11.8 C
Prizren
E premte, 26 Prill, 2024

Gjiknuri: Një treg energjetik me Kosovën, çdo koncesion do të rishikohet

GjiknuriMinistri i Energjetikës dhe Industrisë, Damian Gjiknuri thotë se një numër çështjesh janë në tryezë për diskutime me Kosovë, hidrocentrali i Zhurit, TEC-i i ri, TAP-i dhe linja e interkonjeksionit financuar nga gjermanët e KF-së. Ministri thekson se po punohet gjithashtu për të rishikuar çdo koncesion në Shqipëri dhe për të vendosur se çfarë do të bëhet me Albpetrolin.

RADIO KOSOVA: Zoti Ministër, bashkëpunimi Shqipëri-Kosovë është një ndër çështjet kryesore të axhendës së kryeministrit socialist, Edi Rama. Çfarë mendoni për zgjidhje, në rastin më konkret, nëse përballeni me një problem siç është ndërtimi i linjës së interkonjeksionit ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës? Ka pasur një çështje të hapur me bankën gjermane “KfW”. Kemi ndonjë zhvillim në këtë drejtim?

DAMIAN GJIKNURI: Kemi vetëm zhvillime pozitive. Procedura me KfW-në po shkon drejt fundit. Tani, mesa di unë, është përcaktuar edhe kontraktori final. E njejta gjë ka ndodhur edhe nga pala kosovare. Pritet vetëm nënshkrimi i kontratave dhe fillimi i punimeve. Kështu që, mendoj që ky projekt i rëndësishëm që do të lidhë të dy vendet me kapacitetet e nevojshme për të shkëmbyer energji – do të jetë i plotë, i gatshëm dhe funksional brenda afateve që ka përcaktuar kontrata. Unë nuk shoh asnjë problem. E kemi thënë që nuk duam që të humbasim shumë kohë në këtë drejtim”.

RADIO KOSOVA: Zoti Gjiknuri, për çdokënd që nuk i përket fushës së energjetikës, a mund të na thoni se çfarë do të zgjidhë linja ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës? Ju përmendët kapacitete. A janë kapacitete që lidhen me financat apo janë kapacitete teknike, pra që lidhen me karakteristikat e tejpërçuesit, pra kapacitete energjetike?

DAMIAN GJIKNURI: Janë kapacitete energjetike. Kjo do të thotë që krijohet mundësia e import-eksportit apo shkëmbimit të energjisë mes të dy vendeve në sasira më të mëdha, duke kombinuar avantazhet e krahasuara që ka Shqipëria dhe Kosova në këtë drejtim. Kjo do të çojë drejt asaj që ne e kemi synim, të krijimit të një lloj tregu të përbashkët energjetik ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës.

RADIO KOSOVA: Më lejoni edhe një shtesë të vogël! Sa është sasia që mund të përballojë kjo linjë dhe e këmbyer në terma financiarë? Sa do të përfitojnë buxhetet, natyrisht të Shqipërisë dhe të Kosovës?

DAMIAN GJIKNURI: Nuk është probemi në terma financiarë. Kapacitetet 400 kilovoltë do të thotë që ka kapacitet për sasi të mjaftueshme që rrjeti të mos mbingarkohet kur ka nevojë për pikun, për përdorimin në kohën e pikut. Në terma financiarë do të thotë që në momentin që ke hapësira shkëmbimi, nuk pse i drejtohesh rrugëve të tjera të interkonjeksionit si me Malin e Zi apo me vendet të tjera, por mund të shkëmbesh energji me Kosovën. Kështuqë, nga kjo pikëpamje siguria energjetike është më e rëndësishme se gjithçka.

RADIO KOSOVA: Përsa i përket ndërthurjes së sistemeve elektroenergjetikë të Shqipërisë dhe të Kosovës, për shkak edhe të burimeve, pra Kosova me thëngjill dhe Shqipëria ujor, ku mund të punohet? A është legjislacioni parësor, apo është përshtatshmëria e ekspertëve të fushave përkatëse? Si ta kemi një zgjidhje që mundësia nëse mund shprehemi kështu, e “depozitimit” të transmetimit të energjisë të jetë më e garantuar?

DAMIAN GJIKNURI: Tani, vetëm energjiia nuk depozitohet dhe kësaj nuk kemi ç’t’i bëjmë. Unë e thashë, që kur themi “avantazhet e krahasuara”, Kosova ka mundësi të prodhimit nëpërmjet linjitit të saj. Pra, Kosova prodhon në periudhat e pikut, në periudha kur kërkesa është e lartë. Kosova, sidomos edhe me ndërtimin e TEC-it (Termo Elektro-Central) të ri në perspektivë, do të ketë sasi të mjaftueshme, madje të mëdha energjie, të tepërta, të cilat mund t’i tregtojë në Shqipëri dhe anasjelltas. Që, ose rezervat tona hidroenergjetike në periudhat kur ka prodhim, mund të shkëmbehen me palën kosovare, duke krijuar atë që thamë – një lloj tregu të përbashkët. Do të thotë, që këto dy hapësira, të fillojnë të jenë eficente nga pikëpamja energjetike dhe të mos jenë të varura shumë nga importet në energji. Kjo është më e rëndësishmja. Kjo është strategjike për të dy vendet tona dhe prandaj edhe krijimi i kësaj hapësire ka avantazhe të mëdha për të dy vendet.

RADIO KOSOVA: Zoti Gjiknuri, çështja e gazsjellësit TAP (Trans Adriatik Pajplajn) ka qenë vendimtare dhe përparësore për disa qeveri të Shqipërisë, pa u ndarë në kohë. Natyrisht, që përfshirja e Kosovës ka qenë përparësi edhe gjatë vizitave dhe takimeve Tuaja, pavarësisht se jeni ministër i ri. Pra, ka vazhduar e njëjta linjë. Çfarë duhet bërë konkretisht që Kosova të përfshihet pastërtisht në këtë projekt? E kam fjalën për kapacitetet e transmetimit të gazit, të shtrirjes së tubacioneve të gazit apo edhe lidhjen me të quajturën Unaza e Jugut, përfshi projektin tjetër të gazit IAP (Jonian Adriatik Pajplajn)?

DAMIAN GJIKNURI: E vërteta është që një projekt i tillë është i shtrenjtë. Është shumë i rëndësishëm edhe për Kosovën që të gazifikohet dhe të futet në linjën e konjeksionit me TAP-in që do të vijë në Shqipëri. Ne po punojmë edhe në drejtimin për të ndërtuar apo të paktën për promovuar edhe projektin IAP ku futet edhe Mali i Zi edhe Kroacia. Dhe, kështu krijohet mundësia e lidhjes më të shpejtë për Kosovën. Kuptohet këto janë projekte që kërkojnë financime të mëdha nga mbrapa. Ne po punojmë për një koncept biznesi duke ofruar partnerë strategjikë. Dhe, në momentin që Shqipëria do të ketë një partner strategjik, që do të marrë përsipër edhe interesin për tregun e gazit në Shqipëri, besoj se do ta promovojmë, se do të jemi shtytës të hedhjes së idesë për lidhjen dhe shtrirjen e lidhjes së gazsjellësit edhe drejt Kosovës, duke shfrytëzuar mundësitë potenciale që ka tregu kosovar, sidomos industria. Kuptohet ky është një projekt që kërkon kohë, kërkon financime, por mbi të gjitha kërkon një investitor strategjik që ta marrë përsipër dhe të jetë ai “stake holder”-i kryesor, i interesuari kryesor, për ta zhvilluar këtë projekt, sepse po t’ia lësh buxheteve të dy vendeve tona, kjo gjë do të kërkonte shumë kohë dhe është shumë e vështirë nga ana financiare.

RADIO KOSOVA: Hiderocentrali i Zhurit, zoti Ministër, ka qenë një çështje përgjithësisht problematike, për shkak të ndërtimit të bazenit të ujit në Kosovë, që mund të sjellë përmbytje në disa fshatra të zonës së Kukësit. A keni vendosur kontakte me Qeverinë e Kosovës për këtë problem? Mbi të gjitha, a është funksionale marrëveshja me ish-Jugosllavinë për trajtimin e ujërave, nëse nuk gaboj marrëveshje e viteve ‘60? Pra, qëndron kjo marrëveshje, a mund të zgjidhë gjë kjo marrëveshje apo ka nevojë për marrëveshje të re?

DAMIAN GJIKNURI: Në fakt, kjo është një çështje që do ta diskutojmë me qeverinë kosovare në vazhdim. Ne po bëjmë një vlerësim paraprak të problemit. Por, e kemi lënë që me palën kosovare, me të cilën kemi një marrëdhënie shumë të mirë, me vetë ministrin Ismaili (Fadil Ismajli, Ministër i Zhvillimit Ekonomik, i emëruar më 16 maj 2013, ish-drejtori Ekzekutiv i Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës., shën.i gazetarit), në lidhje edhe me këtë çështje, për të gjetur një zgjidhje më të mirë të mundshme për të dy vendet tona, për të mos krijuar impakte reciproke te njeri-tjetri. Kështu që edhe pyetjet që ju bëtë, do të gjejnë përgjigje në kuadrin e kësaj marrëveshjeje që ne do të disponojmë me palën kosovare dhe zgjidhjeve që ne do të ofrojmë.

RADIO KOSOVA: Në këtë mundësi, a përfshihet edhe qenia e Shqipërisë, pjesë investuese në këtë projekt? Ka qenë një lloj ideje kohë më parë. A qëndron kjo?

DAMIAN GJIKNURI: Ne jemi duke i parë të gjitha mundësitë fizibël të këtij projekti. Qoftë në Zhur, qoftë edhe potencialisht përfshirja e Shqipërisë si pjesë investuese në TEC-in e ri të Kosovës. Por, këto janë gjëra që duan kohë, duan projekte konkrete, duan një lloj fizibiliteti financiar. Këto janë gjëra që ne jemi duke i diskutuar dhe do t’i disktuojmë me palën kosovare, për të dalë me disa propozime konkrete. Tani është shumë shpejt për mua për të thënë se, cila do të jetë zgjidhja më optimale dhe më e shpejta.

RADIO KOSOVA: Vjeshta, zoti Gjiknuri, ka nisur të themi mesa duket mirë, pra nuk kemi ndonjë “fushatë” shirash të rrëmbyeshëm që mund të shkaktojnë probleme në kaskadën e lumti Drin të ngarkuar me hidrocentrale. Çfarë është bërë me qeverinë maqedonase, kryesisht për të ruajtur nivelin e ujërave, pra për të mos hapur portat e lumit Drin nga Liqeni i Ohrit, në Strugë, që e shkarkon të gjithë ujin me rrëmbim deri në pjesën e Shkodër-Lezhës? Keni ndonjë ide paraprake se si mund t’i shmangeni problematikave të kaluara, pra qartësisht përmbytjeve?

DAMIAN GJIKNURI: Strukturat po punojnë. Kuptohet ne kemi struktura në KESH (Koorporata Elektroenergjetike Shqiptare), që komunikojnë vazhdimisht me palën maqedonase që të stabilizojnë një regjim të përbashkët. Megjithatë, përmbytjet nuk është se varen vetëm nga pala maqedonase. Përmbytjet kanë të bëjnë edhe faktorë hidrologjikë që asnjë nuk i parashikon dot. Që kur është konceptuar kaskada e lumit Drin janë parashikuar përmbytje. Problemi është se si të minimizojmë impaktin e tyre, se si të lajmërojmë njerëzit në kohë për të pasur sa më pak dëme. Prioritet gjithmonë kur ka rreshje, apo kushte hidrologjike që favorizojnë rreshjet e mëdha dhe në një farë mënyre të paparashikuara, ka (prioritet) siguria e digave, si siguria më e rëndësishme dhe impakti negativ nëse ato do të dëmtoheshin, do të ishte më i madh. Por, thash që kjo është pjesë, për të cilën ne punojmë për të mbajtur kaskadën e Drin, duke biseduar sëbashku edhe me palën maqedonase, në kushte optimale për të evituar sa më shumë që të jetë e mundur dëmin e paparashikuar.

RADIO KOSOVA: Përsa i përket TEC-it të Vlorës, çfarë ka mbetur që ai të bëhet plotësisht funksional? Ka një projekt Qeveria e re?

DAMIAN GJIKNURI: Në fakt TEC-i i Vlorës, që siç e dini edhe ju, është një projekt i Bankës Botërore, i cili ende nuk është dorëzuar. Banka Botërore po angazhon konsulentë të tjerë për t’i dhënë zgjidhjen përfundimtare teknike, një problemi që ka dalë gjatë zbatimit të projektit. Pra, ka një zgjidhje teknike me tuba shkarkimi në det, të cilët ende nuk i kanë dhënë atë zgjidhjen përfundimtare, pra ka një riparim. Dhe, në kohën më të afërt, ashtu siç ka gara tuar edhe Banka Botërore, do të realizohet. Por, kjo nuk është një çështje e Qeverisë shqiptare. Unë kam kërkuar nga Banka Botërore që kjo gjë të zgjidhet sa më shpejt. Ata na janë angazhuar dhe na kanë thënë që do të dedikojnë fonde në dispozicion me qëllim që TEC-i i Vlorës të përfundojë plotësisht dhe të dorëzohet “me çelësa në dorë”, siç ka qenë pjesë e kontratës me shtetin shqiptar. Ky projekt, ky impiant me prodhim energjie do të ketë një rëndësi shumë të madhe në të ardhmen, veçanërisht me ardhjen e gazit në Shqipëri, pasi është një impiant që është parashikuar të punojë edhe me gaz.

RADIO KOSOVA: Koncesionet kanë qenë një çështje kryesore të Partisë Socialiste si në opozitë ashtu edhe këto ditë me veprimet që vetë Ju keni ndërmarrë këto dot, përkatësisht të industrisë së kromit në Bulqizë. A përbëjnë koncesionet duke u rishikuar një lloj zgjidhjeje për një lloj ekonomie informale apo të paorientuar mirë? A është kjo një problematikë ligjore në dhënien e koncesioneve, e burimeve natyrore që kanë pasur, mundësinë e përpunimit, apo shfrytëzimi i kapaciteteve në tërësi të industrisë nxjerrëse-përpunuese? Ku është perqendruar puna përveçse rishikimit ligjor?

DAMIAN GJIKNURI: Në vetvete politiika koncesionare, pra futja e shtetit në marrëdhënie me partnerë privatë nuk ka asgjë të keqe. Përkundrazi, është e vetmja formë që Shqipëria në maksimum të shfrytëzojë dhe të mund të zhvillojë burimet e saj natyrore, përfshi edhe minierat dhe mineralet. Problemi i koncesioneve është se kujt i jepen dhe se çfarë duhet të kërkojë shteti nga politika koncesionare. Ajo që ne kërkojmë është zbatimi i kushteve koncesionare dhe promovimi i atyre projekteve që krijojnë mundësi edhe për zhvillimin e industrisë pasuruese-përpunuese në vend. Këtu edhe duhet të ishte synimi final i politikë qeveritare në fushën e mineraleve. Qeveria e parë këtë nuk e ka bërë në pjesën më të madhe. Ajo ka synuar projekete të vegjël të shpërndarë në shumë duar dhe në shumë operatorë, të cilët nuk kanë as kualifikimet e nevojshme, gjë që i ka dhënë mundësi lulëzimit të një tregu informal, i ka dhënë mundësi shumë elementëve kriminalë të shtinë në dorë pasuri në Bulqizë dhe të një aktiviteti që është fatkeqësisht, tërësisht jashtë parametrave ligjorë, qoftë kushtet që parashikon kontrata koncesionare, qoftë edhe legjislacioni i punës në miniera. Ky është një problem që kjo Qeveri duhet t’i dalë përballë. Ne po bëjmë çmos, po identifikojmë një herë situatën, po bëjmë një vlerësim dhe do të propozojmë masat konkrete, në mënyrë që sektori i kromit të vijë në shinat e ligjit.

RADIO KOSOVA: A ka vlerësim edhe për Bankers Petrolium për shembull (koncesionar nga Kanadaja në fushat naftëmbajtëse të Fierit, Patoz-Marinzë), apo për ARMO-n nëse ka pasur diskutime, apo për privatizimin e Albpetrolit? Sektori i hidrokarbureve është me shumë rëndësi, nëse do të shohim zhvillimin ekonomik të Shqipërisë. Të trija këto, a qëndrojnë si çështje?

DAMIAN GJIKNURI: Të gjitha mundësitë po shikohen. Albpetrolit i është dhënë një goditje përfundimtare në muajin gusht kur fushat e mbetura të tij(“Albpetroli” ka pasur në administrim 9 fusha naftëmbajtëse) iu dhanë një kompanie në mënyrë të fshehtë, duke e zhveshur “praktikisht këtë kompani nga çdo pasuri për ta dhënë për zhvillim të hidrokarbureve apo për vlerën që kishte kjo kompani përpara privatizimit. Ne jemi duke e parë edhe këtë marrëveshje. Jemi duke e studiuar për të parë shkeljet e mundshme ligjore që kanë ndodhur me dhënien e kësaj kontrate. Nga ana tjetër, jemi duke punuar edhe me politikën e mëtejshme me Albpetrolin, në mënyrë që çfarë do të bëjmë përfundimisht me të. Përsa i përket marrëveshjeve të tjera të hidrokarbureve. Edhe ato janë marrëveshje koncesionare që kanë vuajtur nga ajo simptomë e përgjithshme që është në Shqipëri, nga mungesa e monitorimit siç duhet. Megjithë kapacitetet e dobëta teknike apo njerëzore që ka ky vend, ne do të mundohemi që të përmirësojmë monitorimin e këtyre marrëveshjeve, në mënyrë që publiku shqiptar të fitojë maksimumin e mundshëm nga këto marrëveshje koncesionare.

Më Shumë

Distria e fillon Evropianin me fitore bindëse

Distria Krasniqi e ka filluar me fitore bindëse paraqitjen në Kampionatin Evropian të xhudos në Zagreb. Disitra është bartëse e parë në kategorinë deri 52...

Biblioteka e Prizrenit shënon Ditën Ndërkombëtare të Librit

Biblioteka e Prizrenit shënoi Ditën Ndërkombëtare të Librit . Drejtoresha e Bibliotekës, Sahadete Sadikaj-Kukaj, theksoi se angazhimet e institucionit janë të ofrojë librin sa më afër...

Lajmet e Fundit