9.8 C
Prizren
E premte, 29 Mars, 2024

Gjykimi për krime lufte, mbrojtësi i ish-komandantit “Molla e Kuqe” kërkon që gjykimi të shtyhet të paktën deri në tetor

Mbrojtësi i ri i ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), i njohur si komandant “Molla e Kuqe”, Remzi Shala, avokati i caktuar sipas detyrës zyrtare, Afrim Paqarizi, ka kërkuar që seanca e së premtes, në rastin ku klienti i tij po akuzohet për krime lufte, të shtyhet për një datë tjetër.

Remzi Shala po akuzohet nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), për vrasjen e një civili gjatë luftës së fundit në Kosovë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancën e së premtes, avokati Paqarizi bëri të ditur se një ditë më parë është pajisur me shkresat e lëndës, e cila sipas tij është voluminoze.

Për këtë arsye, i njëjti kërkoi nga trupi gjykues që gjatë seancës vetëm të bëhet konstatimi i pranimit të shkresave të lëndës nga mbrojtja dhe të mos procedohet më tej, por e njëjta të shtyhet dhe të caktohet për një datë tjetër, mundësisht pas datës 1 tetor.

Propozimin e tij nuk e kundërshtuan dhe e cilësuan si të arsyeshëm edhe prokurori special Haki Geci dhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Asdren Hoxha.

Po ashtu, përfaqësuesi i palës së dëmtuar kërkoi që në seancën e radhës të dëgjohet i dëmtuari Agron Përteshi, propozim të cilin nuk e kundërshtoi as i akuzuari.

Pas kësaj, trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësja Raima Elezi mori vendim me të cilin e aprovoi kërkesën e palës së dëmtuar, për dëgjimin e dëshmitarit Përteshi.

Po ashtu trupi gjykues, sipas detyrës zyrtare, do të ftojë që edhe njëherë të dëgjohen dëshmitarët Avdi Trolli, Sejdi Përteshi, Xhemajl Elashani, Ferat Shala dhe Xhafer Shukolli.

Me këtë gjë u pajtua edhe i akuzuari Shala, pasi tha se ka nevojë që këtyre dëshmitarëve tu parashtroj pyetje, duke propozuar që të dëgjohet edhe dëshmitari Emrush Gashi.

Ndërsa prokuroi Gecaj kërkoi që si dëshmitar të ftohet edhe njëherë Fadil Qatani.

Trupi gjykues aprovoi propozimet e palëve për thirrjen e dëshmitarëve të lartcekur, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në fund, i dëmtuari Zenel Përteshi deklaroi se nga përfaqësuesi i tij e ka marrë deklaratën e të akuzuarit në dy letra, për të cilat tha se i ka shkruar në burg ku ka treguar se si ka ndodhur e gjithë ngjarja, duke i propozuar trupit gjykues që të njëjtat të mos merren parasysh.

Pas këtyre zhvillimeve, gjykatësja Elezi caktoi seancat e radhës për këtë rast dhe atë me 13,14,15, dhe 16 tetor 2020, nga ora 09:30.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti për Krime të Rënda më 8 korrik 2019, kishte marr aktgjykim me të cilin të akuzuarin Shala e kishte shpallur fajtor për veprën penale krime lufte kundër popullatës civile duke u dënuar me 14 vite burg.

Por Gjykata e Apelit e ka ndryshuar aktgjykimin e shkallës së parë, duke ia zbritur dënimin në 10 vjet burgim.

Kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatë Supreme kishte parashtruar mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Natal Bullakaj, ndërsa Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit kishte propozuar që kërkesa e mbrojtësit të të dënuarit të refuzohet si e pabazuar.

E Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës, në maj të këtij viti, e ka kthyer rastin në rivendosje.

Ish-komandanti i UÇK-së, i njohur si komandant “Molla e Kuqe”, akuzohet nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), për vrasjen e një civili gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Shala akuzohet nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës se gjatë kohës së luftës në Kosovë, më 26 qershor 1998, duke vepruar si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), së bashku edhe me disa pjesëtarë tjerë të paidentifikuar, kanë marrë nga shtëpia e tij, viktimën Haxhi Përteshi.

Sipas aktakuzës, Remzi Shala, i cili ishte i vetmi pa maskë në kokë, së bashku edhe me 5-6 pjesëtarë tjerë të UÇK-së, të maskuar, nën dyshimin se i ndjeri ishte bashkëpunëtorë i forcave serbe, kanë shkuar në fshatin Duhël dhe të njëjtin e kanë dërguar në një vend të panjohur.

Në aktakuzë thuhet se djali i viktimës, Agron Përteshi, i kishte parë ata të largoheshin, së bashku me babanë e tij, në drejtim të fshatit Grajqevc dhe pas disa dite trupi i pajetë i të ndjerit ishte gjetur në afërsi të rrugës, afër qendrës së fshatit Duhël.

Më Shumë

Albin Kurti sot i mbush 49 vjet

Sot është një ditë tejet e veçantë për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Ai sot e feston ditëlindjen e 49-të. Kurti ka lindur më 24 mars...

Moti sot, temperaturat deri në 23 gardë Celsius

Sot në Kosovë parashihet të mbajë mot i ngrohtë dhe me diell. Kështu bën të ditur Meteo Kosova. Sipas njoftimit të MK-së, do të fryjë erë...

Lajmet e Fundit