11.8 C
Prizren
E mërkurë, 1 Maj, 2024

Ferdinand Shkalla: Pse e kritikuam Kadarenë për “Dimrin”

FIsmailKadare6-30erdinand Shkalla, në kohën kur Ismail Kadare botoi romanin “Dimri i vetmisë së madhe”, ka qenë kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Elbasanit. Siç dihet, një nga kritikat e para për romanin e njohur që tregonte divorcin sovjetiko-shqiptar erdhën pikërisht nga ky qytet. Shkalla është njeriu që shkroi telegramin e parë nga Elbasani, ku pos të tjerash ankoheshin për Kadarenë, duke “përcjellë disa vërejtje të rinisë dhe intelektualëve elbasanas për veprën ‘Dimri i vetmisë së madhe’ të shkrimtarit Ismail Kadare”. Sot, shumë vite pas asaj letre, Shkalla vjen në një rrëfim për “Gazeta Shqiptare”, ku tregon pse e shkroi letrën, cilat ishin qëllimet, çfarë u bisedua me Enver Hoxhën atje dhe pse ky i fundit nuk e hoqi nga qarkullimi romanin.

Z. Shkalla, ju keni qenë kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Elbasanit më 1973-shin. Si e mbani mend kohën kur u botua “Dimri i vetmisë së madhe”?

Unë kam qenë ndër të parët që e kanë lexuar romanin. Në fakt, atë kohë lexohej shumë edhe nga rinia. Ai u shit shumë shpejt dhe bëri bujë të madhe. Mbas leximit të ndonjë libri të ri, gjithnjë debatohet për të nga rrethet e ndryshme, shkëmbenim mendime. Në përgjithësi romani u pëlqye.
Pse iu dërgua telegram Enver Hoxhës për pakënaqësitë?

Ne raportonim për çdo gjë që ndodhte. Kështu, atë ditë unë duhej të çoja në Tiranë një telegram për këto probleme: e para, ecuria e punimeve në Kombinatin Metalurgjik; e dyta, për cilësinë e prodhimeve të llambave të Vlorës, pasi llambat prodhim shqiptar u dogjën të gjitha brenda natës; dhe së treti përcollëm edhe disa vërejtje të rinisë dhe intelektualëve të Elbasanit për romanin e Ismail Kadaresë “Dimri i vetmisë së madhe”. Telegrami qe firmosur nga unë. Më pas kaloi nga eprori im, i cili ishte një njeri i mirë, i quajtur Jashar Menzelxhiu. Ai ishte Sekretar i Komitetit të Partisë në Elbasan. Mbasi e lexoi, Jashari shtoi me shkrim dore te pika 3, ku unë flisja për romanin: “Jemi të mendimit që romani të hiqet nga qarkullimi”. Ai në fakt, kishte biseduar me disa politikanë të rëndësishëm të Tiranës, që e kishin kritikuar romanin tepër dhe sipas mendimit të tyre, ai shtoi këtë fjali.
Telegrami shkoi në Tiranë me këtë formë; ju, morët përgjigje?

Ne morëm përgjigje për dy pikat e para; për ecurinë e punimeve në Kombinatin Metalurgjik dhe për cilësinë e prodhimeve të llambave të Vlorës. Na sugjerohej që të përvetësonim teknologjinë sa më shpejt dhe të mos linim të iknin specialistët kinezë pa e përvetësuar ne teknologjinë. Ndërkohë, ne nuk duhej të shfaqnim asnjë shenjë pakënaqësie politike apo ankese ndaj kinezëve.

Kur e morët përgjigjen për romanin e Kadaresë?

Ato ditë do të bëhej një mbledhje në Elbasan. Nga Tirana ne prisnim të vinte Kadri Hazbiu. Por një ditë para takimit, Jasharin e mori në telefon Haxhi Kroi, njeriu që rrinte në paradhomën e Enver Hoxhës. Kroi i tha Menzelxhiut që të nesërmen të dilte ta priste në kilometrin e 29-të. Ne e kuptuam që nuk do të vinte Hazbiu, por Hoxha.

Çfarë tha Hoxha në Elbasan?

Në mbledhje merrnin pjesë gjyqtarë, prokurorë, sekretarë partish të Elbasanit, Librazhdit e Gramshit, kryetarët e komiteteve ekzekutive etj. Në atë mbledhje ne ishim rreth 40 vetë. Hoxha nuk foli gjatë mbledhjes. Në pushim dolëm nga salla dhe ai vuri pak duhan në çibukun e tij e filloi ta pinte. U krijua një situatë e tillë që ne të gjithë po bisedonim lirshëm. Atëherë e pyetëm nëse romani i Kadaresë do të hiqej nga qarkullimi. Dhe Hoxha tha: “Ismaili është një shkrimtar i ri dhe i talentuar. Edhe ndonjë gabim që e ka bërë, do ta korrigjojë duke shkuar në Uzinën e Autotraktorëve. Por në libër del qartë forca dhe lufta e Partisë kundër revizionizmit hrushovian. Edhe njerëz që nuk kanë qenë të bindur për gabimet e Hrushovit, siç ka qenë Liri Belishova, i kemi mbrojtur, pasi nuk donim t’ua jepnim sovjetikëve. Ju këto nuk i dini, por do i mësoni kur t’i botojë Partia. Ne nuk mund ta nxjerrim romanin nga qarkullim, sepse sovjetikët do të thonë, ‘vetë e pështynë e vetë po e lëpijnë'”. Me këtë ai iu dha përgjigje disa anëtarëve të Partisë që kishin kritikuar romanin.

Po ju, pse e kritikuat librin dhe pse e nisët telegramin? A nuk menduat se Kadare mund të dëmtohej apo dënohej?

Vërejtjet e kohës qenë të ndryshme. Disa e shihnin romanin si një vepër antisocialiste, disa thoshin se në vepër del keq rinia e Rrugës së Dibrës, pra përflitej në mënyra të ndryshme. Ne duhej të përcillnim që të gjitha shqetësimet dhe atë kohë në Elbasan flitej për romanin. Ne duhej të raportonim edhe për djegien e një mullari me bar apo për vonesën e bukës nga kooperativa.

Po a është e mundur që gjimnazistët të mund të gjykojnë një vepër të tillë letrare, aq sa ju të përcillnit shqetësimet e tyre?

Gjimnazistët atëkohë lexonin shumë dhe, përveç kësaj, bënin orë mësimi për marksizëm-leninizmin. Pra kuptonin shumë mirë se çfarë ndodhte. Por, unë duhet të them se nuk ankoheshin vetëm gjimnazistët, por edhe intelektualët, si mësuesit e inxhinierët. Ne nuk donim të dënohej Kadareja, as që menduam se do të kishte probleme. Ne e donim atë si shkrimtar.

Ju, e keni takuar ndonjëherë Kadarenë?

Jo, nuk e kam takuar asnjëherë. Unë madje mendoj se do ta fitojë Nobelin. Tek e fundit ai e meriton dhe ne si shqiptarë na bën mirë që një Nobel të vijë ne Shqipëri. Ai është shkrimtar i madh.

Më Shumë

Aktori i njohur i humorit pranon Islamin?

Rezart Veleshnja, një ndër aktorët më të njohur të humorit, afirmuar e bërë emër në Portokalli, për të vijuar më pas në performanca të tjera...

Dënohen Ballkani e dy zyrtarë, po edhe trajneri i Dritës

Klubi i Ballkanit është dënuar me gjobë 1200 euro, videoanalisti i FC Ballkanit, Ardi Kabashi me gjobë prej 500 euro dhe zyrtari i Ballkanit,...

Lajmet e Fundit