7.8 C
Prizren
E enjte, 25 Prill, 2024

A i ideoi Ismail Qemali simbolet tona kombëtare?!

Ismail QemaliGjatë gjithë periudhës që prej shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë më 28 Nëntor 1912 e deri më sot, janë me dhjetra format e regjimeve politike që u eksperimentuan në Shqipëri, duke filluar prej formave të republikës parlamentare, mbretërisë, regjimeve fashiste dhe diktatoriale komuniste e deri tek demokracitë pluraliste, në ditët e sotme. Po ashtu, në përputhje me konjukturat politike të ditës kemi pasur edhe shembujt se si zvogëlohej, tkurrej ose në ndonjë rast shkonte në kufijtë natyralë edhe kufiri shtetëror i Shqipërisë, në krahasim me kufijtë e Shqipërisë në kohën e shpalljes së Pavarësisë prej Ismail Qemalit. Pavarësisht sa më sipër, ato që s`kanë ndryshuar prej atëhere, është akti i unik i shpalljes së pavarësisë në vetvete si dhe përzgjedhja e duhur e dy simboleve tona kombëtare: flamurit dhe himnit tonë kombëtar.

Ç`përfaqësojnë këto simbole kaq të rëndësishme në thelbin e tyre për mbarë popullin tonë dhe si duhet ta zbulojmë kontributin e Ismail Qemalit në përzgjedhjen e këngës “Rreth flamurit të përbashkuar” si kënga jonë kombëtare?

Për këdo që e njeh sadopak origjinën dhe kontributin e familjes Vlora dhe veprimtarinë e ngjeshur politike dhe administrative të Ismail Qemalit në institucionet e ndryshme të Perandorisë Otomane, nuk do ta ketë të vështirë të zbulojë disa të vërteta të thjeshta që lidhen të. Kemi të bëjmë me një familje të madhe të lidhur ngushtësisht sa me Shqipërinë natyrale dhe me shtresat e ndryshme shoqërore të saj, e po aq, me formimin me kulturë të shëndoshë klasike dhe bashkëkohore të pjesëtarëve të kësaj familjeje, e posaçërisht të Ismail Qemalit, i cili çmonte rëndësinë që pati në formimin e tij intelektual veçanërisht kultura franceze dhe angleze. Në shtypin shqiptar të kohës çmohej se Ismail Qemali u rrit në Evropë, duke u ushqyer me liri të kaltërt e të qëruar e nuk do trembet asgjë përpara së drejtës. Duket se pjesë e kulturës europiane është edhe njohja e organizimit të shtetit dhe e funksioneve të tij në administrimin e jetës shoqërore, ekonomike dhe politike të një vendi të caktuar.

Vetë familja Qemali dhe pjesëtarët e saj, me rrënjë e me degë, prej qindra vitesh, ishte e shpërndarë si një yllësi hapësirave të Shqipërisë etnike dhe të mbarë Perandorisë. Ismail Qemali flet në kujtimet e tij për amanetet e të vdekurve të Vlorajve (gjysh, gjyshe, xhaxhallarë, nipa, kushërinj, të afërm etj), të rënë në luftë ose të vdekur natyralisht në shtrat, që kurmi i tyre të kthehej në atdhe, në Vlorë. Pjesë e kësaj njohjeje të tij ishin të lidhura edhe me trashëgiminë shpirtërore të popullit shqiptar, në mënyrë të veçantë me këngët dhe vallet e tij heroike, të cilat në thelb dëshmonin rezistencën e një populli dhe aspiratat e tij për liri dhe pavarësi. Ismail Qemali vazhdimisht theksonte se shqiptari mbi të gjitha vë nderin, familjen dhe vendin e vet!

Simbolet e Ismail Qemalit
Pa u zgjatur në hollësi të tepërta, do të fokusohem në disa të dhëna që lidhen me njohjen shumë të rëndësishme që Ismail Qemali kishte për simbolet shpirtërore për një komb dhe fuqinë e tyre në krijimin e unitetit kombëtar. Në thelb, përcaktimi i dy simboleve bazë të një shteti është një punë nga më të vështirat, pasi në rast se simbolet nuk janë te gjetura ashtu siç duhet dhe pa kontekst të rëndësishëm patriotik, filozofik dhe artistik, zhvlerësohen dhe dalin nga përdorimi shumë shpejt. Për këtë gjë mjafton të shohësh historikun e simboleve të vendeve fqinjë me ne, e më gjerë. E kundërta ka ndodhur me këto dy simbole, të cilat pagëzuan si shtetin shqiptar në vitin 1912, por u shndërruan në simbole unikale të gjithë shqiptarëve, kudo ku janë, sot e mot.

Nuk është e rastësishme që në fillim të viteve 1900, në kohën kur ende Shqipëria ishte nën sundimin osman, në këngët e sapokrijuara patriotike shqiptare, ndër to kënga “Betimi mi flamur” e krijuar në vitin 1908, u artikulua qartë, si në një lloj manifesti, pavarësia e Shqipërisë. Vargjet si: Në dorë armët do t`i mbajmë/Të mprojmë atdhenë më çdo kënt/Të drejtat tona ne s`i ndajmë/Këtu armiqtë s`kanë vent nuk ishin gjë tjetër veçse një thirrje për mbrojtjen e integritetit territorial të Shqipërisë së pavarur. Pikërisht, kjo kërkesë sublime, shprehje e shpirtit të lirë të shqiptarit, ndodhi në kohën kur qeveria e re e xhonturqve premtonte vetëm liri dhe të drejta vetëm brenda suazës së perandorisë dhe kur diplomacia ndërkombëtare ishte e preokupuar më së shumti me plane për copëtimin e Shqipërisë, se sa me projektin e një Shqipërie vërtet të pavarur. Por le të shohim më konkretisht lidhjen flamur dhe himn flamuri.

Ismail Qemali ka një lidhje shumë të veçantë, por të pandriçuar sa duhet e të pathënë me forcë deri më tani, me shqiponjën e flamurit tonë kombëtar, shumë më përpara se ai të ngrihej në Vlorë prej tij, si shenja më e qartë e Shqipërisë së pavarur. Në kujtimet e tij, ai shkruan se gjatë kohës së qëndrimit në Janinë në vitet 1860-1867, pati mundësinë të vizitojë një çiflig të një miku të tij në fshatin Melingouss ku atij i treguan edhe disa rrënoja me rëndësi shumë të madhe sipas tij, që i kujtonin përshkrimet antike të vendit të Dodonës dhe të Malit Tmarus së bashku me lisat shekullorë rreth e rrotull tyre, ende të pazbuluara në atë kohë. Ismail Qemali këtë vizitë të tij ja përshkruan mikut të tij të fëmijërisë Z. Konstantin Karapanos, megjithëse një ekspeditë arkeologjike franceze kishte deklaruar së ishte thjesht fantazi gjetja e Dodonës antike në atë zonë. Konstantin Karapanosi (i cili megjithë amatorizmin dhe prirjet filogreke gjatë veprimtarisë së mëvonshme të tij në dëm të interesave kombëtare të shqiptarëve, sidomos për çështjen e Epirit), në gërmimet arkeologjike që bëri disa vjet më vonë, në të njëjtin vend të sugjeruar por edhe i ndihmuar prej Ismail Qemalit për marrjen e lejes prej autoriteteve osmane, zbuloi Dodonën antike dhe Zeusin e Dodonës së bashku me simbolin e shqiponjës epirote që mban në kthetra rrufenë e tij! /BW/

Më Shumë

Ballkani në finale të Kupës

Skuadra e Ballkanit luajti baras me Suharekën në ndeshjen kthyese të gjysmëfinales së Kupës (2-2), por e ka siguruar kualifikimin në finalen e madhe...

Zyrtare: Cannavaro, trajneri i ri i Udinese

Fabio Cannavaro është trajneri më i ri i skuadrës së Udinese. Klubi bardhezi ka kënaqësinë të mirëpresë kampionin e botës dhe fituesin e Toipt të...

Lajmet e Fundit