2.9 C
Prizren
E hënë, 23 Dhjetor, 2024

Fëmijët që lypin para në rrugë: Të abuzuar nga prindërit, të shtyrë nga varfëria

Aromën e qofteve dhe vajit të djegur në rrugët e shtruara me kalldrëm pranë shatërvanit në Prizren e shoqëron shpeshherë zëri i fëmijëve që kërkojnë para nga njerëzit e ulur nëpër restorantet e asaj zone turistike.

Pavarësisht temperaturave të larta së fundi, disa fëmijë presin edhe pranë semaforëve për veturat që ndalen në pritje të dritës së gjelbër. Me shishet pa ambalazh e plot shkumë, ata tentojnë t’i bindin ngasësit që t’u japin para në këmbim të pastrimit të xhamave.

Por, këta fëmijë nuk janë kushdo…

Në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit mbi trafikimin e njerëzve në Kosovë, thuhet se cak i trafikuesve në vend janë veçanërisht fëmijët nga komunitetet e margjinalizuara të romëve, ashkalinjve dhe egjiptianëve.

Këtë e ka konfirmuar edhe Ministria e Punëve të Brendshme, e cila drejton Autoritetin Kombëtar Kundër Trafikimit me Njerëz.

Nora Fetoshi, zëdhënëse nga kjo Ministri, ka thënë për REL-in se fëmijët e këtyre komuniteteve “janë të cenueshëm ndaj lypjes së detyruar, por edhe trafikimit seksual”.

Megjithatë, zyrtari për komunikim në Institucionin e Avokatit të Popullit, Petrit Çollaku, thotë se pavarësisht që “fëmij?t romë, ashkali dhe egjiptian mund të jenë më të cenueshëm”, një gjë e tillë nuk mund të vërtetohet “për shkak se pak dihet për numrin dhe profilin e vërtetë të fëmijëve në situatë rruge në Kosovë”.

“Mosidentifikimi i tyre dhe mungesa e të dhënave rreth tyre i bën ata “të padukshëm” para ligjit dhe i privon ata nga gëzimi i të drejtave të garantuara nga legjislacioni në fuqi, përfshirë shërbimet shëndetësore, arsimore dhe sociale. Rrjedhimisht, situata e fëmijëve në situatë rruge në Kosovë përbën shkelje serioze të të drejtave të njeriut”, thotë Çollaku.

Sipas statistikave të dhëna nga Policia e Kosovës, vetëm gjatë periudhës janar-qershor të këtij viti janë identifikuar 41 fëmijë duke kërkuar lëmoshë.

Por, Çollaku thekson se identifikimi i rasteve të tilla nuk është i lehtë.

“Shumë prej tyre janë në lëvizje (migrimi i brendshëm ose ndërkufitar), si dhe disa nuk janë të regjistruar në regjistrat e lindjes ose nuk kanë formë të identifikimit personal”, kanë thënë nga Avokati i Popullit.

Osman Osmani, i cili 22 vjetët e fundit të jetës së tij ia ka kushtuar luftës për ngritjen e cilësisë së jetës së fëmijëve nga këto komunitete, thotë se situata është përkeqësuar gjatë viteve të fundit.

“Në vitet ‘80 apo ‘90, situata nuk ka qenë kësisoj. Ka pasur edhe atëherë varfëri, por ka pasur tepër rrallë familje që fëmijët e tyre i kanë shtyrë t’i bëjnë këto punë. Këto dukuri, fatkeqësisht, unë po i shoh këto dhjetë vjetët e fundit më të theksuara”, thotë Osmani, kryesues i organizatës joqeveritare Nevo Koncepti, që punon për të drejtat e fëmijëve romë, egjiptianë dhe ashkalinj.

Pse këta fëmijë?

Në një qendër ditore për fëmijët në situatë rruge, të menaxhuar nga organizata Terre des Hommes në Prishtinë, rreth 250 fëmijë marrin shujta ushqimore çdo ditë. Rreth 90 për qind e fëmijëve në këtë qendër i takojnë komuniteteve rom, egjiptian dhe ashkali.

Ushqimi i ofruar në një qendër për fëmijët e pastrehë.
Ushqimi i ofruar në një qendër për fëmijët e pastrehë.
Meqë është edhe vetë pjesëtar i komunitetit rom, Osmani thotë se ai është “me të vërtetë i shqetësuar nga kjo gjendje”. Sipas tij, faktorë kyç që kanë sjellë deri në këtë pikë janë varfëria dhe “diskriminimi shumë i gjatë në shoqëri”.

Sipas Zyrës së OKB-së për Drogë dhe Krim, personat që vijnë nga “familje skajshmërisht të varfra, familje jofunksionale, apo pa përkujdesje familjare” mund të shfrytëzohen më së lehti për lypje në rrugë apo punë të detyruar.

Gjendja ekonomike në mesin e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian është përkeqësuar edhe më shumë nga pandemia COVID-19 në Kosovë, sipas një studimi të kryer nga organizata Foleja. Sipas studimit, vetëm rreth 12 për qind e pjesëtarëve të këtyre komuniteteve përfituan nga ndihmat shtetërore për përballimin e COVID-19, ndërsa “shumë persona humbën punën”.

Riza Murati, nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit të Qenieve Njerëzore në Policinë e Kosovës, thotë se pikërisht kushtet e rënda ekonomike dhe sociale në familje janë arsyetimet që dëgjojnë më së shumti gjatë hetimit të këtyre rasteve.

“Këta janë faktorët kryesore që ata [fëmijët] janë në rrugë. Janë kryesisht fëmijë që nuk kanë përkujdesje të duhur nga ana e familjes së tyre, por edhe rrethi. Braktisin shkollën dhe si rrugë e vetme u mbetet të dalin në rrugë”, thotë Murati për REL-in.

Për të identifikuar profilin e fëmijëve në situatë të rrugës në Kosovë dhe identifikimin e arsyeve që i kanë shtyrë ata drejt kësaj situate, zyra në Kosovë e Fondit të Kombeve të Bashkuara për Fëmijë (UNICEF), ka nisur Hulumtimin për Fëmijët në Situatë të Rrugës në Kosovë.

Kush abuzon me këta fëmijë?

Të shtyrë nga varfëria, të dhënat tregojnë se në shumicën e rasteve janë vetë prindërit ata që shtyjnë fëmijët e tyre të dalin në rrugë për të kërkuar lëmoshë.

“Prindërit duhet të kërkojnë ndihmë, mbështetje në institucione, dhe jo t’i përdorin fëmijët për t’i arritur qëllimet e tyre, për të kërkuar lëmoshë apo gjëra të tjera”, thotë Murati, i cili shton se rreth 90 për qind të rasteve të hetuara kanë rezultuar se abuzuesit kanë qenë pikërisht familjarët e fëmijëve.

Sipas Kodit Penal në Kosovë, “kushdo që merr pjesë në trafikimin e njerëzve dënohet me gjobë dhe me burgim prej pesë deri në dymbëdhjetë vjet”.

Megjithatë, Murati sqaron se sipas legjislacioneve në Kosovë, kur fëmijët detyrohen të dalin në rrugë për të kërkuar lëmoshë nga vetë prindërit e tyre, atëherë akuzohen me veprën penale për keqtrajtim të fëmijës.

E për këtë vepër penale dënimi është më i ulët. Sipas Kodit Penal, nëse fëmija detyrohet nga prindi të kryejë punë të papërshtatshme apo të kërkojë lëmoshë, prindi dënohet me gjobë dhe me burgim prej një deri në pesë vjet.

Në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit mbi trafikimin e njerëzve, klasifikimi i këtyre veprave si “neglizhencë apo abuzim nga prindërit” dhe jo trafikim me njerëz, theksohet si njëra ndër kriteret që Kosova nuk e ka përmbushur për t’u listuar në mesin e vendeve që po e luftojnë më së miri trafikimin me njerëz.

Edhe pse edhe vetë i mban prindërit përgjegjës për “mungesën e ndërgjegjes që fëmijët duhet të jenë në shkollë, të shoqërohen e luajnë me moshatarë dhe jo në rrugë, duke kërkuar lëmoshë”, Osmani e ka të vështirë ta gjejë një fajtor të vetëm.

“Është goxha një problem i madh, për të cilin duhet të përkushtohemi dhe të punojmë sepse shpeshherë pyesim kush është fajtor. Por, shpeshherë fajtori është jetim. Fajtor jemi të gjithë”, thotë Osmani.

Çka mund të bëjnë institucionet?

Që nga viti 2001, Osmani ka ecur drejt një qëllimi kryesor: që fëmijët nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian të përfundojnë në bankat shkollore.

“Ne i kemi vizituar familjet në kushte të rënda, fëmijët e tyre, dhe i kemi joshur me aktivitete të ndryshme. Donim që ata thjesht të ishin aty dhe të dëgjojnë dhe shohin se çfarë po ndodh, t’i mësojmë që kjo është mënyra se si duhet të rriten, të jetojnë”, thotë Osmani.

Ai beson që me uljen e numrit të fëmijëve romë, ashkali dhe egjiptianë që braktisin bankat shkollore, do të ulet edhe numri i fëmijëve në situatë rruge.

‘Kam ëndërruar të bëhem mësuese’

Sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), 63 nxënës nga komunitetet ashkali, rom dhe egjiptian braktisën shkollimin fillor gjatë vitit shkollor 2020/21. Radio Evropa e Lirë ka kërkuar të dhëna të përditësuara nga MASHT-i, mirëpo nuk ka marrë përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.

Në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit gjithashtu kërkohet që “në mënyrë të fuqishme, të hetohen, ndiqen penalisht dhe dënohen trafikantët, përfshirë zyrtarët bashkëpunëtorë”.

Murati, nga drejtoria përgjegjëse në Policinë e Kosovës, thotë se “ne po bëjmë përpjekje që t’i largojmë fëmijët nga rruga, por problemi s’mund të zgjidhjet vetëm me Policinë”.

Ai thekson se viktima janë shpeshherë të njëjtit persona, duke thënë se tashmë i njohin me emra disa prej tyre. Sipas tij, kjo tregon se shërbimet sociale nuk po e bëjnë punën e tyre siç duhet.

“Duhet të kemi reagim më të fuqishëm nga ana edhe e shërbimeve sociale, që ato familje [në nevojë] duhet të jenë në përkujdesje sociale, pastaj edhe nga shkollat që ata fëmijë të jenë në shkollë”, thotë Murati.

Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, mirëpo nuk ka marrë përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.

Nga Avokati i Popullit thonë për REL-in se përfaqësuesit e Qendrave për Punë Sociale janë ankuar se problem në punën e tyre me fëmijët në situatë rruge paraqet edhe “mungesa e kapaciteteve njerëzore, profesionale dhe financiare nga ana e organizatave përkatëse”.

Edhe Departamenti amerikan i Shtetit ka theksuar që duhet të “rritet mbështetja qeveritare për shërbime gjithëpërfshirëse të trajnimit profesional dhe riintegrimit të viktimave”.

Murati thotë se nëse të gjitha organet institucionale veprojnë së bashku, atëherë mund të “ulet numri i viktimave, apo të mos ketë asnjë fare”. Por, ai thotë se një rol në këtë bashkëveprim mund ta luajnë edhe vetë qytetarët.

Çka mund të bëjnë qytetarët?
Të përballur me fëmijë që kërkojnë lëmoshë kur janë të ulur nëpër tavolina buke të restoranteve, teksa ecin rrugëve e teksa ngasin veturat, Murati thotë se qytetarët kanë filluar të bëhen imunë ndaj situatës së fëmijëve në rrugë.

Megjithatë, ai thotë se edhe qytetarët mund të ndihmojnë në përmirësimin e situatës duke mos iu dhënë atyre para dhe pastaj duke i raportuar rastet në Policinë e Kosovës.

Dy djem të rinj teksa lypin para në këmbim të muzikës në rrugët e Prizrenit, Kosovë.
Dy djem të rinj teksa lypin para në këmbim të muzikës në rrugët e Prizrenit, Kosovë.
Edhe vetë Osmani, i cili ia ka dedikuar më shumë se dy dekada të jetës së tij punës për t’i ndihmuar këta fëmijë, ia ka vënë vetes këtë qëllim: të mos u japë atyre para.

“Duhet të ndihmohen të varfrit, por unë po mundohem të mos u jap atyre të holla. Sepse kur u jep atyre të holla, nesër prapë do t’i shohësh në të njëjtin vend, e pastaj pasnesër prapë do t’i shohësh në të njëjtin vend”, thotë Osmani.

Ai thotë se vetë komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian mund të ndihmojnë në luftimin e kësaj dukurie duke përkrahur shembujt e suksesit: fëmijët që kanë dalë nga situata të vështira socio-ekonomike dhe kanë arritur suksese të ndryshme.

“Me shembull pozitiv mund të ndikohet te të rinjtë, te fëmijët, por edhe te prindërit për të arritur deri te një ndryshim”, thotë Osmani.

Për të, tani ka ardhur “momenti i fundit që duhet të merren masa më serioze”.

Më Shumë

Neymari thotë se ai dhe Messi u trajtuan padrejtësisht nga fansat e PSG-së

Neymari ka folur së fundmi se si e kishin trajtuar fansat e Paris Saint-Germainit atë dhe Lionel Messin sa kishin qenë te ky klub. “Dy...

Suhareka hap dyert për mërgimtarët, siguron parkingje falas për festat e fundvitit

Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj ka marrë vendim që tri parkingje të vihen në shërbim të mërgimtarëve gjatë festave të fundvitit. Ai ka...

Lajmet e Fundit