2.6 C
Prizren
E martë, 4 Shkurt, 2025

Gjykata e Prizrenit ia ndërpret paraburgimin Tunë Kqirës

Gjykata Themelore e Prizrenit pas propozimit të mbrojtjes vendosi që t’ia ndërpresë masën e paraburgimit të akuzuarit Tunë Kqira, ndërsa të akuzuarve tjerë jo.

Tunë Kqirës i është ndërprerë paraburgimi, një muaj pasi kjo masë iu kthye nga Gjykata e Apelit.

Në gjykimin për fajde, krim të organizuar, detyrim dhe vepra tjera penale, mbrojtësi i të akuzuarit Tunë Kqira, avokati Azem Vllasi kërkoi ndërprerjen e masës së paraburgimit për klientin e tij.

“Ndaj Tunë Kqirës masa e paraburgimit të ndërpritet dhe sipas vlerësimit të gjykatës, të zëvendësohet me një masë tjetër deri në përfundimin e procedurës gjyqësore” propozoi Vllasi.

Sipas Vllasit të gjithë dëshmitarët janë dëgjuar në këtë rast dhe se asnjëri dëshmitar nuk ka mundësi të ndikohet, nuk ekziston rreziku i ikjes dhe po ashtu nuk ekziston rreziku i kryerjes apo përsëritjes së ndonjë vepre penale.

Vllasi, tha se Gjykata e Apelit ka qenë e dezinformuar nga ankesa e prokurores se kinse Tunë Kqira nuk e ka respektuar masën e arrestit shtëpiak, kur kjo gjykatë e ka kthyer masën e paraburgimit ndaj Tunë Kqirës.

Edhe avokatët tjerë iu bashkuan propozimit të avokatit Vllasi për klientët e tyre.

Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit Besfort Omaj, avokati Hazër Susuri, i propozoi gjykatës lënien e 25 mijë eurove dorëzani për të akuzuarin Omaj.

Prokurorja Speciale, Merita Bina- Rugova kundërshtoi propozimet e mbrojtësve dhe kërkoi që të njëjtit edhe më tutje të mbahen në paraburgim.

“Prokuroria mbetet pranë mendimit të njëjtë, ju përkujtoj sa u përket fjalëve të mbrojtjes se Gjykata e Apelit kinse ka vendosur sipas dezinformatave të prokurorisë që Gjykata e Apelit është e obliguar të vendosë në bazë të provave, e jo informatave apo dezinformatave”, tha Merita Bina-Rugova.

Trupi gjykues mori aktvendim me të cilin Tunë Kqirës i ndërpreu masën e paraburgimit, ndërsa për të akuzuarit tjerë refuzoi propozimet e mbrojtësve.

Zëvendësimin e masës së paraburgimit me masën e arrestit shtëpiak ndaj Tunë Kqirës, kryetari i trupit gjykues, Xheladin Osmani, e konsideroi si vendim human për shkaqe shëndetësore të të akuzuarit.

Tunë Kqira, bashkë me të akuzuarin tjetër të këtij procesi Gjon Kqirën u liruan nga paraburgimi edhe më 7 prill të këtij viti.Por gati një muaj më pas Gjykata e Apelit këtyre dy personave ua ktheu masën e paraburgimit.

Sipas Prokurorisë Speciale, gjatë disa viteve të kaluara, të pandehurit Tunë, Kastriot, Gjon, Marjan, Gjekson e Gëzim Kqira dhe Benson Buza kanë vepruar si grup i organizuar kriminal më qëllim të përfitimit të drejtpërdrejtë të dobisë financiare, duke kryer vepra të rënda penale.

Sipas aktakuzës, Tunë Kqira i ka mbikëqyrur dhe i ka drejtuar veprimet e këtij grupi kriminal.

Grupi ka shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare ose papërvojën e të dëmtuarve dhe u ka dhënë para me fajde. Pastaj, duke përdorur kërcënimet e rënda, i kanë detyruar të paguajnë kamata dukshëm joproporcionale ose të kryejnë ndonjë veprim tjetër në dëm të pasurisë së tyre.

KALLXO.com

Më Shumë

Plagosen dy persona në Prizren

Dy persona janë plagosur në Prizren, ku policia ka njoftuar se disa persona janë takuar në parkingun e një pike shitje të  derivateve dhe...

Shembet muri i një ndërtese në Qendrën Historike të Prizrenit, institucionet nuk ndërmorën masa emergjente mbrojtëse

Muri i ndërtesës me fasadë karakteristike në rrugën “Marin Barleti” në Prizren është shembur, disa muaj pasi që Komisioni komunal për vlerësimin e objekteve...

Lajmet e Fundit