11.8 C
Prizren
E premte, 3 Maj, 2024

Inva Mula, në rolin e nënës së saj

40 vjet pasi Nina Mula ngjiti në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit rolin e Neddës, e bija Inva Mula shkëlqen në këtë rol/ Pagliacci, opera që lidhi në dashuri çiftin e njohur të operës shqiptare Nina dhe Avni Mula.

Nina MulaE veshur me fustanin e gjatë të Neddës dhe këpucë të bardha, Nina Mula duket e bukur në një foto bardh e zi, bërë gjatë interpretimit në operën Pagliacci në Tiranë, në vitin 1964.

Diku në një cep të skenografisë që duket në foto dallohet portreti i Avni Mulës në rolin e Kanios. Një foto që të rikthen pas në kohë, duke të lënë shijen e ëmbël të një kujtimi, që nuk është vetëm një moment i rëndësishëm për të bijën e tyre, sopranon e njohur Inva Mula, por dhe një moment historie për operën shqiptare.

Duket se Nedda, personazhi që ngjiti këtë fundjavë në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit, ishte më shumë se një dashuri për Inva Mulën.

Kishte një rrëfim tjetër përtej historisë së trishtë të Neddës, këtij personazhi me një fund fatal për shkak të dashurisë. Kjo opera, që e vendosi për herë të parë sopranon e njohur edhe në rolin e regjisores, ishte si një takim i bukur me kujtimin e së ëmës që prej më shumë se një viti nuk jeton më.

Më shumë se 40 vjet nga koha kur Nina Mula e interpretoi Neddën në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit, vajza e saj shkëlqen në këtë interpretim. Në konceptin e shkruar mbi arsyet pse zgjodhi Pagliacci-n për ta ngjitur në skenë, Inva Mula e tregon këtë histori, duke treguar se ajo vetë ishte produkt e kësaj historie, pasi Nina dhe Avni Mula janë dashuruar gjatë interpretimit të kësaj vepre në Rusi.

“Unë vetë jam një produkt i operës Pagliacci. Dikur në konservatorin Tchaikovsky të Moskës studentët e kantos vinin në skenë këtë opera dhe dy të rinj u dashuruan gjatë duetit të Neddës dhe Silvios, por me ndryshimin që ngjarja nuk rrodhi si në opera, por në një dashuri të madhe nga ato më të bukurat dhe pasionantet ku dy të rinjtë, studentë vazhduan ta përjetonin jo vetëm në opera por në 55 vitet që jetuan së bashku”, tregon ajo.

Sopranoja u shndërrua e gjitha në rolin e Neddës, duke i dhënë këtij personazhi jo vetëm forcën e një gruaje për një grua tjetër, por dhe homazhin më të bukur që mund t’i bënte së ëmës.

Më Shumë

Lajmet e Fundit