12.8 C
Prizren
E martë, 30 Prill, 2024

Fatos Kongoli; për dashurinë, krimin dhe ndëshkimin

fatos KongoliShkrimtari vjen për lexuesin me romanin e tij më të fundit “Gjemia e mbytur”, një libër që ngre pyetje ekzistenciale mbi natyrën njerëzore, nga dhuna, te vrasja e ndërgjegjes, ndjesa e dashuria. A është kjo e fundit iluzion? Të pasionuarit pas letërsisë së Kongolit do të mund ta kenë librin pas datës 10 shkurt, kur shtëpia botuese “Toena” do ta shpërndajë në libraritë e Tiranës

Kur e pyesnin në janar të 2014-s nëse mbi skrivaninë e tij kishte nisur të merrte jetë një subjekt i ri letrar, shkruar besnikërisht si gjithë të tjerët në shkrim dore, për t’u hedhur më pas me makinën “Olivetti”, Kongoli do të përgjigjej se një shkrimtar ka gjithmonë diçka në duar…Edhe pse nga romani i fundit “Njeriu me fat” kishin kaluar vetëm 2 muaj prej promovimit.

Një vit më pas, shkrimtari i njohur Fatos Kongoli i vjen lexuesit me një krijim të ri. “Gjemia e mbytur” është romani, i cili vjen për lexuesin nga data 10 shkurt nga botimet “Toena”, me të cilën ka botuar dhe ribotuar më se 15 vepra deri më tani.

Edhe kësaj here autori tjerr fabulën e fateve njerëzore, shpirtin e të përvuajturit për shkak të njerëzve të përçudnuar.

Pse njeriu është xhelati më i egër i Njeriut? A ka kuptim ndëshkimi? A ka kuptim katarsisi pas një krimi të kryer me ndërgjegje të qetë? Po ndjesa sa vlerë ka? Po dashuria, ajo e burrit për gruan, e prindit për fëmijën, e njeriut për njeriun, e njeriut për natyrën është aspiratë apo iluzion? Janë disa nga pyetjet ekzistenciale që autori i ngre në trillin më të fundit, duke skalitur personazhe universalë, të marrë nga jeta e përditshme e të mveshur me stilin e dallueshëm të shkrimtarit të vlerësuar me çmime të rëndësishme të botës së letrave.

Kongoli vjen për të na tronditur me një tjetër rrëfim…për njerëz që na kalojnë çdo ditë kaq pranë.

Shkrimtari që e njohu hovin e krijimtarisë së tij pas viteve ’90 – duke u cilësuar edhe si shkrimtar i tranzicionit –edhe në moshën 71-vjeçare vazhdon ta mbajë suksesin e arritur me penën e tij. Ndoshta ngaqë ka shumë për të thënë dhe ndjen se ende nuk i ka thënë të gjitha, ose të paktën jo aq sa duhet.

Ky libër i ri dëshmon se Kongoli ka shumë për të thënë me stilin e tij, duke i ofruar lexuesit, që di si t’i përkëdhelë duke mos ia zhgënjyer pritshmëritë, me një tjetër dramë njerëzore, duke e tëhollur më shumë fillin që ndan realen nga deliri, ëndrrën nga e përditshmja, dramën nga erotizmi… Ai përshkruan njeriun e tranzicionit, njeriun që ende në shoqërinë shqiptare e sheh në tranzit..

“Për çdo autor është e pamjaftueshme t’i thotë të gjitha ato që dëshiron të thotë, por vjen një kohë që ai vetë duhet ta kuptojë nëse duhet të vazhdojë t’i thotë ato që mendon apo duhet të tërhiqet”, – është shprehur Kongoli vitin e kaluar ndërsa kremtohej ditëlindja e tij e shtatëdhjetë.

Veprat e tij janë të përkthyera në 11 vende të botës, duke e radhitur kështu emrin e Fatos Kongolit si një nga shkrimtarët më të njohur në Europë, pas Ismail Kadaresë.

Librat e tij i gjen të përkthyer në frëngjisht, me mjeshtëri nga Edmond Tupja, me të cilin e ruan bashkëpunimin kahera, por edhe në gjermanisht, italisht etj.

Krijimtarinë e tij e gjen në libraritë e Italisë, Zvicrës, Greqisë, Sllovakisë, Bullgarisë, Francës e Gjermanisë.

Pjesë nga libri

Duke pritur dikë tjetër…

Frenimi im nis sapo hapet dera e apartamentit dhe ajo shfaqet përpara meje. Nga shprehja e fytyrës së saj më krijohet përshtypja sikur kam trokitur në derë të gabuar, sikur gruaja me sy të thellë blu, në mëdyshje nëse duhet të më dëbojë apo të më ftojë brenda, në vendin tim ka pritur dikë tjetër. Ajo nuk më dëbon, unë e di këtë. E di prej shumë ditësh. Por përshtypja sikur në vendin tim ajo ka pritur dikë tjetër, nuk më shqitet. Dhe kur më në fund ajo arrin të sajojë një buzëqeshje më duhet një mundim i madh të shtirem, t’i përgjigjem me të njëjtën buzëqeshje. Kjo nuk më pengon të shkoj pas saj drejt një banaku, ku ulemi përballë njëri-tjetrit, me të vetmin ndërmjetës të aftë për të na mbushur mendjen, qoftë dhe përkohësisht, se as ajo nuk priste dikë tjetër, as unë nuk kisha trokitur në derë të gabuar: një shishe me konjak “Napoleon”.

Më Shumë

Tentim vrasje në Dragash: Dyshohet se dhëndri e ka plagosur vjehrrin

Një tentim-vrasje ka ndodhur sot në Dragash. Dyshohet se dhëndri ka shtënë me armë zjarri në drejtim të vjehrrit të tij. Si pasojë ai ka...

Libri “Ringjallja e baladave” i shkrimtarit nga Shqipëria, Besim R. Cengu, promovohet në Prizren

Libri “Ringjallja e baladave” i shkrimtarit nga Kukësi i Shqipëria, Besim R. Cengu, u promovua në Prizren. Studiuesit i kanë vlerësuar lartë baladat e publikuar...

Lajmet e Fundit