Gashi: MKRS-ja përkrahëse e programeve për rritjen e kapacitetit të bibliotekave

Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani”, ka nisur sot edicionin e 17-të të Javës së Bibliotekës me temën “Programi Kombëtar i Arsimimit Bibliotekar.

Në këtë ceremoni ishte i pranishëm edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, i cili njoftoi se këtë edicion të Javës së Bibliotekës, programet e të cilit po zhvillohen në shumë komuna të Kosovës, MKRS-ja po i përkrah financiarisht.

Ai po ashtu tha se ndihet i nderuar me pjesëmarrjen e tij në hapjen e edicionit të 17-të për të diskutuar rreth mundësive të përkrahjes së këtij institucioni të rëndësishëm të grumbullimit, të ruajtjes dhe të përpunimit të trashëgimisë së shkruar e jo të shkruar.

“Duhet folur zëshëm dhe ne po punojmë e po veprojmë në këtë drejtim, që derisa revolucioni i informacionit i ka vënë në presion të madh bibliotekat tona, t’i ndihmojmë ato për të përgatitur infrastrukturën e përshtatshme, që të gjejnë rrugën e tyre të duhur në këtë ndarje dramatike teknologjike, që të mund të ushtrojnë ndikimin e tyre jo vetëm në fushën e dijes për informacionin, por të kenë fuqinë e ndikimin arsimor, kulturor e social”, u shpreh ai.

Gashi po ashtu tha se këtë vit flitet për hapa konkretë që janë ndërmarrë për krijimin e një programi që do të rrisë edhe më shumë kapacitetin e bibliotekave në Kosovë, duke përmendur këtu përkrahjen e Qeverisë së Kosovës e të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Ndërkaq, drejtori i Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani”, Fazli Gajraku tha se “Biblioteka Kombëtare pas shumë vështirësive po bën hapjen e bibliotekës digjitale. Kjo bibliotekë do shërbejë për ruajtjen e trashëgimisë së shkruar të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës”.

Në këtë ceremoni ishte i pranishëm edhe kryekuvendari Kadri Veseli, i cili u shpreh i lumtur me lansimin e projektit të digjitalizimit të bibliotekave.

“Ky projekt iu ndihmon studentëve tanë që të jenë të barabartë, që në mënyrë digjitale të trajtojnë literaturë e cila është e nevojshme për studimet e tyre”, tha ai

Më Shumë

Sot moti me diell dhe vranësira, temperaturat maksimale shkojnë deri në 30 gradë

Sot parashikohet të mbajë mot me diell dhe vranësira, ndërsa në ndonjë rajon pritet të ketë rrebeshe të izoluara shiu, të shoqëruara me disa...

Kosova mirëpret çlirimtarët, historia tashmë ka folur

Qazim Thaçi Tashmë, siç duket, janë konsumuar pothuajse të gjitha pretendimet kundër ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup...

Lajmet e Fundit