4 C
Prizren
E enjte, 11 Dhjetor, 2025

Frika e Elitave nga Vetëvendosja Politike

Albatros Rexhaj

Në demokracitë e brishta, momentet kur institucionet politike duhet të marrin vendime të vështira kanë një vlerë matëse të jashtëzakonshme. Ato tregojnë jo vetëm funksionalitetin e procedurave, por edhe karakterin e elitave që udhëheqin vendin. Episodi i fundit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve ka ekspozuar pikërisht këtë dimension të pandryshuar të politikës kosovare: frikën e sistemit nga përgjegjësia.

Për të certifikuar një subjekt politik duhen gjashtë vota pozitive. Dhe megjithëse vëmendja publike është fokusuar tek dy votat kundër të përfaqësuesve të Lëvizjes Vetëvendosje, e vërteta e zhveshur është shumë më e thjeshtë: moscertifikimi i Listës Serbe nuk po ndodh për shkak të një kundërshtimi të artikuluar, por për shkak të mungesës së guximit. Partitë tjera shqiptare nuk po votojnë pro certifikimit, jo sepse kanë një qëndrim të qartë politik, por sepse përpiqen, siç shpesh bëjnë elitat e pasigurta, të ulen në dy karrige njëkohësisht.

Abstenimi është forma më moderne e shmangies së përgjegjësisë në demokracitë e dobëta. Ai i lejon aktorët politikë të pozojnë para ndërkombëtarëve si njerëz të moderuar dhe të arsyeshëm, ndërsa në publik të shfaqen si kundërshtarë të rreptë të një vendimi të papëlqyer. Është formula perfekte për ata që duan të duken se po marrin vendime pa marrë kurrë asnjë.

Kjo sjellje nuk është rastësi. Ajo është simptomë e një fenomeni tashmë të parë në Poloni, Hungari, dhe në çdo vend ku partitë tradicionale braktisin detyrimet e tyre morale në emër të kalkulimit politik. Kur elitat frikësohen nga kostot e së vërtetës, institucionet shndërrohen në skenografi: duken si funksionale, por nuk mbajnë peshë.

Nëse partitë tjera shqiptare do të besonin realisht se qëndrimi i LVV-së po rrezikonte marrëdhëniet e Kosovës me partnerët ndërkombëtarë, atëherë detyra e tyre do të ishte e qartë: të votonin pro certifikimit. Votimi i tyre do ta izolonte qëndrimin e Vetëvendosjes, do t’i dërgonte sinjal të qartë aleatëve se Kosova është e aftë të ruajë koherencë institucionale, dhe mbi të gjitha do ta demonstronte aftësinë për të marrë vendime të vështira.

Por ata nuk e bëjnë. Dhe arsyeja është e thjeshtë: e dinë shumë mirë se kur të hiqen të gjitha maskat politike, rezistenca ndaj Listës Serbe, si instrument i vazhdueshëm i ndikimit shtetëror nga Serbia, është politikisht, etikisht dhe institucionalisht e drejtë.

PZAP, një trup gjyqësor i pavarur që nuk i nënshtrohet kostove elektorale të vendimeve të tij, mund ta përmbysë vendimin e KQZ-së. Kjo nuk ndryshon asgjë. Gjykatësit nuk konkurrojnë në zgjedhje; partitë po. Dhe është pikërisht frika nga kostoja politike që i shtyn partitë tona të mos veprojnë ashtu siç besojnë se duhet.

Në thelb, kjo është kriza reale e demokracisë kosovare: jo polarizimi, jo ndërhyrja e jashtme, jo as Lista Serbe. Problemi është mungesa e guximit politik. Sepse një vend që nuk prodhon elita të përgjegjshme, të afta të mbajnë peshën e vendimeve të vështira, nuk mund të presë shumë nga institucionet e tij.

Dhe prandaj pyetja që shtrohet nuk lidhet me zgjedhjet e 28 dhjetorit, as me përplasjen e radhës me ndërkombëtarët, por me një të ardhme shumë më të gjerë: çfarë ndodh nesër, kur këto parti të cilat sot fshihen pas abstenimit, të detyrohen të qeverisin? Kur të kërkohet një vendim i vështirë për sigurinë ose rendin kushtetues, a do të kenë guximin të veprojnë? Apo do të kërkojnë përsëri një gogol tjetër për ta fajësuar për mungesën e qëndrimit?

Kosova nuk e ka luksin e një demokracie pa përgjegjësi. Dhe abstenimi i sotëm është paralajmërimi i qartë i asaj që mund të vijë.

 

Më Shumë

2.5 milionë euro për Qendrën Kulturore në Rahovec dhe gati 1 milion për atë Turke në Mamushë – Kurti inspekton punimet

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka vizituar sot komunat e Rahovecit dhe të Mamushës për të parë nga afër ecurinë e punimeve në dy...

LDK-ja në Prizren prezanton listën e kandidatëve për zgjedhjet e 28 dhjetorit

Lidhja Demokratike e Kosovës, dega në Prizren, ka prezantuar listën e kandidatëve që do të garojnë në zgjedhjet e 28 dhjetorit, duke i cilësuar...

Lajmet e Fundit