3.6 C
Prizren
E shtunë, 21 Dhjetor, 2024

Haradinaj: Votojeni Latifin!

haradinaj dhe LatifiNë Qendrën e Kulturës “Mensur Zyberaj” në Rahovec, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës mbajti tubim të madh parazgjedhor, ku ishte i pranishëm edhe lideri i kësaj partie, Ramush Haradinaj, dhe zyrtarë të lartë të AAK-së.

Kryetari aktual i komunës dhe kandidati i AAK-së për kryetar Smajl Latifi, tha se AAK-ja është dëshmuar me punë e përkushtim të madh, prandaj ka të drejtë morale të kërkojë mbështetjen qytetare edhe për një mandat të plotë.
“Kam qenë i nderuar që më keni dhënë besimin të menaxhoj me pasurinë tuaj, ndërsa tani jam krenar të raportoj para jush për të gjitha arritjet”, tha Latifi.

“Zotimi ynë ka qenë i qartë: Identitet dhe zhvillim. Përmes investimeve në infrastrukturën shkollore, shëndetësore, kulturore, mbi e nëntokësore, investime në trashëgiminë kulturore e historike, lobim i vazhdueshëm për hulumtim të fondeve mbështetëse për bujqit e vreshtarët e vyeshëm të Rahovecit, investime në ekonomitë e vogla familjare, mbështetje konkrete për perimtarinë, sigurimi i fondeve të huaja për industrinë përpunuese të pemëve, perimeve e rrushit dhe shumë veprime të tjera të padukshme, i kanë rikthyer shpresën qytetarit të Rahovecit”.

“Identiteti i rahovecianëve është PUNA. Puna e ndershme dhe e përkushtuar. Të tillë jemi ne. Prandaj, kemi plotësisht të drejtë morale të kërkojmë mbështetje edhe për një mandat të plotë, sepse punët e deritashme do të mbeten nën hijen e punëve që do të kryhen për katër vitet në vijim. E themi këtë sepse ne dimë kush jemi dhe e dimë ku do të arrijmë”, ka theksuar Latifi.

“Tashmë faza e stabilizimit të institucioneve lokale ka kaluar dhe para nesh shtrihet rruga e gjatë dhe e vështirë e zhvillimit ekonomik e social. Fokusi ynë kryesor do të jetë bujqësia, sidomos përmbyllja e ciklit të prodhimtarisë bujqësore. Stimulimi i kapaciteteve përpunuese të pemëve, perimeve rrushit dhe prodhimtarisë blegtorale, do të jenë në qendër të aktivitet tonë. Natyrisht se edhe fushat e tjera të jetës nuk do të lihen anash, sepse jeta e njeriut është komplekse dhe përveç nevojave materiale kërkohet edhe përmbushja e njeriut si qenie shoqërore”, shtoi Latifi.

Ndërsa lideri i AAK-së Ramush Hardinaj, u fokusua në ndershmërinë dhe përkushtimin e Smajl Latifit, duke shtuar se në takimet që ka pasur me përfaqësuesit ndërkombëtar ka marrë lëvdata për punën e Latifit si kryetar komune.

“Më besoni të nderuar rahovecianë, kam pasur takime të shumta me miqtë tanë ndërkombëtarë dhe me investitorë të mundshëm të cilët kanë pasur kontakte me Smajl Latifin. Ata më kanë thënë se në Rahovec e kanë parë funksionimin e mirë të pushtetit. Prandaj, sot jam i kënaqur që mund t’ju drejtohem me kërkesën që të votohet Smajl Latifi dhe lista e AAK-së. Në këtë mënyrë ju do të keni mundësi t’i jepni një shans më shumë zhvillimit të gjithëmbarshëm të komunës tuaj”.

“Smajli është ikonë e ndershmërisë, prandaj mbështetja për të është mundësi zhvillimi. Ju siguroj se së shpejti do të jem kryeministër i vendit dhe se së bashku me Smjal Latifin si kryetar të komunës tuaj do të punojmë që këtu të ndodhin zhvillime pozitive”, deklaroi Haradinaj.

“Kurse atyre që premtojnë në kohë fushatash të rrisin rrogat, të mbështesin bujqësinë, të investojnë shuma marramendëse, ne u themi, pse po i leni të gjitha këto në kohë zgjedhjesh dhe pse nuk po i bëni më herët? Neve askush nuk mund t’na ndalë që të punojmë shumë dhe ndershëm për vendin tonë gjatë gjithë kohës”, u shpreh ndër të tjera, Haradinaj.

Për arritjet e qeverisë komunale nën drejtimin e Smajl Latifit foli shefi i shtabit zgjedhor, Musa Cena, i cili tha se askush më përpara nuk ka punuar më me përkushtim sesa Latifi. “Prandaj, ai është i testuar dhe ne duhet t’ia japim besimin edhe për një mandat të plotë”.

Kurse Fatmir Iska, bartës i listës zgjedhore të AAK-së, prezantoi 34 kandidatët e kësaj liste dhe kërkoi që krahas votës për krytarin Latifi të votohen edhe kandidatët e përzgjedhur të AAK-së.

Më Shumë

Parashqevi Simakut i plotësohet dëshira, bie në kontakt me djalin

Ikona e muzikës shqiptare, Parashqevi Simaku ka bërë të ditur mbi një zhvillim të fundit, ku thotë se ka komunikuar me djalin e saj. Ajo...

Dominimi i Ballkanit: Klubi, futbollisti dhe trajneri më i mirë për vitin 2024

FC Ballkani ka vulosur edhe një herë statusin e tij si fuqia kryesore në futbollin kosovar, duke fituar tre çmime madhore për vitin 2024....

Lajmet e Fundit