Fshati Manastiricë i përket Luginës së Lumbardhit dhe është njëri nga fshatrat e bukur të kësaj ane. Raif Kasi thekson për “Kosova Sot” se ky fshat ka 2500 banorë të regjistruar, por që fatkeqësisht numri i atyre që jetojnë jashtë Kosovës kalon shifrën e rreth 40 për qind të banorëve.
“Para një dekade këta banorë ishin më të njohurit në komunën e Prizrenit, ngase merreshin me blegtori dhe kishin kushte të mira për të ushtruar këtë degë të bujqësisë. Ky lokalitet njihet edhe për mjeshtrit e përsosur, sidomos atyre të gurit. Mirëpo, tashme atje ka edhe shumë njerëz me diplomë fakulteti që në mungesë të gjetjes punë kanë marrë rrugën e kurbetit”, shprehet Kasi për “Kosova Sot”. Fshati ka primatin e një nga pikave më të bukura turistike të Prizrenit. Ka lartësinë mbidetare prej 2555 metra në bjeshkë e maleve të Sharrit. Fshatin e ndan në dysh lumi Lumbardhi, që lidhet pastaj me Adriatikun përmes Drinit të Bardhë.
Tagrambledhës të njohur të Perandorisë osmane
Manastirica është fshat i shumë legjendave, tregon profesor Refki Alija. Ai tregon se në kohën e osmane nga ky fshat ishin tagrambledhësit e të dhjetave, pastaj i gjithë tagri i Luginës së Lumbardhit mblidhej në këtë fshat. Nga këtu edhe ka marrë emërtimi ManastiriManastirica. Ustallarët apo mjeshtrit e këtij fshati për punë të gurit qëndronin çdo ditë me veglat tradicionale të gurgdhendësit, në një vend ku punohet me gur pllaka të zakonshme guri, nën ritmet e goditjeve të tyre marrin forma të vërteta artistike dhe kthehen në vepra të mirëfillta arti. Në fakt, duket sikur ata nuk e godasin mbi gurin, por sikur “lëndojnë” me merak. Marrëdhënia e tyre me gurin ngjan shumë me atë të amvisës që mbrun me gishtat e saj delikatë brumin e bukës në magje druri. Gjysh, stërgjysh dhe brez pas brezi, jetët e paraardhësve të gurgdhendësve të këtij fshati kanë qenë të lidhur pas gurit. Ata janë ndër gurgdhendësit më të mëdhenj, jo vetëm të zonës, por ndoshta në gjithë Kosovën. “Gurët ndaheshin veç e veç. Të tjerë ishin ata të themeleve që të mbanin shtëpinë, kalanë dhe urën, të tjerë ata të qosheve: të ishin të fortë, të bukur dhe të rëndë. Ndryshe, ishin ata të mureve, oxhakëve, që duhet të duronin zjarrin, veç ata të çatisë, që duhet të duronin diellin, shiun dhe borën. Duket i thjeshtë, por edhe ky zanat do mend dhe fuqi”, sqaron mjeshtri i gurit nga ky fshat tash në pension Myhedin Karaxha që tash jeton në Prizren. Ai rrëfen se baballarët e tyre punonin shumë, por jetonin pak për shkak të punëve të rënda që bënin.
Sot zanati vazhdohet me mekanizma më të përsosur
Sipas Karaxhës, mademxhinjtë, të cilëve u thoshin torbesh, mbijetonim me një torbë në të cilën bartnim çekanin dhe metrin dhe një daltë për përpunim të gurit. “I hante pluhuri i gurit dhe gazrat që dilnin nga brenda harallëqeve të mademit, vendi ku ata i nxirrnin gurët e ndryshëm sipas nevojave. Kështu iku babai im, kështu ikën edhe plotë ustallarë të këtij fshati dhe fshatrave të Luginë së Lumbardhit”, rrëfen ishgurgdhendësi Karaxha. Tradita e ustallëkut ka vazhduar, por me mekanizëm më të përsosur. Ai tregon se me gurët që nxori i ati, pas çlirimit u restauruan muret, shtëpitë, çatitë dhe avllitë e vjetra të Prizrenit, e veçanërisht të fshatrave të kësaj ane, u ribënë kalldrëmet e oborreve, u ndërtuan godinat publike më të bukura dhe më të harmonizuara “Nuk ka gur në mure dhe sokak të Prizrenit që dikur nuk i ka punuar dora e ustallarëve të kësaj ane. Por, tash ka dalë teknika dhe këta ustallarët dalin nga përdorimi, sepse tash po vjen gjenerata tjetër që di ta bëjë këtë punë në mënyra të tjera”, është shprehur ai.
(Kosova Sot)