I mbijetuari i masakrës së familjes Berisha në Suharekë, Gramoz Berisha, ka thënë se ka pasur procese gjyqësore për rastin e krimeve të serbëve ndaj familjes së tij, por i kanë kundërshtuar.
Berisha ka thënë në Info Magazine se ky refuzim ndaj këtyre proceseve është bërë pasi është kërkuar që ato të mbaheshin në Beograd, njofton Klan Kosova.
”Ka pasur një proces gjyqësor, por prej fillimit ne si familjarë kemi kundërshtuar, sepse e kemi ditur që ai proces do të jetë farsë”.
”Kemi kërkuar që çdokund të bëhet gjykimi – por vetëm në Beograd jo, sepse dihet që po bëhet për sy e faqe”.
”Ata që kanë marrë pjesë në krim, shumica janë liruar. Disa janë dënuar me vendime qesharake për ne dhe secili tashmë mund të jetë i lirë e të jetë diku nëpër botë”.
”Kjo është e vështirë, sepse ka ndodhur krim i dyfishtë. Pasi janë varrosur, janë zhvarrosur prapë dhe janë vendosur në vende të ndryshme”.
”Nga familjarët e mi është gjetur trupi i babait dhe i vëllait, por jo i motrës. Ende nuk e dimë ku është, nuk dimë asgjë për të”.
”Të gjitha shpresat i kemi tek institucionet ndërkombëtare”.
”Deri tani s’ka ndodhë asgjë për këta trupa, por presim të bëhet presion edhe më i madh ndaj politikave të Serbisë”.
Gjatë rrëfimit të tij, Gramoz Berisha tregoi edhe për jetën që bën sot, pas gjithë asaj që dikur kishte përjetuar.
”Për momentin punoj. Jam në Ministrinë e Punëve të Jashtme, në departamentin e financave, që dy vite. Përmes diplomacisë dua që ta jap kontributin tim në mënyrë që ta tregoj të vërtetën se çfarë ka ndodhur në Kosovë”.
”Gjithçka që po kërkoj sot është drejtësia. Drejtësia duhet të shkojë në vend, të tregohet e vërteta e asaj pse ka ndodhur krimi dhe të gjenden familjarët. Ne shpresojmë akoma për një gjë të tillë”.