17.8 C
Prizren
E enjte, 2 Maj, 2024

“Guva e Mrizit” në Vërri, dëshmon civilizimin e hershëm ilir

Kjo verë në Prizren, në mesin e shumë pikave turistike, ofron edhe monumentin e Ilirisë së lashtë, siç njihet si Guva e Murademit në Vërri.

Historiani Samir Hoxha mendon se ajo pikë turistike është tejet e rëndësishme për ata që vijnë në këtë qytet, për të treguar lashtësinë e këtij qyteti, duke shtuar se vend më të mirë në këtë rajon nuk gjendet. Tanimë Guva e Murademit, apo “Guva e Mrizit”,siç i quajnë anasit e Vërrinit vendin më të bukur të kësaj ane, banorët e fshatit Kobaj mendojnë se i përket Kobajt. Në Muradem janë evidentuar vendbanime të hershme, shkruan gazeta Kosova Sot.

Shkodran Kryeziu, koordinator i Drejtorisë së Turizmit në Prizren, shprehet për “Kosova Sot” se është e qartë se “Guvat e Mrizit” të Murademit janë një monument i lashtë Ilir.

“Aty ishte edhe faltorja që nga Iliria, andaj ne do të ndërtojnë rrugën deri atje. Kurse “Mrizin” do të mbrojmë me rrethoja si monument të mbrojtur historik”, u shpreh Kryeziu.

Ai vend i bukur dhe i lashtë është ruajtur me një fanatizëm si “Mrizi i Moçëm”, tregojnë edhe banorët vendës. Fshati Muradem, pos bukurive të rralla natyrore, u bë i njohur edhe për pikturat shkëmbore te “Guva e Mrizit”.

“Akademi” për vizatime

Kryeziu shprehet se ato mbishkrime dhe piktura janë zbuluar para një dekadë dhe e vetmja gjë që është bërë për të mbrojtur ato është se janë vënë nën mbrojtjen e shtetit, por fatkeqësia është se ato tashmë janë dëmtuar nga një dorë ose e paditur ose e porositur. Dihet fakti se të rralla ishin fshatrat, sidomos të Dukagjinit, që nuk kishin mrizet e tyre ku aty mrizonin bagëtitë që mos të dërgonin gjatë pikës së vapës në shtëpi, por mrizet ishin kryesisht vende me hije dhe ujë të shumtë për bagëtitë.

“Drejtoria e Turizmit tashmë e ka marrë vendimin që t’i mbrojë këto piktura shkëmbore të parahistorisë, e tashmë ne do të ndërtojmë për atë vend edhe rrugën ku janë ndarë 20 mijë euro. Këtë për faktin që atë pjesë të bëjmë të kapshme dhe të vizituar për shumë vizitorë që duan të shohin ato bukuri dhe atë lashtësi”, tregon Shkodran Kryeziu.

“Guva e Mrizit” mbetet aset në kuadër të listës së trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme të Ministrisë së Kulturës dhe domosdo se ato tashmë kanë edhe vlerë të veçantë. Dikur pleqtë thoshin se këtu ishte një shkollë për vizatime si punë akademie. Nga të gjitha trojet shqiptare këtu u shkolloheshin njerëzit që të vizatojnë. Kështu kam dëgjuar nga pleqtë e këtij fshati.

“Guva e Mrizit” kthen banorët në civilizim të hershëm

Kryetari i fshatit, Muradem Refki Ademaj, tregon se ky fshat gjenezën e këtij emri e ka marrë nga i pari i këtij fshati, Murati, dhe vëllai tjetër, Ademi, dhe nga këta dy vëllezër ka ardhur toponimi i këtij fshati Muradem. Ai flet me admirim për “Guvën e Mrizit”.

“Atje jemi rritur, por nuk e kemi dituar gjithë faktin e lashtësisë. Tash kjo po na rikthen herët në civilizim. Kemi pasur kaq shumë histori këtu dhe nuk e kemi ditur”, shprehet Ademaj.

Fshati ka një bukuri të rrallë dhe gjatë pranverës, të gjitha shtëpitë e këtij fshati në të ardhmen mund të bëhen strehë apo bujtina për turistë. Janë bukuritë magjike të Murademit, i cili qëndron mbi ujërat e Bushtricës mbi burimet e Drinit të Bardhë, që burojnë nga bjeshkët.

Ademaj thotë se këto bukuri dhe këto objekte të lashtësisë i japin një status të veçantë këtij fshati. Arat me lule erëmira, oborret e bukura dhe ujërat që përshkojnë fshatin përmes, e që kalojnë edhe poshtë shtëpive, kopshtet me mollë dhe fruta të tjera, i japin fshatit turistik një pamje të rrallë dhe shpeshherë të duket sikur je në përrallat e bukura. Por, Murademi i bukur ka edhe hallet e tij.

Refki Ademaj thotë se punësimi në këtë fshat është i pashpresë.

“Kemi vetëm një të punësuar në punë shteti, kurse janë jo më pak se 30 për qind e burrave të këtij fshati që punojnë jashtë Kosovës. Po të mos ishte kurbeti mos pyet hallin”.

Mungesë e shkollës është një shqetësim për të gjithë. Fshati aktualisht ka 70 shtëpi dhe banorët duan sa më parë ndërtimin e shkollës. Ata shpresojnë se ndoshta “Guva e Mrizit” do të sjellë rrugën, por edhe shkollën. Profesori Sylejman Randobrava thotë se kur kanë pasur mysafirë në fshat i kanë dërguar te “Guvat e Mrizit”.

“Hajde dalim kah mrizi i moçëm se është vend i mirë për të parë”, ka pohuar ai të kenë thënë banorët e këtij vendi.

“Nëse Komuna atje ndërton një rrugë, unë mendoj se do të mbetet si pikë turistike për të gjithë ata që duan ta vizitojnë këtë fshat”, thotë Randobrava.

Profesori i historisë, Mejdi Rrahmanaj, shprehet se ‘Guva e Mrizit” është ditur nga shumë studiues se është monument i lashtësisë, por ka qenë interes i ish-pushtetit që këtë ta fshehë e të krijojë mjegull mbi këtë fakt. /Kosova Sot/

Më Shumë

Sonte, spektakël i basketbollit pritet në Therandë

Beteja mes Golden Eagle Yllit dhe Pejës do të vazhdojë sonte mbrëma për kualifikim në finale të “Play-off”-it në Prince Caffe Superligë. Therandasit po fitojnë 2:1...

Sonte gjysmëfinalja e parë në CHL: Bayern përballë Real Madridit

Mbrëmja e së martes do të jetë e zjarrtë në “Allianz Arena”. Ky vend do të jetë “fushëbeteja” e përballjes mes dy gjigandëve të futbollit...

Lajmet e Fundit