12.8 C
Prizren
E enjte, 28 Mars, 2024

Haziri: S’ka kthim prapa

LutfiHaziri5-30Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka thënë se në asnjë rrethanë nuk do të dështojë formimi i qeverisë së re nga koalicioni LDK-AAK-NISMA.

“Kjo qeveri do të formohet dhe do të jetë funksionale sepse ky koalicion nuk është formuar nga vullneti individual, por nga vullneti i qytetarëve për ndryshim. Nuk do të ketë kthim prapa sepse ky koalicion ka grupimin më të madh parlamentar”, ka thënë Haziri në këtë intervistë për “Epokën e re”.

Në të kundërtën, ai ka bërë me dije ky koalicion është i gatshëm të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme si koalicion parazgjedhor, i cili do të quhej “Kthimi i shpresës për qytetarët e Kosovës”.

“Opsioni i zgjedhjeve nuk e frikëson LDK-në. Ne tashmë e kemi ndërtuar një kulturë bashkëpunimi, një kulturë koalicioni, bile edhe një emër ia kemi lënë: ‘Kthimi i shpresës për qytetarët e Kosovës’”, ka deklaruar Haziri.

Ai është shprehur kundër krijimit të një qeverie teknike, duke thënë se Kosova ka probleme të rënda politike. “Kosova është aq shumë politike, populli i saj është aq shumë i interesuar për zhvillime politike saqë asnjë qeveri teknike nuk mund t’i zgjedhë problemet politike”, ka theksuar Haziri.

Haziri e ka hedhur poshtë mundësinë që Eqrem Kryeziu të jetë larguar nga LDK-ja për shkak të rreshtimit të kësaj partie në koalicionin paszgjedhor.

“Dorëheqjen e tij duhet lexuar mirë, sepse nuk ka të bëjë as me rreshtimin e as me vendimin e LDK-së, por ka të bëjë me rezultatin në Prizren”, ka thënë Haziri.

Ai ka bërë më dije se nuk ka ambicie për t’u bërë kryetar i LDK-së, por ka thënë se nuk do të lejojë të vijnë në krye të partisë njerëzit që kanë ikur nga oxhaku të cilët i kanë fytyrat e zeza.

“Nuk kam asnjë ambicie tjetër përpos ta luaj rolin dhe angazhimin tim në LDK. Aty ku ka kërkuar LDK-ja për të qenë aktiv dhe konkurrues e kam bërë një gjë të tillë. Nëse do të jetë e nevojshme, do të shkoj të bëhem edhe kryetar i bashkësisë lokale, por nuk lejoj që në krye të LDK-së të vijnë ata që kanë ikur prej oxhakut, sepse janë me fytyrë të zezë”, ka thënë Haziri.

Më Shumë

Lajmet e Fundit