18.8 C
Prizren
E hënë, 13 Maj, 2024

Ende mjegull nëse do të votohet pro Gjykatës Speciale

Një ditë para se para deputetëve të Kuvendit të Kosovës të dalin amendamentet për ndryshimet kushtetuese që i hapin rrugë themelimit të gjykatës speciale, situata ende është e paqartë.

Kuvendi do të mbajë të premten një seancë të veçantë për rrjedhën e së cilës ende nuk ekziston një skenar i përcaktuar, pasi projektligji apo projektligjet që ndërlidhen me themelimin dhe funksionimin e gjykatës speciale ende nuk janë proceduar nga Qeveria e Kosovës në Kuvendin e Kosovës, ndonëse flitet se “drafti është i gatshëm ashtu siç ka ardhur nga Brukseli”.

Qeveria e Kosovës duket se po e pret momentin e fundit që këtë draftligj ta sjellë në Kuvend për shqyrtim dhe miratim. Kjo pasi vet kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në mbledhjen e Qeverisë, të mërkurën, ka bërë të ditur se ky ligj do të jetë para kabinetit qeveritar të premten në një mbledhje të veçantë duke filluar nga ora 11:00, pra në të njëjtën kohë kur Kuvendi do t’i procedojë ndryshimet kushtetuese për gjykatën speciale.

Mësohet se edhe ligji ashtu sikur edhe amendamentet për ndryshime kushtetuese do të procedohet në Kuvend me procedurë të përshpejtuar dhe me shmangie të rregullores.

Por, ende është e paqartë nëse partitë në pushtet i kanë siguruar votat që këto ndryshime kushtetuese ta marrin dritën e gjelbër nga Kuvendi. Madje ato nuk preferojnë as të flasin lidhur me këtë çështje.

E në anën tjetër partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje!, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën kanë ripërsëritur qëndrimin e tyre se do të jenë kundër gjykatës speciale.

Mirëpo, përpos opozitës janë edhe disa deputetë të partisë së Hashim Thaçit, të cilët nuk po i binden kërkesës së bashkëpartiakëve të tyre për të votuar këtë gjykatë.

Deputetja Albulena Haxhiu, nga Grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje! ka thënë për KosovaLive se do të vazhdojnë të kundërshtojnë themelimin e gjykatës speciale, pasi sipas saj, ajo e cenon edhe atë pak sovranitet që e kemi e gjithashtu e njollos luftën e drejtë të UÇK-së.

“Në këtë drejtim edhe në seancën e së premten do të votojmë kundër amendamentit kushtetues për Gjykatën Speciale. Dihet botërisht qëndrimi ynë për këtë Gjykatë, këtë po ashtu e kanë të njohur edhe përfaqësuesit ndërkombëtar dhe asnjëherë deri më tani, askush, nuk ka mundur të bëjë presion karshi qëndrimeve tona as për këtë dhe as për ndonjë çështje tjetër. Qëndrimet tona janë parimore dhe të pandryshueshme”, ka thënë Haxhiu.

E pyetur se a do të pranonin që çështja e themelimit të Forcës së Armatosur të votohet në pako me gjykatën speciale, Haxhiu ka thënë se do të kundërshtojnë një tendencë të tillë, pasi sipas saj, kjo përveç që është në shpërpushje me rregulloren dhe praktikat parlamentare është edhe e padrejtë sepse rregullojnë çështje të ndryshme.

Edhe shefja e Grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj-Bujupi, ka thënë për KosovaLive se nuk i kanë ndryshuar qëndrimet dhe se themelimin e gjykatës speciale e konsiderojnë si dëmin më të madh që i shkaktohet sovranitetit të vendit.

“Do të votojmë kundër kësaj gjykate dhe i ftojmë të gjithë deputetë pa marrë parasysh se a janë në pozita apo opozita që të reflektojnë mbi interesat e ngushta individuale dhe partiake dhe të mbrojnë integritetin dhe sovranitetin e vendit, duke mos lejuar të themelohen trupa paralele dhe gjykatë e cila do të jetë e padrejtë”, ka thënë Kadaja-Bujupi.

Ajo ka thënë se AAK-ja është kundër tendencës që edhe amendamentet kushtetuese për themelimin e Forcës së Armatosur të Kosovës, të futën në një pako të përbashkët me gjykatën speciale, pasi sipas saj, kjo është një çështje e ndryshme.

Për miratimin e amendamenteve kushtetuese, të cilat i hapin rrugë krijimit të gjykatës speciale duhet 2/3 e votave të deputetëve, apo 80 deputetë nga 120 sa ka Kuvendi i Kosovës, përfshirë këtu edhe 2/3 e votave të pakicave, apo votat e 14 deputetëve minoritarë.

Ashtu siç kemi raportuar edhe më parë, baza e themelimit të gjykatës speciale u vë me letërkëmbim nëpërmjet presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga dhe ish-shefes së diplomacisë evropiane, baroneshës Catherine Ashton, në prill të vitit 2014.

Ky i ashtuquajtur letërkëmbim u ngrit në nivel të një marrëveshje ndërkombëtare, e cila u ratifikua nga legjislatura e kaluar e deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Me këtë marrëveshje Kosova kishte marrë obligim ndërkombëtar që përveç vazhdimit të mandatit të misionit të Bashkimit Evropian për sundim të ligjit – EULEX, ta themelojë edhe gjykatën speciale.

Rikujtojmë se mosmiratimi i kësaj gjykate nga ana e Kuvendi të Kosovës, do të bënte që këtë gjë ta bëjë Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara dhe pasojat sipas njohësve të këtyre rrethanave do të jenë edhe me të mëdha./KosovaLive/

Më Shumë

Europa League: Atalanta e Gjimshitit në finale përballë Leverkusenit të Xhakës

Atalanta ka kaluar në finale të Europa League pasi e mposhti Marsiellen me rezultat 3:0. Golin e parë në takim e shënoi Lookman me një...

24 vjet nga vrasja e “Drinit”

8 maj 2000. Ish-komandanti i UÇK-së, Ekrem Rexha -‘Drini’, vritet para shtëpisë së tij, në Prizren. Kjo vrasje ndodhi në rrethana misterioze. Drejtësia vendore e ndërkombëtare,...

Lajmet e Fundit