22.9 C
Prizren
E hënë, 9 Qershor, 2025

Grabovci, testi i rëndë i Prokurorisë

Shteti i kapur po i mbron të inkriminuarit. Njohësit e sistemit të drejtësisë thonë se duhet të tregohet se askush nuk është mbi ligjin, edhe pse që në fillim shihet se shefi i shefave do të ketë trajtim të privilegjuar, raporton Gazeta Kosova Sot

Hezitimi dhe neglizhenca e para dy ditësh me “dashje apo pa të”, e zyrtarëve policorë për të kryer kontrollin e veturës së shefit të shefave Adem Grabovcit, me rastin e hyrjes së saj në objektin e Policisë së Kosovës, përkatësisht të Prokurorisë Speciale po cilësohet si një veprim i shëmtuar, por njëkohësisht edhe një argument shtesë për vërtetimin e asaj se institucionet e sigurisë dhe ato të drejtësisë janë shndërruar në ‘bahçe të babës’ për shefin e shefave dhe rrjetit të tij, ngase ato nuk po e kryejnë punën sipas ligjit e rregullave, për çka edhe janë të thirrura për respektimin dhe zbatimin e tij, por edhe e marrin pagën për këtë, dhe ashtu siç e parashohin ligjet dhe Kushtetuta e shtetit.

Ndaj, nisur nga ky veprim dhe mbase akoma ‘ndikim ‘ i shpërfaqur i shefit të shefave tek institucionet, është shtuar edhe dilema se a mund të jetë një argument tjetër shtesë se afera, ‘Pronto 2’ ashtu si ajo e mëhershmja sërish do të kalojë vetëm si një spektakël medial, duke u ngritur edhe pyetja se a mund ta dënojë drejtësia kosovare Grabovcin? Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha ka bërë me dije për gazetën “Kosova Sot”se Policia e Kosovës, pas konstatimit lidhur me veprimet e zyrtarëve policorë të caktuar në detyrë, ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme procedurale ndaj atyre zyrtarëve policorë, të cilët dyshohen se kanë neglizhuar punën e tyre me rastin e realizimit të detyrave dhe përgjegjë- sive me rastin e qasjes dhe qëndrimit në objekte.

“Ndaj zyrtarëve që dyshohet se kanë neglizhuar punën e tyre është ndërmarrë masa e suspendimit prej 48 orë me pagesë dhe është iniciuar procedura e brendshme disiplinore, përderisa të gjitha veprimet e tjera do të ndërmerren sipas proceduarave të parapara ligjore në fuqi”, ka theksuar Hoxha.

Disa njerëz janë mbi ligjin

Eksperti i fushës së sundimit të ligjit Blerim Burjani, në një prononcim për gazetën “Kosova Sot”, ka thënë se ajo çka ka ndodhur nuk është për t’u çuditur, ngase, sipas tij, gjërat e ngjashme gjithmonë mund të jenë të pritshme nga kjo klasë anarkike e sundimit me Kosovën.

“Pra, kjo dëshmon se Kosova ka përplot njerëz mbi rendin dhe ligjin, e që është shtresa e cila sundon në emër të shtetit, shtresa anarkike që kontrollon institucionet dhe njerëzit në të gjitha nivelet e zhvillimit të shtetit. Andaj, një gjë e tillë, po e ritheksoj, se nuk është fare për t’u habitur, përderisa ekziston një rrjet i gjerë anarkik që funksionon për interesa personale e partiake, në këtë rast nuk është aspak befasi as veprimi i fundit i Grabovcit me rastin e hyrjes në objektin shtetëror në fjalë”, ka vijuar më tej ai, duke shtuar se veç kësaj, shtresa anarkike sundon dhe qeveris me paranë publike, derisa, siç tha, “kush i ka paratë e ka edhe pushtetin, ku kjo është edhe motoja e sundimit anarkik në Kosovë, që rrjedhimisht ka futur nën ombrellën e saj duke e bërë të varur tërë rrjetin institucional të shtetit, e që kjo kuptohet se është formë jolegjitime e as e drejtë e sundimit të ligjit”, është shprehur Burjani.

Avokati Tomë Gashi thotë se i ka rastis edhe vetë të shkoj në Prokurorinë e njëjtë me klientë shumë të rëndësishëm dhe të profileve të larta, që kanë pasur lëndë jashtëzakonisht të rëndësishme, duke filluar nga Azem Syla, Fatmir Limaj etj., ku sipas tij, ata gjithmonë as që kanë kërkuar që të shkojnë me vetura, teksa iu kanë nënshtruar kontrollit të rregullt dhe normal sikurse për çdokënd tjetër.

Përgjimet konfirmuan kapjen

Analisti Naim Kelmendi ka nënvizuar se vetë publikimi i aferave ‘Pronto’, tashmë edhe të njohura nga publiku i gjerë, me kryepersonazhin kryesor Adem Grabovcin, sikur e ka shpërfaqur realitetin e kapjes së shtetit nga struktura e pushtetarëve.

“Tashmë më në fund edhe Prokuroria vendosi që ta marrë në pyetje Adem Grabovcin, porse a përbëjnë këto përgjime elemente për vepër penale për Prokurorinë, kjo mbetet të shihet!?. Krejt ajo që është dëgjuar në këto përgjime, (tashmë të njohura për opinionin) ka treguar për ndikimin dhe funksionimin e njerëzve të këtij pushteti të korruptuar e të inkriminuar, por edhe të funksionit dhe funksionimit të vetë shtetit nga këta bartës të pushtetit e të pozitave udhëheqëse, ku po tregon se në çdo rast ata janë mbi ligjin dhe shtetin, e që kjo është e papërgjegjshme në çdo aspekt. Por, se çfarë do të ndërmarrë Prokuroria mbetet të shihet, mbase këtu vërtetohet edhe puna jashtë ndikimit të politikës, dhe vendimmarrja e Prokurorisë së Shtetit dhe përgjithë- sisht e drejtësisë. Nëse do të vijë në shprehje pavarësia e drejtësisë dhe ligjit, atëherë afera e ‘Prontos’ (tashmë si aksiomë e ditur për publikun) do të duhej marrë epilogun e vet meritor sipas gjykimit të drejtësisë, por mbetet të shihet vendimi dhe fjala e dhënë nga drejtësia”, ka spikatur Analisti Naim Kelmendi për gazetën “Kosova Sot”.

Analisti tjetër, Shefqet Dibrani ka vlerësuar se ani pse akoma është herët të thuhet, por pavarësisht kësaj, sipas tij, në rrethanat e tanishme nuk ka asnjë shpresë se drejtësia do ta dënojë Adem Grabovcin, ngase, siç tha, kapja e shtetit ka ndodhur në të gjitha nivelet e tij, derisa nga grupet e interesit menaxhohet drejtësia, siguria, zhvillimi ekonomik, shëndetësia, etj., teksa këto janë vetëm disa prej arsyeve se përse duhet të dyshohet se edhe rasti i aferës “Pronto 2” është një spektakël mediatik dhe asgjë më shumë.

“Vetëm në Kosovë mund të ndodhë të mbeten në pushtet personat me afera kaq të rënda publike, njerëzit që kanë shkelur Kushtetutën e vendit dhe deputetet që kontrabandojnë hapur votën e tyre, gjersa për Prokurorinë e Shtetit apo të Gjykatës Speciale, argumentet e gjertanishme përkitazi me aferën “Pronto” kanë qenë të mjaftueshme”, theksoi ai. (Kosova Sot)

Më Shumë

Publikohet ‘Askund’ nga Shkodra Elektronike

Shkodra Elektronike sapo ka lansuar projektin e tyre më të ri, 'Askund', i cili erdh pak ditë pas përfaqësimit dinjitoz të Shqipërinë në Festivalin...

LDK-së i bashkohet asamblistja e AAK-së në Suharekë

Lidhja Demokratike e Kosovës ka mirëpritur në radhët e saj Sanie Kuqi – Rexhepaj. Ajo ka qenë anëtare e Këshillit të Përgjithshëm të Aleancës për...

Lajmet e Fundit