Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosvës (AAK), Ramush Haradinaj, i ka shkruar sot letër të hapur Kryeprokurorit të Kosovës, Ismet Kabashi.
Në letrën e z. Haradinaj thuhet:
I nderuar z. Kabashi,
Qe një kohë të gjatë në mediat tona shohim njerëz të profileve të ndryshme, të cilët akuzojnë hapur qytetarë të Kosovës si akterë të vrasjeve, të zhvatjes, fajdeve dhe krimeve të rënda të sanksionuara me Kodin Penal të Kosovës.
Po ju drejtohem juve, jo si kryetar i një partie politike parlamentare, por si një qytetar i rëndomtë i Kosovës, me pyetjet më fundamentale që bëhen në një shoqëri me nivelin më bazik të respektimit të ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë:
– Kur një person akuzon personin tjetër për vrasje, ju si Prokurori e Shtetit, a e ndjeni veten të obliguar që, konform detyrës zyrtare, të filloni hetimet për ndriçimin e krimit të supozuar?
– Kur një medium, njeri i politikës apo përfaqësues i shoqërisë civile, akuzon personin e tretë për zhvatje, haraç, fajde dhe vepra të tjera kriminale, a konsideroni se, konform ligjit dhe obligimeve kushtetuese, jeni të obliguar të veproni për të zbardhur të vërtetën dhe ndriçuar krimin e supozuar, të denoncuar publikisht?
Z. Kabashi,
Një shoqëri demokratike nuk mund të stabilizohet dhe të jetë funksionale, nëse organet e drejtësisë nuk e kryejnë punën e vet.
Kur të pafajshmit akuzohen dhe denigrohen, ndërsa fajtorët mbesin të lirë dhe të paprekshëm, shoqëria rrënohet moralisht. Rrënohet motivi i njerëzve për t’u angazhuar në punë të ndershme, dhe inkurajohet më tej krimi, korrupsioni dhe zhvatja.
Unë, si qytetar i Kosovës, i jap vetës të drejtë të kërkoj nga ju përgjegjje. Ju e udhëheqni institucionin që ka për obligim të mbrojnë jo vetëm dinjitetin tim si qytetar, por edhe të mbrojë ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e këtij vendi, që të mos lejojë që njerëzit e pafajshëm të dënohen moralisht dhe fajtorët të mbesin të lirë e të paprekshëm, thuhet në fund të letrës së kryetarit Haradinaj, adresuar kryeprokurorit të Kosovës, Ismet Kabashi.