Kanë kaluar me shumë se një muaj që kur deputetët e Kuvendit të Kosovës votuan kabinetin qeverisës të udhëhequr nga Isa Mustafa, por ky kabinet po vazhdon të qeverisë me vendin pa plan dhe program qeverisës.
Edhe pse në Kuvendin e Kosovës, Mustafa, kishte prezantuar prioritetet e Qeverisë së tij, ai asnjëherë para të zgjedhurve të popullit nuk paraqiti ndonjë dokument apo plan pune, se cilat do të jenë prioritetet e qeverisë së tij.
Analistët politikë, vlerësojnë se mungesa e prezantimit të planit qeverisës po ndodh për shkak të shpejtësisë së krijimit të koalicionit qeverisës.
Njohësi i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri, vlerëson se mënyra sesi ka filluar qeverisjen Isa Mustafa, është rezultat i shpejtësisë me të cilën është krijuar ky koalicion.
Andaj sipas tij, është e pritshme që edhe Qeveria e tij të mos jetë e bazuar në një planifikim afatgjatë.
“Mirëpo, kryeministri Mustafa është i obliguar që të fokusohet maksimalisht me bashkëpunëtorët e tij në krijimin e planit qeverisës, sepse pa këtë plan, qeveria e tij nuk do të ketë orientime strategjike, gjë që do të këtë pasoja negative për institucionet e Kosovës dhe jetën e përgjithshme të kosovarëve”, ka thënë Muhaxhiri, për Gazetën Tribuna.
Ai mendon se kryeministri Mustafa është dashur që së paku në vija të trasha t’i paraqes disa nga shtyllat e qeverisjes së tij.
“Por, edhe kjo ka qenë e pamundshme të bëhet nga ana e tij, sepse Isa Mustafa nuk ka autonomi të plotë në vendimmarrje qeverisëse. Kjo për shkak se një ndër gjërat kryesore siç është buxheti nuk është përpiluar nga ai, por duhet t’i përshtatet buxhetit të dizajnuar nga ish kryeministri Hashim Thaçi”, ka thënë Muhaxhiri.
E hartimi i buxhetit nga paraardhësi i Mustafës, sipas Muhaxhirit, pritet të përdorët si arsyetim nga kryeministri i tanishëm për mangësitë apo lëshimet që mund t’i ai bëjë gjatë qeverisjes.
“Një gjë të tillë kanë filluar ta bëjnë disa nga ministrat e tij, siç është rasti me ministrin e Financave, Avdullah Hotin, i cili për çështjen pagave po e fajëson buxhetin e planifikuar nga qeveria e Hashim Thaçit”, është shprehur Muhaxhiri.