Hamëz Limaj, i cili akuzohet se si pronar i lokalit “Matrix-M” në Prizren, ka punësuar femra me qëllim të shfrytëzimit seksual, të enjten, në Gjykatën Themelore në Prizren, ka thënë se nuk ka qenë pronar faktik i lokalit në fjalë. Limaj ka thënë se lokali gjendet në emër të tij, pasi që i akuzuari Selim Kastrati i ka kërkuar ndihmë për ta hapur lokalin sepse nuk po e lejojnë që ai ta hapë me emrin e tij.
Tutje, Limaj ka thënë se ai ia ka dhënë letërnjoftimin të akuzuarit Selim dhe gjithmonë ka kryer procedurat formale të lokalit, duke nënshkruar aty ku i ka thënë Selim Kastrati. Poashtu ka deklaruar se edhe me rasti e punësimit të punëtoreve ai ka nënshkruar kontratat e përgatitura nga Selim Kastrati.
Hamës Limaj së bashku me Selim Kastratin, Milena Krstiqin, Bajram Morinën, Gëzim Mallakun dhe Artur Rexhajn akuzohen se duke vepruar në grup kriminal, kanë trafikuar femra nga Serbia, Shqipëria dhe Rusia dhe të njëjtat i kanë detyruar në prostitucion.
Në seancën e të enjtes, ka vazhduar mbrojtjen edhe Milena Krstiq e cila ndër të tjera ka thënë se fillimisht kishte ardhur me vullnet për të punuar në lokalin “Matrix-M” por se më vonë ka dashur të largohet por Selim Kastrati nuk e ka lejuar. E njëjta ka deklaruar se ka qenë e lirë që të dalë në qytet dhe se ka pasur telefon personal, ndërsa sa i përket femrave tjera nga Serbia ka mohuar t’i ketë rekrutuar ajo.
Në momentin kur i erdhi radha të bëjë mbrojtjen i akuzuari Gëzim Mallaku, avokatja e tij, Myrvete Qollaku ka kërkuar që i njëjti të bëjë mbrojtjen në seancën e radhës sepse ishte e lodhur dhe ishte afër përfundimi i orarit të punës e nuk mund të përfundohej mbrojtja.
Trupi gjykues, i kryesuar nga gjyqtarja Ajser Skenderi, ka aprovuar kërkesën e avokates, ka ndërprerë shqyrtimin, ndërsa seanca e radhës do të mbahet me 20 shkurt 2017, në ora 10:00.
Ky rast zhvillohet në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Speciale, e cila i ngarkon të akuzuarit në fjalë për krim të organizuar, trafikim me njerëz dhe veprën penale të mundësimit ose detyrimit në prostitucion.
Sipas aktakuzës së përfaqësuar nga prokurori special, Abdurrahim Islami, ngritur në mars 2016, Selim Kastrati akuzohet se ka udhëhequr grupin kriminal të përbërë nga të akuzuarit tjerë, duke kontrolluar pagesat, femrat dhe takimet e tyre me klientët, duke marrë përqindjen e shërbimeve seksuale dhe kontrolluar veprimtarinë e lokalit.
Kjo aktakuzë e ngarkon të akuzuarin Bajram Morina, se është kujdesur për lokalin dhe ka shënuar oraret e punës së punëtoreve, poashtu se së bashku em Artur Rexhën ka sjellë femra nga Shqipëria për të punuar në lokal.
Milena Krstiq ngarkohet se ka rekrutuar punëtoret nga Serbia duke i vënë në lajthitje se vetëm do të punojnë në lokalin në fjalë si shërbyese ndërsa ma vonë i ka shoqëruar në motele të ndryshme për të kryer marrëdhënie seksuale me klientë.
Ndërsa i akuzuari Hamëz Limaj, akuzohet se sipas marrëveshjes me të akuzuarin Selim Kastratin, ka vepruar në mbulimin e veprimtarisë kriminale duke u marrë me çështjet e regjistrimit të lokalit dhe nënshkrimit të kontratave për punëtorët kinse or të punuar si kameriere.
Aktakuza përfshinë edhe banakierin e lokalit “Matrix-M”, Gëzim Mallakun, i cili akuzohet se ka qenë ndërmjetës në mes femrave dhe klientëve, duke u marrë atyre përqindjet e shërbimeve dhe duke e informuar Selim Kastartin për numrin e klientëve dhe pagesat e bëra nga ta.
Në këtë grup kriminal, sipas aktakuzës, bën pjesë edhe Artur Rexha nga Tirana, i cili akuzohet se në marrëveshje me Selim Kastratin dhe Bajram Morinën, ka sjellë femra nga Shqipëria për të punuar në lokal. Tutje thuhet se ky i akuzuar i ka vënë në lajthitje femrat duke u thënë se kanë për të punuar si valltare në lokal, ndërsa më vonë të njëjtat detyrohen të kryejnë marrëdhënie seksuale me klientët e lokalit./betimiperdrejtesi/