10.8 C
Prizren
E enjte, 25 Prill, 2024

Gjashtë fëmijë po i vdesin për bukë familjes Morina nga Malisheva

Familja Morina nga Lubizhda e MalishevesCa lot rrjedhin shpejt mbi fytyrën e Admirit trevjeçar, djalit më të vogël të familjes Morina në Lubishtë të Malishevës. Një bukë e vetme (rreth treqind gramë në tregun e Kosovës), e ndarë në gjashtë pjesë, nuk mjaftoi për një mëngjes të bollshëm për të dhe katër motrat e vëllain e tij. Ai nuk është ngopur, buka s’i ka mjaftuar, e qumështin ka ditë që se ka kërkuar me gojë.

Të zbathur, të sëmurë, në një shtëpi të pambaruar me lagështirë e gjysmë kulm, që e lejon shiun të depërtojë në shtretërit e tyre, gjashtë fëmijë (të moshës 14, 13, 11, 8, 5 dhe 3 vjet) në Lubishtë të Malishevës, po vdesin urie.

Trupat e dy prindërve të tyre, Hafir dhe Hidajete Morina, tashmë janë shndërruar në skeletë. Ata nuk hanë ushqim, ndodh dy ditë e më shumë, duke e kursyer bukën për fëmijët e tyre, që t’ua japin ditëve të tjera kur askush s’ju jep miell pa pagesë.

“Vendosa: nëse nuk do të gjeja një thes miell me iu qu fëmijëve bukë në shtëpi ku më prisnin, të vritem, dhe jo vetëm. U nisa për shtëpi të marrë gruan dhe gjashtë fëmijët dhe të shkojë tek Ura e Fshejtë e të hidhemi. Nuk na duhet më asgjë jeta”, rrëfen Hafiri për “Zëri” përditshmërinë e zhytur në varfëri.

“Pasha këtë ditë të parë të muajit të shenjtë të Ramazanit, ka javë dal me lyp miell s’na jep kush, as do markete të mëdha ”, thotë ai.

Shqetësimi nga pak po ikën nga fytyra e fëmijëve të kësaj familje. Tani një thes miell hyri në shtëpinë e tyre. Por, qumësht nuk ka për vogëlushin. Qumështi është luks për të. Edhe kur dikush iu jep një litër qumësht e që ndodh rrallë, atij nuk i servohet nga e ëma me shijen e tij të plotë: ia përziejnë me ujë, pak sheqer, që t’i bëjë më gjatë!

“Nëse ne hamë sot me fëmijët, nesër fëmijët s’kanë çka hanë. Kështu që ne bukën tonë e ruajmë për ta. Dhe ndodh shkon një ditë e dy që ne nuk ushqehemi me gruan”, thotë Hafiri.

Hafiri ka shitur 34 ari tokë sa kishte gjithsej, për të ndërtuar shtëpinë që nuk u mbarua kurrë, sepse një ari për shpejt e shiti nga 150 euro dhe parat nuk i mjaftuan. Për të ndalur shiun nga gjysmë-kulmi, ata kanë vënë kova në tavan, por bora nuk arrihet të ndalet.

Hafiri i falënderohet Zotit për motin e mirë që ka marrë dimrit, përndryshe druhet se i kishin vdekur fëmijët nga të ftohtit.

Djali i vogël Admiri vuan nga “bruhi”.

“Këtu në Malishevë shkova, se çdo të enjte vjen mjeku. Kur shkova më tha duhet 30 euro. I thash nuk kam, por më hjeku qafe dhe nuk ma bëri djalin synet”, thotë ai duke treguar se tash djali ka pengesa në urinimin ose nuk urinon me ditë të tëra.

Edhe barërat që mjekët e Prishtinës ia kanë rekomanduar për djalin, thotë se nuk ia ka blerë. /Zëri/

Të gjithë ju që dëshironi të ndihmoni Familjen Morina, telefononi në numrin 044 567 636 dhe kontaktoni direkt me zotri Hafir Morinën. Mirëpo për çdo pa qartësi ju mund të kontaktoni edhe në numrat e redaksisë “Zëri”, në 038 222 451, 038 249 071 si dhe në 044 951 515.

Më Shumë

Liria në shtëpi pret Dukagjinin

Në Prizren, Liria tashmë e dorëzuar e pret Dukagjinin e Klinës që synon fitore pas barazimit në xhiron e kaluar me Llapin. Vendasit nuk e...

Kurti vazhdon ta mbajë banesën 67 metërshe, deklaron 1.551 euro në bankë e kredinë deri në 2052-në

  Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka deklaruar pasurinë e tij në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit. Kreu i qeverisë ka deklaruar se pasuri të...

Lajmet e Fundit