19.8 C
Prizren
E diel, 8 Shtator, 2024

Hysaj: Akademia Evropiane, një mundësi e rrallë

Ujkan HysajRegjisori, Ujkan Hysaj, ditë më parë qe selektuar bashkë me 12 artistë tjerë evropianë të jetë pjesëmarrës në “A Sunday in the Country”, një program i Akademisë Evropiane të Filmit EFA, me propozim të Qendrës Kinematografike të Kosovës. Kjo akademi synon të ndihmojë filmbërësit e rinj evropianë në projektet e tyre të ardhshme.

Vetë regjisori Hysaj ka thënë për “Zërin” se pjesëmarrja e tij në këtë Akademi të filmit është shumë e rëndësishme për karrierën e tij si regjisor: “Është mjaft e rëndësishme për mua fillimisht si një regjisor dhe producent i ri që Akademia e Filmit të Evropës është një mundësi që rrallëherë mund t’i ofrohet një regjisori. Takimi me ekspertë të filmit të EFA-s dhe regjisorët e tjerë të shteteve tjera besoj që do të më hap rrugë për depërtimin tim, duke krijuar kështu kontakte të reja me producentë eminentë në fushën e kinematografisë”, ka thënë Hysaj.

Ai më pas ka treguar se gjatë qëndrimit të tij atje për tri ditë radhazi do të diskutojnë për eksperiencat e tyre.

“Tema do të jetë vetë prania jonë atje, për tri ditë radhazi do të diskutojmë për eksperiencat tona dhe do të shkëmbejmë idetë për projektet e ardhshme që mendojmë t’i realizojmë”, u shpreh Hysaj.

“A Sunday” është një takim fundjave dedikuar 13 kineastëve e rinj evropianë, që do të takohen me disa ekspertë të çmuar të EFA-s. Atmosfera private e projektit është një mundësi e madhe për diskutime joformale, me mendje të hapur dhe një platformë për frymëzim dhe shkëmbimit të ideve.

Regjisori, Ujkan Hysaj, ka theksuar se në kuadër të kësaj Akademie filmike, ai do të prezantojë disa projekte për filmat e shkurtër që mendon t’i realizojë.

“Do të prezantoj disa tema të filmave të shkurtër që mendoj t’i realizoj si dhe projektin tim të ardhshëm, filmin e gjatë, ku ky takim besoj që do të m’i hap rrugët pikërisht për mundësinë e koproduksionit për këtë film”, ka deklaruar për gazetën Hysaj, duke shtuar më pas se këto evente po i ndihmojnë mjaft kinematografisë kosovare pasi që në të ardhmen edhe Kosova do të mundë të jetë nikoqire e këtyre evenimenteve të mëdha.

“Pas gjithë kësaj unë personalisht pres lidhjen e një koproduksioni me ndonjë producent atje dhe nisjen e kërkimit të fondeve për projektin e filmit të gjatë”, tha Hysaj.

Ujkan Hysaj, si regjisor dhe producent i filmit, ka realizuar disa projekte në film të metrazhit të gjatë dhe të shkurtër, si dhe dokumentar. Filmi i tij “Kolona” ka fituar 15 çmime ndërkombëtare, duke u bërë kështu një ndër filmat kosovarë me më së shumti çmime.

Më Shumë

2541 vozitës u gjobitën për një ditë në Kosovë

  Policia e Kosovës, ditën e 4 shtatorit ka gjobitur në trafik 2 mijë e 541 vozitës. Kjo sipas statistikave ditore të policisë. Ndërkaq janë regjistruar dhe...

Nagavci uron nxënësit dhe mësimdhënësit për fillimin e vitit të ri shkollor

Ministrja e Arsimit, Arberie Nagavci, u ka uruar vit të mbarë të gjithë nxënësve me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor. “Sot fillon...

Lajmet e Fundit