Gazeta britanike The Guardian në artikullin e saj për zhvillimet në Kosovë, ka shkruar edhe për lidhjet e Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK) me shërbimin inteligjent francez DGSE. Sipas Guardian, disa prej 20 rekrutëve të SHIK’ut të cilët ishin dërguar në Francë, ku ishin trajnuar për mbrojtje të afërt dhe për të përdorur armë, më vonë janë bërë pjesë e një grupi vrasësish.
Më poshtë mund të lexoni pjesë të tekstit të Guardian ku shkruan për lidhjet e SHIK’ut që ishte drejtuar nga Kadri Veseli me shërbimet inteligjente perëndimore.
Hetimet e reja për grupin fantazmë të spiunazhit SHIK, siç shkruan mediumi britanik, mund të del turprues edhe për agjencitë perëndimore të inteligjencës, në veçanti për CIA’n dhe DGSE’në e Francës, mbështetja e së cilëve për Thaçin, PDK’në dhe SHIK-un daton që nga lufta në Kosovë (1998-9). Në atë kohë, shkruan “The Guardian”, amerikanët dhe francezët përkrahnin Thaçin si komandantin më të efektshëm të UÇK-së që ka luftuar kundër ushtrisë serbe, e cila kishte ndërmarr një “fushatë të spastrimit etnik”.
Disa hetues të Kosovës dhe të EULEX-it besojnë se këto lidhje të inteligjencës gjatë kohës së luftës kanë ndihmuar në mbrojtjen e udhheqësisë së PDK-së dhe kanë penguar përpjekjet e tyre që ta frenojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar në vend që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës më 2008.
“The Guardian”, shkruan se familja e Bllacës është larguar nga Kosova për mbrojtje të mërkurën.
“The Guardian” përmes një burimi brenda EULEX’i, i ka konfirmuar hetimet ndaj Sylës.
Sipas mediumit më të fuqishëm britanik, këto të dhëna për vrasjet e kryera nga SHIK-u mund të jetë të papërshtatshme edhe për agjencitë e huaja të inteligjencës të cilat kanë ndihmuar gjatë luftës në Kosovë për organizimin e kësaj agjencie të inteligjencës.
Kadri Veseli, shefi i SHIK-ut dhe person i afërt me Thaçin, më 2011 i pati thënë ueb-faqes amerikane të lajmeve “GlobalPost”: “Kemi pasur shumë partnerë – 25 agjenci të inteligjencës… SHBA-të na kanë ndihmuar shumë”.
Veseli kishte thënë se agjencitë e huaja të inteligjencës kanë ndihmuar SHIK-un “në çdo aspekt”, por ka mohuar që SHIK-u ka kryer vrasje sistematike politike.
Përveç CIA-s, SHIK-u ka pranuar mbështetje të veçantë edhe nga shërbimi i jashtëm i inteligjencës franceze, DGSE. Franca ka ofruar trajnime ushtarake për UÇK-në. Përgjimet britanike të komunikimeve mes ushtrisë serbe gjatë kohës së luftës kanë zbuluar edhe se zyrtarë të DGSE-së janë vrarë bashkë me ushtarë të UÇK-së në një pritë të forcave serbe.
Pranverën e vitit 1999, sipas hetuesve që kanë përcjellë aktivitetet e SHIK-ut, një grup prej 20 rekrutëve të SHIK-ut janë marrë me një anije nga porti i Durrësit dhe janë transferuar në një anije luftarake franceze. Ata kishin qenë të veshur në fanella të kaltra të errëta në mënyrë që të përziheshin me ushtarët francezë. Me të shkuar në Francë, ata kanë pranuar trajnime për armë specialiste si pjesë e asaj që mendohej të ishte një kurs për mbrojtje të afërt. Por sipas hetuesve, disa prej rekrutëve të trajnuar nga Franca më vonë janë bërë pjesëtarë të grupit të vrasësve.
Lidhja e Francës me SHIK-un është forcuar kur forcat franceze morën nën kontroll pjesën veriore të Kosovës pas intervenimit të NATO-s më 1999, ku përfshihej rajoni i Drenicës prej nga vjen edhe familja e Thaçit dhe rrethi i tij i ngushtë. Një ish-shef i operacioneve të DGSE-së, Xavier Bout de Marnhac, pati udhëhequr EULEX-in nga 2010 deri më 2012.
Një hetues nga Kosova, gjithnjë sipas “The Guardian”, vlerëson se skuadra e vrasjeve është përgjegjëse për së paku 30 vrasje dhe se lidhja me francezët ka ndihmuar që EULEX-i të ngurrojë t’i nis hetimet ndaj politikanëve më të mëdhenj të Kosovës.
“Këta vrasës nuk janë të rëndësishëm, por janë të lidhur me njerëz të mbrojtur”, thotë hetuesi. “Njerëz nga vende të ndryshme kanë një lidhje emocionale pas luftës”.
“Është e vërtetë se në fund të vitit ‘99, kontaktet franceze ishin më të afërta me PDK-në dhe SHIK-un pasi që trupat franceze të NATO-s ishin vendosur në zona ku ky grup ka qenë i fuqishëm”, thotë për “The Guardian”, një ish-zyrtar francez që ka shërbyer në Kosovë. “Por ky ‘bashkëpunim’ nuk ka shkuar aq larg sa pretendohet nga disa persona sot. SHBA-të shkuan edhe më larg! Është e vërtetë se Franca ka trajnuar disa persona, por ka qenë përbrenda kornizës së krijimit të Forcës Mbrojtëse të Kosovës”.