“Hylli i Dritës” ka qenë organi i françeskanëve shqiptarë që është hapur e mbyllur disa herë. Është jo vetëm pioniere e revistave albanologjike shqiptare, por edhe një nga zërat më autoritativë të historisë së letrave shqipe. E filluan përfaqësues të nderuar të Provincës Françeskane, me në krye at Gjergj Fishtën por shpejt ajo e kaloi oborrin e tyre, pasi nuk ishte më vetëm zëri i intelektualëve katolikë, por edhe përfaqësimi i një grupimi shumë cilësor albanologësh, gjuhëtarësh, letrarësh, folkloristësh të mëdhenj, që ndikuan si pakkush në kulturën kombëtare. Me rastin e 100-vjetorit të botimit të saj, “Milosao” i përcjell një nderim të madh këtij organi që ka ndikuar si pakkush në kulturën kombëtare. Pranë kuvendit të Gjuhadolit më datë 2 dhjetor do jetë përkujtimi i saj i madh…
Intervistë me drejtuesin e “Hyllit të Dritës”, Ardian Ndreca për “Milosao”. Si e sheh ai kontributin e revistës në kulturën kombëtare dhe sfida për ta mbajtur atë sërish në jetë…”Ubi spiritus Domini ibi libertas” (Ku është shpirti i Zotit atje është liria) ka mbetur motivi i tyre kryesor
“Hylli i Dritës” ka pasur një nga fatet më të këqija në letrat shqipe pasi është mbyllur dhe hapur disa herë. Veç kushteve ekonomike, a mendoni se një nga arsyet kryesore ka qenë politika editoriale e saj?
“Besoj se Hylli i Dritës ka pase fatin e keq pse asht mbyllë katër herë, por edhe fatin e mirë pse ka lindë apo rilindë pesë herë. Asnjiherë arsyeja e mbylljes nuk kanë qenë shkaqet ekonomike, mbasi françeskanët kanë hangër edhe bukë e djathë por për kulturën kanë dhanë gjithçka. Në 1914 shkaku i mbylljes ishte politika imperialiste, kryesisht e Italisë por edhe e Fuqive tjera që kishin interesa dhe donin me e shkallmue Shqipninë e sapodalun prej zgjedhës otomane. Në vitin 1924 shkaku qe rreshtimi i klerit françeskan e atij katolik në përgjithsi me Gurakuqin dhe Nolin. Në vitin 1944 shkaku qe urrejtja e verbët komuniste ndaj traditës dhe ndaj klerit katolik. Në 1997 arsyeja duhet gjetë në kobin që i shkaktoi Shqipnisë politika vllavrasëse dhe grafullimet komuniste, anarkiste, me nji fjalë shtetshpërbamja që ushqeu Sali Berisha me nji seri eksponentash majtas dhe djathtas. Në 1997 Hylli i Dritës nepërmjet Át Zef Pllumit ishte rreshtue haptas kundër aventurës së firmave piramidale, por pa mbështetë anarkinë. Kam qenë vetë i pranishëm, së bashku me persona të tjerë, gjatë nji bisede telefonike ndërmjet Át Zef Pllumit që asokohe gjindej rastësisht në Romë, dhe Pjetër Arbnorit. Këtij të fundit, edhe si ish-bashkëvuejtës, françeskani i kërkonte shpërndamjen e parlamentit dhe krijimin e nji asambleje të të urtëve që të merrte në dorë gjendjen tue instaurue nji dialog ndërtimtar që politika nuk e donte kurrsesi në ato çaste”.
“Hylli i Dritës” është zhvilluar përmes katër etapave, që në fakt kanë qenë të detyruara prej ndërprerjeve. Cila mendoni se është kreshta e kurbës cilësore të saj?
“Mendoj se në periudhën 1930-1944 Hylli i Dritës ka përjetue nji fazë fatlume, por tue e lanë mënjanë modestinë, edhe periudha prej 2006 deri më sot shenjon nji rritje cilësore të dukshme të revistës, ketë gja e dëshmon padyshim edhe fakti që në vitin 2012 e përkohshmja asht renditë prej Anvur (National Agency for Evaluation of Universities and Research Institutes) në listën e revistave shkencore të vlefshme për habilitacionin akademik në Itali”.
Si u arrit që në këtë organ të përfshiheshin disa nga emrat më të njohur të albanologjisë?
“Emni i mirë i nji të përkohshmes, e ketë gja mund ta them me njifarë sigurie tue qenë se e drejtoj Hyllin e Dritës prej vitit 2006, mbahet dhe rritet prej dy faktorësh: prej së kaluemes së saj dhe prej së tashmes. E kaluemja e Hylli të Dritës në fillim na “peshonte” tue na ndërgjegjësue për barrën e randë që kishim marrë. Me sa duket prej fakteve, cilësia gjithnji e në rritje afroi emna të spikatun të albanologjisë dhe kjo gja asht e dukshme”.
A ka pasur ndonjë mundësi pas Luftës së Dytë Botërore edhe pas goditjeve ndaj Françeskanëve, që kjo revistë të funksiononte?
“Asnji mundësi. Komunizmi mbylli edhe disa organe shtypit me karakter fetar krejtsisht pa influencë dhe jashtë debatit politik, jo ma Hyllin e Dritës që kishte kontribue në mënyrë aktive në ndriçimin e shqiptarëve edhe ndaj rrezikut bolshevik. Dikush u rrejt prej ideologjisë komuniste, dikush tjetër mendoi se tue ndejt në liman pa ngrehë velat do t’i shpëtonte stuhisë, por gaboi, dhuna e ngritun në rang sistemi i fundosi edhe në liman do figura në pah. Të paktën Hylli i Dritës dhe Etnit që e drejtonin ranë tue ba detyrën e vet: tue i hapë sytë njerzve rreth rrezikut sllav dhe tue i drejtue thirrjen mos me ba nji luftë vëllavrasëse”.
Cilat janë disa prej debateve më të mëdha që ka gjeneruar kjo revistë?
“Ka shumë debate në këto dhjetë dekada. Fishta shkaktoi zemrimin e Fuqive të Mëdha me nji artikull të korrikut 1914 me titull “Nji komedi e pandershme e XX qindvjetë”. Po ai bani nji polemikë të fortë me Hilë Mosin me nji letër të hapun në dhjetor të vitit 1932. Po në këto vite ka disa polemika me I. Bebeziqin, I. Toton. Vitet e fundit Hylli i Dritës ka polemizue me fenomenin e neo-otomanizmit si edhe ka marrë pjesë në debatin e rishkrimit të historisë e në atë rreth figurës së Gjergj Kastriotit. Megjithatë nuk asht polemika forca e Hylli të Dritës, por veprimi ndërtimtar në lamijen e kulturës dhe shkencës”.
Cilat janë disa nga sfidat me të cilat përballeni në ditët tona dhe si funksionon politika juaj editoriale?
“Sfidat e Hylli të Dritës janë të lidhuna me dashuninë dhe mungesën e dashunisë për kulturën. Edhe indiferenca e vret kulturën, cektësia, injoranca e ngritun në piedestal në të gjitha fushat e jetës. Sot ka nji mungesë interesimi mbresëlanëse kundrejt kulturës. Hylli i Dritës del falë kontributit vullnetar të nji bërthame të vogël njerzish, nuk merr subvencione as prej Shtetit dhe as prej shoqatave dhe organizatave ndërkombëtare që derdhin tash dy dekada nji lum paresh në Shqipni. Megjithatë Hylli i Dritës funksionon dhe prodhon kulturë, ndërsa disa dhjetra pseudo-organe e sidomos shoqata etj. janë thjesht leskra kulturet dhe i shërbejnë herë njenes herë tjetrës palë politike, por mbi të gjitha i shërbejnë xhepave të atyne që i drejtojnë”.
A ka kufizime për autorë të besimeve të tjera?
“Nuk ka pasë asnjiherë kufizime dhe nuk ka as sot. Për ketë gja nuk ka nevojë që të më besoni mue, mjafton me pa emnat e autorëve që botojnë. I vetmi discrimen asht cilësia shkencore e punimeve”.
Si e shikoni “Hyllin e Dritës” në të ardhmen? A mendoni se do të ketë kufizime të tjera?
“Nuk mundem me parashikue të ardhmen, por edhe po pati nuk asht ndonji tragjedi e madhe. Lufta, ndeshja dialektike, thotë Herakliti, asht zanafilla e të gjitha gjanave. Edhe ndërgjegjësimi ynë, edhe vetë liria shpirtnore e ajo shoqnore janë fryt i nji ndeshjet mes të kundërtave. Un jam shumë larg utopisë naive të F. Fukuyama-ës apo ndonji tjetri që e sheh të mbyllun historinë, jemi në rrugëtim, do të ketë ndeshje, të vramë e të plagosun, por kam besim se betejën për kulturën do ta fitojnë forcat e dritës dhe jo ato të territ. Jo më kot në eksergo të Hyllit të Dritës gjejmë këto fjalë: Ku asht Shpirti i Zotit, aty asht liria.
Kjo vlen edhe për laikët, në sensin e Idesë, të nji entiteti sipëran ideal që na udhëheq, që na ban me u ba ma të mirë, ma njerëz, ma të ndriçuem. Nëse asht transhendent apo imanent, kjo asht çeshtje tjetër, por të paktën deri këtu mund të dialogojmë pozitivisht si shoqni laike por e hapun. Hylli i Dritës rreh me përurue vlerat e jo me i kufizue ato, ky asht edhe shpirti i shën Françeskut. Ketë do të kremtojmë në Shkodër, pranë kuvendit të Gjuhadolit me datën 2 dhjetor, nji revistë 100 vjeçare që ecë me hapin e simotrave të veta ma të mira në Ballkan e ma gjanë”.