16.8 C
Prizren
E premte, 29 Mars, 2024

Ikja e Odisesë

(Shkrimi është marrrë nga monografia “BEKIMF EHMIU-Odiseu i Kosovës” i autorit Fahri Musliu)

Shkruan: Salajdin SALIHU
(21.06.2010)

Kumti për shuarjen e Gjeniut më përcillej nëpërmjet një sms-i nga miku im, aktori Refet Abazi: “Lajmi më i hidhur i vitit: Bekim Fehmiu ka bërë vetëvrasje. Një artist kolos. Humbje e madhe”!

Gjeniu, pasi rregulloi gjërat personale dhe pasi shkroi letrën e lamtumirës për të afërmit (“U dua shumë, por jeta më është bërë e pakuptimtë”), hodhi një pëlhurë në kokë, që gjaku i tij mos bëhej trishtues. Pistoletën e tij, me të cilën nuk mund të vriste askënd tjetër përpos vetvetes, e shtrëngoi fuqishëm që të flak të dyshimet për ndonjë vrasje të paramenduar. Ai kishte një virtyt: nuk dinte të urrente në këtë botë kaq të egër dhe me kaq pak dashuri.

Çfarë tronditje shpirtërore e kishte shtyrë gjeniun drejt vendimit fatal? Përse më parë ishte mbyllur në guacë vetmie? Çka i mungonte pushtuesit të Olimpit të lavdisë? Mos lavdia ishte barrë e rëndë, përgjegjësi dhe pafuqi përballë kalorësve të së keqes? Mos ishte vetëvrasje politike, sikurse tha një aktor serb, duartrokitës i Millosheviqit?

Odiseu mori shumë të panjohura dhe la një amanet: trupi t’i digjej nën përcjellje të Bethovenit, kurse hiri t’i dërgohej në Itakën e tij, në Prizren. “Kam pasur një mundim të madh shpirtëror. Asgjë nuk kam arritur, një asgjë absolutë përballë kalorësve të apokalipsit. Ashtu si Stefan Cvajgu në “Botën e djeshme”, kam arritur izolimin, vetminë. Kjo më shtyri që të shkruaja kujtimet e largëta”.

Ata që e kanë lexuar librin “Bota e djeshme, kujtimet e një evropiani” të Cvajgut (një shkrimtar i vetëvrarë, i zhgënjyer nga çmenduria njerëzore gjatë Luftës së Dytë Botërore), mund të heqin një paralele ndërmjet dy artistëve. Të dy kishin besuar në fuqinë e artit. Të dy nuk mund të urrenin. Të dy kishin besuar në moton domethënëse: Jeto dhe lëri tjerët të jetojnë… Por idealet e tyre ishin rrënuar sakaq. Bota sakaq kishte përjetuar një tronditje morale dhe ishte kthyer me mijëra vjet pas.

Të dy kishin pësuar ekzilin. Njëri të jashtmin, kurse tjetri të brendshmin. Të dy shkruan pa urrejtje edhe pse qenë pre e urrejtjes së egër. Të dy u mburrën me përkatësinë e tyre. Të dy e ndjenë vetën qytetarë të Evropës dhe besuan në vlerat superiore humane. Të dy ndjenë neveri për turmën, këtë masë amorfe që pëson ekstazë shpejt dhe pastaj bie në dëshpërim të thellë. Të dy përfunduan tragjikisht, pasi kishin shkruar kujtimet e largëta…

Ikja e Odisesë i tronditi grekët dhe trojanët e armiqësuar: serbët dhe shqiptarët.
Aktori gjenial, që kishte bashkëpunuar me emrat më të njohur të kinematografisë botërore, që nuk kish të pranuar pensionin nacional serb, më 1987 braktisi skenën teatrore, këtë “sintezë të brendshme të epokës”, këtë “univers të përqendruar”, që ka magjinë e një pasqyre hamletiane ku e shohim ligësinë tonë.

Një akt qytetar dhe artistik kundër albanofobisë serbe. Bëri atë që mund ta bën të një njëri i artit. Si testament jetësor zgjodhi poezinë e poetit të humbjes Dushan Vasilevit “Njeriu këndon pas lufte”; një vjershë e shkruar në vitet 20 të shekullit të kaluar, mbi kasaphanën e luftës dhe shfytyrimin njerëzor, ku dushmani quhet vëlla dhe ku, pas lufte, nuk kërkohet trofe, por ca rreze drite, ca qumësht dhe vesë të bardhë mëngjesore.

Bekim Fehmiu nuk ishte përfituesi i luftës që kërkonte trofe, sikurse shumë kolegë të tij ser bë, por artisti që i mjaftonte vesa e mëngjesit. Mbeti njeriu i lirë, që eci kundër rrymës, besoi në fuqinë e artit dhe nuk abuzoi me lavdinë e tij.

Në mesin e shqiptarëve ka të paditur që e akuzojnë se jetoi në Beograd me një grua joshqiptare, por harrohet se po ajo grua nuk e braktisi kurrë, nuk i pengoi përkatësia e tij etnike, prandaj meriton respekt të veçantë.

Të marrë që mohojnë Bekim Fehmiun një kombi i lindin shpesh, por njerëz si Bekim Fehmiu i lindin shumë rrallë. Gjeniu edhe në Beograd jetoi dhe u ndje krenar si shqiptar, përkundër atyre që ndërrojnë identitetin sapo dalin nga katundet e tyre. Fehmiu pushtoi skenat teatrore të Beogradit. Nuk shiti as byrekë, as bakllava. Nuk e duroi përçmimin. Por Bekim Fehmiu ishte nga ata që ka nevojë Ballkani: të duash kombin tënd nuk është kusht që të urresh të tjerët. “Mua askush nuk mund të ma cenojë lirinë. Mund të ma presin kokën, por unë jam njëri i lirë. Kurrë nuk jam ndjerë rob”, tha gjatë një interviste për një medium serb…

Se sa i çmuar ishte ai dëshmojnë lajmet e shumëfishuara nga mediat botërore, me titujt të ndryshëm dhe në shumë gjuhë: “Ikja e legjendës”, “Fund tragjik i aktorit të madh”, “Vdekje tragjike e yllit të kinematografisë”, “Iku edhe Bekim Fehmiu”, “Udhëtimi i fundit i Odisesë”, “Njeriu që nuk mund të urrente”, “Ikja e Maestros”, “Bekimi jetoi dhe vdiq si samuraj”, “Vdekja e simbolit” etj. Pa mos harruar një media shqiptare, e cila informoi për “aktorin me origjinë shqiptare…”! A nuk e kishte braktisur promovimin e një filmi, vetëm pse e kishin quajtur aktor jugosllav ose pse kishin kërkuar që ta ndryshonte emrin?

Gjithashtu, gjatë shfletimit të medieve të rajonit, përfshirë edhe mediet serbe, lexon komente lexuesish të zakonshëm që e vlerësojnë më shumë se sa shqiptarët: “Qielli fitoi edhe një yll”; “Dhimbje… Odiseu lundroi në kërkim të ishullit qiellor”; “Me Bekimin iku edhe një pjesë e rinisë sime”; “Ishte njëri i mirë dhe i ndershëm (ashtu siç janë shqiptarët) dhe vështirë e përjetoi përçmimin e dinjitetit njerëzor…”; “Bekim, kthehu, ka edhe shumëçka për t’u bërë”; “Realiteti ndonjëherë është i hidhur, si në këtë rast. Iku Bekimi ynë, Odiseu ynë, Bora ynë… Iku bardi… E di se ka shkuar në një botë më të mirë… Ul kapuçin para titanit”; “Disa njerëz nuk mund ta durojnë ligësinë e jetës, iu vjen neveri, ikin nga bërlloku… Zoti e mëshiroftë!”.

Në një postim të një serbi shkruan: “U tërhoq për shkak të urrejtjes që e vërejti se bëhet ndaj shqiptarëve, kah mesi i viteve 80-të, sepse si shqiptar që jetonte në Beograd, nuk e kishte lehtë që ta duronte këtë…Edhe kur shkoi në Kosovë, ku shkonte shpesh herë, kurrë nuk e njollosi Beogradin, qytetin ku krijoi familje dhe miqësi. As në kohërat më të vështira nuk i provokoi apo mallkoi serbët si popull, por gjithmonë e potencoi se “fatkeqësisht, ka të këqij në mesin e të gjithëve… por shumica janë të mirë “. Dhe besoi në mirësi. Lavdi e përjetshme”.

Bekim Fehmiu ishte i lidhur intimisht me kulturën shqipe. Gjatë një interviste shprehu adhurimin për gjuhën shqipe: “Nuk e di nëse serbët kanë shkruar ndonjëherë në gjuhën shqipe, ose kroatët, ose sllovenët, ose malazezët, përveç Mark (Milan) Milanit. A ka dëgjuar dikush si tingëllon, çfarë muzike ka ajo gjuhë?”. Dhe sakaq kishte filluar që të recitonte në shqip poezinë “Korbi” të Edgar Allan Po-së…

Këtë aktor, të cilin e kam takuar njëherë dhe pranë tij jam ndjerë si para një titani, e kam adhuruar jo se ishte shqiptar, por si një aktor të kalibrit botëror. Në fund të fundit, në botën e artit nuk vlejnë kriteret etnike, por artistike dhe estetike. Një pohim imi që shpesh ka ngjallur keqkuptime. Nëse arti do të vlerësohej vetëm sipas kritereve etnike, atëherë një Homer do të ishte më i pavlefshëm për botën kulturore shqiptare se sa një shqiptar mediokër. Një sistem kulturor pasurohet kur përthith vlerat e përbotshme kulturore, pavarësisht kush i ka krijuar.

Madje, zhvillohet kur ka më shumë aftësi të përthithjes se sa të krijimit të po këtyre vlerave. Atdhetaria më e madhe nuk është kur e mbyllim sistemin kulturor ndaj vlerave superiore kulturore, por krijojmë një sistem të hapur dhe përvetësues. Çfarë do të ishin shqiptarët po të mos kishin sublimuar vlerat e përbotshme kulturore?

Ka shqiptarë që i japin kombit të tyre, por ka shqiptarë që i japin margaritarë gjithë njerëzimit. Bekim Fehmiu ishte njëri prej tyre, që i dha aq shumë botës kinematografike. Prandaj, në çastin kur e mora kumtin e zi nga Refet Abazi, parashtrova pyetjen: “Përse maestro?”. Por artistët e mëdhenj nuk mund t’i gjykojmë edhe kur marrin vendime të këtilla.

Gjeniu e kishte thënë paraprakisht: “E di që kam bërë diçka që nuk duhej, por megjithatë e bëra”. Bekim Fehmiu ishte njeriu që nuk bënte pjesë në grupin e atyre që flisnin shumë, ishte i veçantë. Një “rezistues i fuqishëm ndaj padrejtësisë”; “njëri shumë i bukur dhe i talentuar për këtë botë”; “që gjithmonë ishte mbi primitivizmin ballkanik”… I veçantë në skenë, në jetë, kudo… madje, edhe në shuarjen fizike.

Odiseu, që pushtoi padiktueshëm zemrat e njerëzve, iku… ose u kthye në Itakën e tij të përjetësisë, në Prizren… Legjenda thotë: Feniksi vetëdigjej dhe shndërrohej në hi, kurse nga hiri rilind përsëri.

Më Shumë

Ish-zëvendësministri për vrasjet në Kosovë: Duhet të angazhohet edhe AKI-ja, kjo është shndërruar në problem kombëtar

Ish-zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha, ka folur mbi ngjarjet e fundit në vend, ku është rritur numri i vrasjeve. Ai tha se pjesën...

Selmanaj synon shtrirjen e LDK-së në çdo familje të Prizrenit

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Prizren, Driton Selmanaj, ka bërë thirrje te të gjithë anëtarët e partisë që të bashkohen për...

Lajmet e Fundit