7.8 C
Prizren
E enjte, 8 Dhjetor, 2022

Flakët jashtë kontrolli, mijëra qytetarë ikin nga Greqia e Turqia

Të paktën 56 vatra janë ende aktive nëpër vend, nisur nga Peloponezi në veri deri te ishulli Evia afër Athinës, ku me qindra persona janë evakuuar me anije. “Situata është jashtëzakonisht e rrezikshme”, ka thënë zëvendësministri grek i Mbrojtjes Civile, Nikos Hardalias

Forcat policore kanë trokitur derë më derë të premten, duke i nxitur banorët që të braktisin shtëpitë e tyre në veri të Athinës derisa ekipet e emergjencës kanë luftuar për ta shmangur përhapjen e zjarreve në më shumë qytete, pasi erërat e forta i ashpërsuan flakët që e kapluan Greqinë për të katërtën ditë radhazi.

Greqia, sikurse pjesa më e madhe e Evropës, është ballafaquar me mot ekstrem këtë verë.

Vala më se njëjavore e vapës – më e keqja në më se 30 vjet – u ka dhënë hov disa vatrave të zjarrit nëpër vend, duke djegur shtëpi dhe kafshë gjatë shtrirjes përgjatë një territori prej mijëra hektarësh.

Të paktën 56 vatra janë ende aktive nëpër vend, nisur nga Peloponezi në veri deri te ishulli Evia afër Athinës, ku me qindra persona janë evakuuar me anije.

“Zjarri në Atikë përbën rrezik të madh. Është i paparashikueshëm”, ka thënë shefi i federatës greke të zjarrfikësve, Dimitris Stathopoulos, duke iu referuar rajonit të gjerë që përfshin kryeqytetin.

Zjarri që ka shpërthyer të martën ka vazhduar të digjet deri në autostradën kryesore që e lidh Athinën me Greqinë veriore.

“Situata është jashtëzakonisht e rrezikshme”, ka thënë zëvendësministri i Mbrojtjes Civile, Nikos Hardalias.

Një burrë 38-vjeçar ka mbetur i vdekur të premten, si pasojë e rënies së shtyllës elektrike në veri të Athinës. Ndërkaq në Turqinë fqinjë autoritetet po e vazhdojnë betejën kundër zjarreve më të rënda ndër dekada. Flakët që janë përhapur në brigjet jugore detare kanë detyruar evakuimin e dhjetëra mijëra personave. Në Itali erërat e ngrohta kanë nxitur zjarre në ishullin e Sicilisë, gjatë kësaj jave.

Gjendja me zjarre në Greqi dhe Turqi, por edhe në pjesë të shumta të Evropës Jugore, është rënduar si pasojë e vapës së pashembullt.

Temperaturat mbi 40 gradë celsius kanë mbizotëruar gjatë gjithë javës në rajon.

Ndonëse të premten temperaturat në disa pjesë të Greqisë kanë rënë nën 40 gradë celsius, për të parën herë pas afro dhjetë ditësh erërat e forta që parashihen rrezikojnë që t’i vështirësojnë përpjekjet për vënien e zjarreve nën kontroll.

Më Shumë

Sokol Halili, i dyshuari për vrasjen e gruas shtatzënë ka vrarë veten

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka bërë të ditur se pas një pune intensive të të gjitha njësiteve të Policisë së Kosovës...

Sot varroset futbollisti i Trepçës 89 dhe Kosovës, vdiq dje në fushë nga sulmi kardiak

Erion Kajtazi, lojtari i Trepçës 89 dhe Kombëtares së Kosovës U17 do të varroset sot në orën 14:30. Varrimi do të bëhet në fshatin Zasellë. Lajmin...

Lajmet e Fundit