11.8 C
Prizren
E premte, 17 Maj, 2024

Eqrem Kryeziu: Deputetët e LDK-së do ta votojnë Thaçin president

Ish-nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Eqrem Kryeziu, ka bërë me dije se moszgjedhja e Hashim Thaçit president mund ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme.

Ai ka vlerësuar se për këto zgjedhje nuk janë e gatshme as opozita dhe as LDK-ja.

Kryeziu në një intervistë për “Epokën e re”, ka treguar se presioni i zgjedhjeve të reja do t’i shtyjë deputetët e partisë së Isa Mustafës ta votojnë për president liderin e PDK-së. Sipas tij, zgjedhja e Thaçit president është në interest të të gjitha partive.

“Sa po shoh unë, nuk është interesi i asnjë partie t’i masë forcat me zgjedhje të reja”, ka thënë Kryeziu.

“Epoka e re”: Në këtë situatë politike, a do të mund të realizohet ky ‘pazar’, pasi opozita nuk po lejon mbajtjen e seancave në sallën e zakonshme, kurse disa deputetë të LDK-së kanë paralajmëruar se nuk do ta votojnë Thaçin për president?

Kryeziu: Tash unë po flas se si e shikoj këtë proces nga terreni, sepse nuk e kam pasur privilegjin të jem më i madhi në krye. Ju them se nuk është e artikuluar edhe krejt kundërshtia e opozitës ndaj Qeverisë. Nuk dihet se a janë kundër kryeministrit apo janë edhe kundër Thaçit. T’ju them të vërtetën unë nuk e kam të qartë këtë punë. Me gjasë tehu i kundërshtisë së opozitës po shkon kundër kryeministrit. Po jua kujtoj një deklaratë publike të z. Haradinaj, i cili pati thënë: ‘Z. Thaçi nuk mund të krahasohet me Isën. Ai (Mustafa) është shumë larg Thaçit’. Pra që donte të thoshte se është më i dobët. Kështu që këto gjëra janë relative. Sidoqoftë, është normale të ketë deputetë që të mos u pëlqejë kandidati për president, sikurse ka pasur shumë deputetë që nuk u ka pëlqyer Jahjaga për presidente, por Jahjaga e kreu mandatin e saj të plotë.
 
“Epoka e re”: Prisni që Thaçi të bëhet president i ri i Kosovës?
Kryeziu: Marrëveshja që është arritur ndërmjet PDK-së dhe LDK-së është kontratë e dy partive. Nëse ju më pyesni se a do të realizohet kjo kontratë, atëherë unë do t’jua shtroja një pyetje juve: A do të ketë tjetër kandidat? Në qoftë se dikush nuk e ka mbështetjen partiake është e pamundshme të zgjedhet president. Po e marrim edhe variantin se mund të dështojë zgjedhja e presidentit, atëherë sigurisht se shkohet në zgjedhje të lira, të cilat qysh po e shoh, nuk i përshtaten askujt.
“Epoka e re”: Meqenëse kjo mënyrë e zgjedhjes së presidentit e nxit dialogun politik mes partive parlamentare, sa besoni se janë në gjendje që dy partitë në pushtet të dialogojnë me opozitën për këtë çështje?
Kryeziu: Kur Kuvendi e zgjedh presidentin, ashtu si e kemi ne, atëherë duhet të futen doemos partitë politike në dialog, që kjo do të ishte një e mirë për vendin. Besoj se shumica i ka votat për ta zgjedhur presidentin. Kurse ideja se do të mungojnë disa deputetë, e pozita nuk do të mund t’i ketë dy të tretat e pranishme, ndoshta është e mundshme, por ndoshta edhe nuk është e mundshme, sepse nuk kemi alternativë tjetër. Nuk ke kënd e propozon për president. Në qoftë se dikush i ka 80 vota tani, kush tjetër do t’i kishte 80 vota të tjera. Ndoshta Kuvendi më nuk është i gatshëm ta zgjedhë dikë si zonjën Jahjaga, me një farë zemërgjerësie të rastit për ta kaluar krizën.
“Epoka e re”: Ju e njihini z. Thaçi. Besoni se ai do të pranonte të zgjedhej president në një sallë të improvizuar?
Kryeziu: Nuk po mund të parashikoj aq gjatë, sepse deri atëherë mund të ketë edhe zhvillime të tjera.
“Epoka e re”: Çfarë zhvillime të tjera do të mund të ndodhin?
Kryeziu: Demarkacioni pothuajse është hequr prej rendit të ditës. Kur kryeministri i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, thotë se ia bëjmë diqysh, ani pse kjo Qeveri po duket sikur nuk do për t’i bërë mirë Kosovës. Pra, deri atëherë mund të ndodhin zhvillime të ndryshme, sepse mund të supozoj se edhe Gjykata Kushtetuese ka kurajën që të shohë si antikushtetuese disa formulime për Asociacionin e komunave serbe që, në fakt janë, me aq sa kuptoj unë. Atëherë po del se këto dy kërkesa të opozitës në një farë forme po gjejnë një farë zgjidhje, dhe nuk do të ketë nevojë të gjuajnë bombola të gazit. Në fund të fundit, pavarësisht se në cilën sallë zgjidhet presidenti i ri, legjitimitetin ta njehë bota. Në qoftë se dëshirojnë t’u ikin incidenteve nuk është me rëndësi salla.
 
“Epoka e re”: Në rast se nuk do të zgjedhet Thaçi president, do të ishte e mundshme zgjedhja e një kandidati konsensual?
Kryeziu: Nuk kam menduar për këtë çështje. Ndoshta teza juaj mund të jetë e bazuar. T’ju them të drejtën, nëse shkohet me president konsensual nuk mund të jemi të kënaqur, sepse ajo pozitë e presidentit praktikisht nuk është marrë vesh se ekziston në këtë mandat. Unë kam respekt të madh për zonjën Jahjaga, po flas në aspektin institucional.
“Epoka e re”: Thatë se, nëse Thaçi nuk zgjedhet president, vendi mund të shkojë në zgjedhje. Kujt prej partive i konvenojnë zgjedhjet e reja?
Kryeziu: Sa po shoh unë, nuk është interesi i asnjë partie t’i masë forcat me zgjedhje të reja. Opozita ka bërë gjithë atë rezistencë, por nuk është e sigurt se kjo do të kthehet në vota. As partitë në pushtet nuk kanë ndonjë disponim që të shkojnë në zgjedhje të reja. Ndoshta më e qeta në këtë drejtim është PDK-ja, e cila ka mbetur në një farë forme e paprekur prej eksperimenteve, prej ecejakeve të lideri të LDK-së, i cili për gjashtë muaj e mbajti varur Kosovën.
“Epoka e re”: Ju po thoni se zgjedhjet nuk janë në interes të partive opozitare dhe LDK-së, atëherë a mund t’i shtyjë kjo deputetët e LDK-së ta votojnë për president Thaçin, në mënyrë që t’u shmangen zgjedhjeve?
Kryeziu: Sigurisht se mund të jetë edhe kjo. Po them se kam vërejtur se asnjëra parti nuk është e interesuar të shkojë tash në zgjedhje, sepse nuk është e sigurt se çka fiton më shumë. Dhe duke e parë këtë, mendoj se interesi i tyre është ta votojnë çështjen e presidentit. Në këtë rast e kemi z. Thaçi kandidat për president. Mirëpo, pa marrë parasysh se kush është kandidat, interesi i tyre është ta votojnë zgjedhjen e presidentit. Ne e votuam zonjën Jahjaga vetëm për t’u ikur këtyre gjërave. Kështu që, në qoftë se janë ata të moçmit këta në Kuvend, besoj se do ta votojnë kandidatin për president.

Më Shumë

Dueli i tretë final mes Trepçës dhe Yllit

Trepça dhe Golden Eagle Ylli do të përballen në ndeshjen e tretë të serisë finale të play-offit në Superligën e Kosovës në basketboll. Pas dy...

Kanosi dhe fyu policët, arrestohet një person në Prizren

Një person është arrestuar në Prizren pasi që i njëjti gjatë shqiptimit të një tikete kundërvajtëse në trafik, ka kanosur dhe fyer zyrtarët policorë. Në...

Lajmet e Fundit