8.8 C
Prizren
E premte, 19 Prill, 2024

Edukimi i njerëzve nëpërmjet poezisë

(21 Marsi – Dita Botërore e Poezisë)

Shoqëria njerëzore, që nga koha e krijimit dhe funksionimit të saj në hapësira të (para)caktuara nga fuqi të mbinatyrshme, pavarësisht etapave në të cilat ajo ka kaluar dhe se sa është ndikuar në vazhdimësi nga faktorët e jashtëm, është “rritur dhe zhvilluar” me anë të poezisë. Ishte pikërisht kjo e fundit, ajo me të cilën, shoqëria në fjalë arriti që të vetëdijësohej për shprehjen e çdo ndjenje, pavarësisht asaj se sa do të ishte e pranueshme ose e kundërshtuar, dhe më pas, po me të, e njëjta, për të nesërmen ta krijonte dhe idealin më të bukur.

Rrugëtimi i përbashkët i shoqërisë njerëzore nga njëra anë, dhe i poezisë (në veçanti asaj me natyrë lirike) si art i bukur, nga ana tjetër, është njëra ndër pjesët më të bukura, e treguar jo vetëm brenda suazave që tashmë ngërthen mbarë letërsia, por, edhe nga vetë jeta e përditshme njerëzore. Sepse është pikërisht njeriu si faktor, ai i cili në mënyrë të vetëdijshme e paraqiti si të vërtetë këtë rrugëtim, jo vetëm për të treguar se si e kaluara e tij paraqitej në vargje fillimisht të thjeshta e të shkurtra, për të kaluar më vonë tek ato me natyrë më të ndërlikuar e më të figurshme, por, për ta paraqitur edhe në vazhdimësi këtë lidhje të hershme.

Kjo shoqëri, që tashmë e pranoi këtë lloj arti si pjesë të përditshme dhe të pashmangshme për jetën e saj, arriti që të njëjtin ta fuste edhe në korniza edukimi e arsimimi, që do të thotë, e njëjta u kujdes, që natyra e poezisë të ishte me karakter të theksuar edukativ që në hapat e parë të edukimit dhe të arsimimit të qenies njerëzore. Andaj, jo më kot, si letërsia jonë, ashtu edhe ajo e huaj, interpretimin dhe mësimin e poezisë (pavarësisht llojit, tematikës dhe motivit të saj) e vë gjithmonë në plan të parë, ngase me të, do të qartësohet që në fillim rruga e cila do të duhet të ndiqet, jo vetëm nga ata që shkelin për herë të parë në atë rrugë, por, dhe për ata që e kanë rolin e udhëheqësit ose edukuesit.

E njëjta gjë ndodh edhe me njerëzit e kohës së sotme, ndoshta, edhe me një theks më të veçantë. Gjithë kjo thuhet duke u nisur nga fakti se edhe edukimi i ditëve të sotme thekson se, një shoqëri e shëndoshë, e zhvilluar në mënyrë të drejtë dhe me synime të qarta për të ardhmen, duhet që, në një mënyrë a në një tjetër të ndikojë te lidhja e përhershme që njeriu duhet të ketë me poezinë. Sepse është vetë historia njerëzore, ajo e cila këtë lidhje e ka të largët e të moçme, duke dëshmuar në këtë mënyrë për një jetesë që bëhet me vlera e me shenja më tërheqëse vetëm falë vargut të veçantë. Por, në gjithë këtë, nuk duhet të lihen anash, edhe rastet në të cilat shihen poezi me natyrë më pak tërheqëse, por që të njëjtat, nuk janë të nevojshme për t’u marrë si shembull.

Edukimi i njerëzve, pavarësisht kohës dhe faktorëve tjerë ndikues, duhet të bëhet edhe me anë të poezisë, duke e hapur rrugën që, edhe ata, në çfarëdo kohe, të mund të orientohen drejtë, ta ndjekin të bukurën kudo ku e njëjta do të nxjerrë krahët, të mësojnë ta gjykojnë drejt një tematikë, edhe kur e njëjta mund të ketë shenja ndalimi për një kohë a kategori të caktuar njerëzish, ose, kur po me të njëjtën, do ta pranojnë të renë e panjohur në mënyrën më njerëzore. Sepse, pavarësisht gjërave se si janë të krijuara për të egzistuar në botë, njeriu duhet të rritet me diçka që e përmbush shpirtërisht, që e udhëzon drejt gjësë së drejtë, e që herët a vonë do ia lë në dorë dhe shpërblimin.

Bota me kohë ka funksionuar në mënyrë të këtillë. Njeriu është rritur me vargun e bukur dhe me shprehjen e ndjenjave në mënyrën më të pranueshme. Ai që nga lashtësia, jeton me vargun e lehtë dhe edukues. E njëjta duhet të bëhet dhe sot: të edukohet shoqëria për pranimin dhe krijimin e të bukurës dhe vargut poetik! Një shoqëri e shëndoshë edhe për të nesërmen duhet ta zgjedh më të mirën. Këtë gjë, botës duhet t’ia lëmë vath në vesh!

Shkroi: Adelina Xhaferi

Më Shumë

Ti je për mua një krijesë e trishtë

Poezi e shkruar nga Cesare Pavese. Përktheu: Orjela Stafasani Ti je për mua një krijesë e trishtë një lule e përkohshme poezie që bash në çastin kur e...

Pse e sulmoi Irani Izraelin?

Ben Blushi Sulmi i Iranit kundër Izraelit do të mbahet mend si një ngjarje në të cilën ai që sulmon ka më shumë frikë se...

Lajmet e Fundit