15.8 C
Prizren
E premte, 24 Maj, 2024

Escobar: Zbatimi i Marrëveshjes drejt normalizimit duhet të nisë menjëherë

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se Kosova dhe Serbia duhet të nisin menjëherë të zbatojnë Marrëveshjen drejt normalizimit të raporteve.

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se Kosova dhe Serbia duhet të nisin menjëherë të zbatojnë Marrëveshjen drejt normalizimit të raporteve.

Gjatë një diskutimi virtual me gazetarë, Escobar tha të hënën se pajtimi i arritur më 18 mars, në Ohër të Maqedonisë së Veriut, është marrëveshje “në të gjitha aspektet” dhe është ligjërisht e obligueshme, që do të jetë pjesë e rrugës evropiane të të dyja shteteve.

“Rruga evropiane [e Kosovës dhe Serbisë] është jashtëzakonisht e kushtëzuar me zbatimin e kësaj marrëveshjeje”, tha ai.

Zyrtari i lartë amerikan tha se për Kosovën është e rëndësishme që të nisë draftimin e versionit të saj për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ndërkaq, për Serbinë tha se duhet të nisë të njohë dokumentet dhe simbolet shtetërore të Kosovës.

“Kjo marrëveshje është nisja e pajtimit mes Kosovës dhe Serbisë. Ka shumë punë që duhet të bëhet përtej kësaj marrëveshjeje”, tha ai.

Escobar e cilësoi marrëveshjen si “historike” dhe tha se do të ndihmojë partnerët evropianë që palët të mund të zbatojnë të gjitha pikat e marrëveshjes.

Zyrtari i lartë amerikan diskutoi edhe për faktin që as Kosova dhe as Serbia nuk e nënshkruan marrëveshjen gjatë takimit në Ohër. Ai tha se fokusimi në këtë aspekt është i parëndësishëm, pasi sipas tij, kjo është marrëveshje dhe shihet si e tillë nga BE-ja.

Escobar përsëriti se më 18 mars bisedimet nuk u përqendruan në arritjen e njohjes së ndërsjellë, por në normalizimin e raporteve. Megjithatë, ai shtoi se shpreson që shtetet mosnjohëse të BE-së, të njohin pavarësinë e Kosovës.

“Ne shpresojmë që të gjitha shtetet e BE-së ta njohin Kosovën në një të ardhme të afërt. Është e rëndësishme për Kosovën, që është pjesë e familjes evropiane, që të njihet nga pjesa tjetër e familjes evropiane. Besoj se një prej gjërave që duhet të ndodhë në rajon është se të gjitha shtetet në Ballkanin Perëndimor duhet ta njohin njëra-tjetrën dhe të kenë raporte paqësore dhe produktive”, theksoi Escobar.

I pyetur se cili është modeli më i mirë evropian që mund të përdorej si shembull për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, Escobar tha se kjo i përket popullit të Kosovës të vendosë, në bisedë me Serbinë.

“Por, ne besojmë se duhet të jetë një që i shërben interesave të popullit të rajonit, një që funksionon për të dyja palët, që lejon serbët etnikë të marrin pjesë plotësisht në jetën civile dhe demokratike të Kosovës, por po ashtu duhet të jetë një asociacion që nuk shkel strukturën kushtetuese të Kosovës apo prek funksionalitetin e saj. Brenda kësaj ka shumë modele dhe shumë opsione dhe ne shpresojmë se do të kemi bisedime me të dyja palët që të mund të arrijmë, jo vetëm te një opsion i përbashkët, por te një opsion atraktiv”, tha Escobar.

Zyrtari amerikan pranoi se Rusia, përmes mediave dhe dezinformatave, ka tentuar të ndikojë te partitë dhe grupet djathtiste në Serbi, të cilat e kanë kundërshtuar marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe Serbisë.

Ndërkaq, ai theksoi se në takimet në Ohër nuk është përmendur Rusia, dhe nëse Moska ka tentuar që përmes kanaleve të ndryshme të minojë procesin e arritjes së marrëveshjeve, sipas tij, ajo ka dështuar.

“Rusia ka tentuar që të krijojë probleme brenda problemeve ekzistuese për të penguar integrimin euroatlantik të rajonit. Por, në realitet problemet vazhdojnë të jenë probleme të rajonit dhe ato duhet të zgjidhen, duke shikuar nga aspekti se çfarë duhet të ndodhë në rajon, e që është pajtimi rajonal. Ky [arritja e aneksit për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit] ishte një aspekt i rëndësishëm për këtë”, tha Escobar.

Si erdhi deri te marrëveshja?
Kosova dhe Serbia më 27 shkurt u pajtuan për Marrëveshjen drejt normalizimit të raporteve, apo siç njihet edhe si propozimi evropian për normalizim.

Më 18 mars, palët, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, arritën pajtim për aneksin e zbatimit të Marrëveshjes drejt normalizimit.

Në rundin e dialogut, që u mbajt në Ohër të Maqedonisë së Veriut, në cilësinë e vëzhguesit ishte edhe Escobar.

Propozimi evropian për normalizim, që përbëhet nga 11 nene, nuk përmend në mënyrë specifike njohjen e ndërsjellë. Megjithatë, dokumenti kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.

Propozimi evropian kërkon, po ashtu, nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin Qeveria në Prishtinë e ka refuzuar deri më tash, me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka argumentuar se marrëveshja ofron “njohje de facto”, ndërkaq sa i përket Asociacionit, ai i është referuar nenit 7, duke thënë se bëhet fjalë për “një nivel adekuat të vetëmenaxhimit të komunitetit serb” dhe “jo për vetëqeverisje”.

Ndërkaq, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se me këtë dokument, formimi i Asociacionit “është bërë detyrim me prioritet”.

Kosova dhe Serbia kanë arritur dy marrëveshje për Asociacionin, më 2013 dhe 2015. Marrëveshja e 2015, sipas Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, nuk është në përputhje me aktin më të lartë juridik të shtetit. Megjithatë, pikat mund të harmonizohen me ligjin.

BE-ja së fundmi i ka dorëzuar Qeverisë së Kosovës disa modele evropiane për të drejtat e komuniteteve joshumicë, nga të cilat mund të merren shembuj për themelimin e Asociacionit. Qeveria në Prishtinë ka konfirmuar se është duke i shqyrtuar ato.

Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog nën ndërmjetësimin e BE-së, dhe me mbështetjen e SHBA-së, që nga 2011. Kosova kërkon që në fund, marrëveshja të përfshijë njohjen reciproke, e Serbia dëshiron një zgjidhje kompromisi.

Më Shumë

Lajmet e Fundit