektet e Bllokut me gjithsej 30 deputet. AAK-ja nuk lëshoi pe, duke kërkuar që kandidat i Bllokut për kryeministër edhe më tutje të mbetet lideri i tyre z. Ramush Haradinaj, duke shtyrë kështu LDK-në të marr vendim që të hyjë në koalicion me PDK-në e Hashim Thaqit.

Ky vendim i LDK-së, për shumkënd nuk ishte ndonjë befasi e madhe pasi që në kohën e fundit diçka e tillë ishte paralajmëruar. Ndodhi si ndodhi, pa marrë parasysh mendimet e kundërta (opozitare), vendimi, sipas rrethanave, është i pranueshëm për shumicën e opinionit publik, sepse para së gjithash, ishte koha e fundit që kriza politike të zgjidhej. Në këtë drejtim, kontribut kanë dhënë edhe përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare, të cilët përmes ambasadorëve kanë ushtruar presion për formimin sa më parë të institucioneve të Kosovës, duke theksuar se ideja e shkuarjes në zgjedhjet e reja, do të jetë opsioni i fundit…

Edhe pse ende nuk është zbuluar dhe nënshkruar marrëveshja e partnerëve të rij të koalicionit PDK dhe LDK, si dhe nuk kemi nga PDK konfirmimin për pozitën e kryeministrit, që në bazë të deklarimeve të publikuara nga LDK, duhet t’i takoj kryetarit të kësaj partie z. Isa Mustafës, ndërsa ka sugjerime që kryeministri aktual i Kosovës z. Hashim Thaqi, në perspektivë do të jetë kandidat për Kryetar të Kosovës nga kjo shumicë e koalicionit parlamentar. Por, ajo që dihet saktë, sipas medieve, është edhe ndarja e pozitave ministrore sipas sistemit gjysmë për gjysmë. Ndërsa ajo që nuk është kontestuese, është formimi i grupeve punuese për konkretizimin e marrëveshjes së dy liderëve rreth programit të ardhshëm qeverisës. Ndërkohë është paralajmëruar seanca e Parlamentit të Kosovës më 8 dhjetor…

Për komunitetet jo shumicë në këtë marrëveshje esenciale janë deklaratat e liderëve mbi parimet bazë për formimin e kabinetit të ardhshëm, në të cilat është edhe premtimi se “qeveria e re do të jetë multietnike”. (Ndryshe, ky qëndrim është cekur edhe para arritjes së kësaj marrëveshje në deklaratat e kryetarit të partisë më të madhe, kryeministrit aktual z. Hashim Thaqit.)
Megjithatë, ajo që është me rëndësi në këtë kontekst për komunitetet jo shumicë, bazuar në raportet e fundit mediale mbi ndarjen e pozitave ministrore në qeveri, është përmendur shifra prej katër ministrive për ta, ndërsa pas arritjes së marrëveshjes PDK-LDK, është përmendur shifra prej tri ministrive për komunitetet joshumicë.

Shifra prej tri ministrive për këto komunitete nuk është befasi e aspak bujari politike e askujt, por është kategori kushtetuese dhe ligjore, gjegjësisht numri minimal i pozicioneve ministrore për këto komunitete sipas sistemit aktual ligjor në Kosovë. Pra, sikurse Kushtetuta e Kosovës parasheh 20 vende të garantuara në Parlamentin e Kosovës për komunitetet jo shumicë, gjithashtu thuhet edhe për minimumin e dy vendeve për përfaqësuesit e komunitetit serbë si dhe minimumin një vend të ministrit për përfaqësuesit e të gjitha komuniteteve tjera, në qeveri. Kurse dihet se “komunitetet tjera” përveç serbëve, gjithashtu kanë 10 deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës!

Të përkujtojmë se në përbërjen e Qeverisë aktuale, komuniteti serb ka pas të drejtën e tre ministrave (prej të cilëve njëri ka qenë zëvendës kryeministër i qeverisë), kurse në vitin e fundit ka përfituar edhe një ministër pa portofol. Kurse të gjitha “komunitetet tjera” kishin një pozitë ministrore, në të cilën në qeverinë aktuale ishte z. Mahir Yagcilar nga komuniteti turk (nga partia KDTP), kur të njëjtën pozitë e pati edhe në Qeverinë e parafundit, dmth. në dy mandatet rresht. Gjithashtu. KDTP kishte edhe tre zëvendës ministra në qeverinë aktuale të Kosovës, më tre deputet të vet në parlamentin e kaluar.
Në anën tjetër, komuniteti boshnjak me katër deputet në legjislaturën e kaluar parlamentare, të cilët që të gjithë kanë votuar për kabinetin qeverisës, domethënë ishin në pozitë, deri para një viti kishin gjithsej katër zëvendës ministra: tre nga koalicioni “Vakat” dhe një nga Partia e Re Demokratike (NDS), kurse i katërti deputet nga Qendra e Unionit Demokratik (CDU) nuk ka pas asnjë përfaqësues në qeveri nga radhët e komunitetit boshnjak.
Të shtojmë edhe këtë qe komuniteti rom dhe ashkalinjë kishin nga një vend të zëvendësit në qeverinë aktuale, kurse komunitetet RAE kishte katër deputetë, po aq kanë edhe në përbërjen e re parlamentare.
Siç dihet, pozita e zëvendës ministrit gjithashtu nënkupton edhe maximimi dy të punësuar (vozitësi dhe asistenti), derisa pozita e ministrit nënkupton së paku 9 (nëntë) të punësuar: këshilltarë, asistentë, shoferë…., e të mos flasim për pozitën, të drejtat dhe përgjegjësitë e ministrit dhe zëvendës ministrit në qeveri.

Të kujtojmë se në këtë përbërje të parlamentit vendet e rezervuara për komunitetet jo shumicë të Republikës së Kosovës që ishin në dy përbërjet e mëhershme, janë zëvendësuar me vendet e garantuara, dmth. gjithsej 20. Nga 10 vendet e garantuara komuniteti boshnjak ka tre vende, komuniteti turk dy, katër vende i ndajnë komunitetet RAE dhe një vend i takon komunitetit goran. Kurse komuniteti serb gjithashtu ka 10 vende. Pra, boshnjakët e Kosovës në bllokun e komuniteteve jo shumicë, përpos komunitetit serb, kanë numrin më të madh të deputetëve.

Po ashtu, komuniteti boshnjak në zgjedhjet e fundit kishte numrin më të madh të votuesve, gjegjësisht numrin më të madh të votave të fituara nga ana e subjekteve politike të cilat kanë marrë pjesë në zgjedhje. Gjithashtu, renditet komuniteti i dytë jo shumicë pas komunitetit serb. Nga numri i përgjithshëm i votave, numrin më të madh të votave (afër shtatë mijë) i ka fituar koalicioni “Vakat”, që është një koalicion shumë përfshirës ngase në të bëjnë pjesë katër subjekte politike nga të gjitha rajonet ku jetojnë pjesëtaret e këtij komuniteti në Kosovë. Koalicioni “Vakat” me dy deputet në Parlamentin e Kosovës dhe me një deputet nga subjekti politik NDS, mund të jenë faktor kyç në momentet e rëndësishme të vendimmarrjes, me një bashkëpunim më të madh se gjerë më tani, kur është në pyetje votimi, gjegjësisht vendimmarrja për pozitën e bashkësisë boshnjake.

Por kjo mosmarrëveshje është në fakt një sëmundje e vjetër e politikës boshnjake dhe ajo, në fund të fundit, nuk është ekskluzivisht vetëm e boshnjakëve, pa marrë parasysh qe ka edhe shumë “simptome” specifike. Rezultatet e këtyre mosmarrëveshjeve janë të dukshme, ndërsa njëri nga segmentet e rëndësishme të saj është humbja e pozitave politike si në nivelet lokale ashtu edhe në nivelin qëndror për këta përfaqësues politik, respektivisht përfaqësues boshnjak. Si rezultat i humbjeve të këtyre pozitave, janë evidente edhe humbjet në arritjen e shpejtë të drejtave kombëtare dhe civile të komunitetit boshnjak në Kosovë.

Krijohet përshtypja që ndërkohë edhe për disa udhëheqës të komunitetit shumicë shqiptar të Kosovës, kjo mosmarrëveshje e individëve të caktuar të politikanëve boshnjak tashmë ka kaluar kufirin e “lejuar”, çka është një “trend” i mirë, i cili mund të shkojë në të mirë të apeleve për bashkim dhe një qasje të çartë të përfaqësuesve politik boshnjak, që vijnë nga radhët e popullit boshnjak të Kosovës.
Marrë parasysh fjalët si dhe momentin aktual në prag të formimit të Qeverisë së Kosovës, shtrohet pyetja për vetën nëse mosmarrëveshjet e përfaqësuesve politik boshnjak edhe kësaj radhe do të kontribuojnë në mos përmbushjen e premtimeve, të cilat kanë qarkulluar në pesë muajt pas zgjedhjeve nga udhëheqësit e lartë si nga PDK-ja po ashtu edhe nga ana e Bllokut (respektivisht LDK-ja) që në këtë përbërje të ekzekutivit edhe bashkësisë boshnjake do ti takojë një pozitë ministri?
Në mënyre specifike, pasi që në media po spekulohet se përfaqësuesit e dy partive janë marrë vesh për ndarjen e dikastereve në qeveri, si dhe komuniteteve jo shumicë do t’iu takojnë katër (kurse më herët – tri) ministri, dihet që dy prej tyre (si minimum kushtetues) janë patjetër për komunitetin serb, derisa për të treten kemi paralajmërime nga z. Mahir Yagcilar se ai nuk e ka ndërmend të ndalet së kërkuari një ministri për komunitetin e tij turk, respektivisht për vete, a do të thotë kjo që përsëri boshnjakët mund të llogarisin vetëm në disa poste zëvendësministrash në qeverinë e re të Republikës së Kosovës?

Është i mundur ky rezultat total negativ për komunitetin boshnjak, mirëpo është e mundur që udhëheqësit aktual të PDK-së dhe LDK-së do të mbajnë premtimet e tyre dhënë përfaqësuesve boshnjak, para se gjithash përfaqësuesve te Koalicionit Vakat, që edhe atyre do t’iu ndahet një ministri, një nga tri apo katër ministritë e paralajmëruara për përfaqësuesit e komuniteteve jo shumicë.
Në rast të mos ndarjes së kësaj pozite plotësisht të merituar, assesi nuk duhet pritur nga opinioni boshnjak në Kosovë të pajtohen me fatin politik humbës, gjegjësisht atë që e fitojnë subjektet politike boshnjake në zgjedhje dhe nga votuesit e tyre, disa nga përfaqësuesit e tyre rregullisht humbin në bisedime me ata që formojnë qeverinë e re. Ne fund, do te jetë krejt njëjtë “justifikimi” se përfaqësuesit boshnjak nuk janë gjetur mirë, ose përsëri janë (keq)përdorur nga të tjerët, dhe atë jo vetëm nga përfaqësuesit e komunitetit shumicë, por edhe nga ana e përfaqësuesve jo shumicë.
A do të përsëritet historia e humbjes së përfaqësuesve boshnjak në institucionet e Republikës së Kosovës, apo përfaqësuesit boshnjak do të bëjnë një hap para me marrjen e një pozite ministrore në qeveri për komunitetin boshnjak? Kjo mbetet të shihet në ditët në vijim.

Më Shumë

Kampioni ende gjallë, “ia fik” dritat Yllit

Në një super ndeshje dhe dramatike, Peja fitoi ndaj Golden Eagle Yllit 80:81 (26:20, 21:26, 15:13, 18:22), duke barazuar serinë gjysmëfinale të Play-offit në...

Kapet me armë ilegale në Rahovec, i dyshuari lirohet në procedurë të rregullt

Në Rahovec, dje në ora 20:20, një person  është arrestuar pasi gjatë një kontrolli në automjetin e tij është gjetur dhe konfiskuar një pistoletë...

Lajmet e Fundit