21.8 C
Prizren
E premte, 29 Mars, 2024

“Politika e moderuar” dhe “ekstremistët shqiptar” në këndvështrimin e gazetarit Enver Maloku!

sheradiniShkruan: Sheradin Berisha

(Në 16 vjetorin e vrasjes së gazetarit Enver Maloku) – “Diplomacia perëndimore, në përshkrimet e vlerësimet e veta për Kosovën, po e fut në fjalor edhe sintagmën “ekstremistët shqiptarë”. A ka fare ekstremistë shqiptarë në Kosovë dhe kush janë ata? Përse kjo sintagmë po futet në përdorim mu në kohën kur Kosova është vendi me më së shumti viktima në botë? Cilat mund të jenë pasojat e praktikës së inkriminimit? Në deklaratën e disa diplomatëve perëndimorë shihet se me sintagmën “ekstremistët shqiptarë” ata nënkuptojnë shqiptarët që punojnë e që luftojnë për lirinë e pavarësinë e vendit të vet, ata që mbrojnë shtëpitë e familjet e veta dhe që përpiqen që, me mjetet që i kanë, të realizojnë vullnetin e popullit për liri e pavarësi. Kështu, perëndimi anatemon vepruesit, ndërsa nuk i qorton as nuk i anatemon ata që flasin e shkruajnë për pavarësi… Anatemimi i veprimit dhe i luftës për liri do të thotë mbështetje për agresionin serb, pra edhe për masakrat e krimet e tij. Natyrisht, ndëshkimin e veprimtarëve e bën Beogradi, por me lejen e perëndimit…” – kështu ka shkruar gazetari Enver Maloku, në tetor 1998, në artikullin: “KUSH JANË ‘EKSTREMISTËT SHQIPTARË’ NË KOSOVË?”

* * *

Enver Maloku u lind më 1954, në fshatin Bradash të Komunës së Besianës (ish’Podujevë). Shkollën fillore e kreu në Bradash e Bajçinë, gjimnazin në Podujevë, kurse studimet për letërsi shqipe në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës. Një kohë ka punuar arsimtar në shkollën fillore të Bradashit, kurse prej vitit 1979 ka punuar në Televizionin e Prishtinës, në programin e kulturës. Nga viti 1993 ka qenë udhëheqës i Qendrës për Informim të Kosovës (QIK). Maloku për gati gjashtë vjet e udhëhoqi QIK’un, e cila kreu punë jo vetëm në rrafshin e informimit në Kosovë, po edhe të profilizimit e promovimit të gazetarisë kombëtare e kritike politike. Puna e z.Maloku, qëndrimi i tij kritik ndaj aktualitetit, por edhe qëndrimi në krye të një institucioni që po mbante barrën kryesore në informimin për jetën, luftën dhe mizoritë serbe në Kosovë, e vunë atë dhe familjen e tij para një varg kërcënimesh dhe rreziqesh. Kështu, në korrik të vitit 1998 Maloku i shpëtoi një atentatori të panjohur, që po e priste për ta vrarë përpara banesës së tij në Prishtinë. Por, në pasditen e 11 janarit 1999, plumbat e atentatorëve, pak metra prej banesës së tij në përdhesë të një blloku banesash në Breg të Diellit, në sytë e gruas dhe të fëmijëve, e vranë Enver Malokun, i cili ndërroi jetë në spitalin e Prishtinës. Enver Maloku u varros më 12 janar 1999 në vendlindjen e tij – në Bradash. Në komentet e kohës kur u vra, u tha se vrasja e Enver Malokut ishte vepër e qarqeve antishqiptare, të cilat kishin për qëllim të pengonin informimin në gjuhën shqipe, si edhe procesin për realizimin e lirisë e të pavarësisë së Kosovës. Për të nderuar veprimtarinë e tij më 12 korrik 2005 në Prishtinë, në vendin ku është vrarë, i është ngritur monumenti, ndërsa ish-rruga “Aktashi I” e ka marrë emrin e tij.

Enver Maloku 1954 – 1998

PËRSE U VRA ENVER MALOKU?!

Publicisti i shquar Salih Kabashi, në shtator 2003, gjatë një polemike që po zhvillonin Jahir Demaj dhe Lulzim Berisha, lidhur me vrasjen e Enver Malokut ka thënë (po citoi): “Enver Maloku u vra sepse QIK-u të cilin ai e drejtonte zu të njohë dhe të lartësojë lëvizjen e armatosur të shqiptarëve kundër pushtueses Serbi.”

Ndërkaq, duke u bazuar në publikimet e Enver Malokut, veçanërisht në artikullin e tij: KUSH JANË ‘EKSTREMISTËT SHQIPTARË’ NË KOSOVË?, botuar në tetor 1998, me këtë rast përgjigjes së z. Sali Kabashi do t’ia shtoja edhe këtë gjykim timin: “Enver Maloku u vra sepse me shkrimet e tij autoriale doli në mbrojtje të “ekstremistëve shqiptarë” (një sintagmë kjo e shpikur nga regjimi serbë kundër luftëtarëve të UÇK’së e që përdorej shumë shpesh edhe nga diplomatë perëndimorë) dhe filloi të kritikonte bindshëm “politikën e moderuar – propagandistike” të liderit të LDK’së, Ibrahim Rugova, e cila ashiqare i shkonte përshtati regjimit poshtues e kriminal të Millosheviqit, atë “propagandën politike për pavarësi” që zhvillohej në Prishtinë, dhe e cila për tetë vjet rresht ishte manipuluese dhe si e tillë ia kishte topitur mendjen shqiptarëve për t’u çliruar nga Serbia; i thumbonte (si Nonda Bulka dikur) ata që nuk ishin në “shënjestër të represionit të ashpër serb”, pikërisht ata që tashmë ishin treguar “të gatshëm të kontestojnë rezultatin e referendumit dhe që janë treguar të gatshëm të pranojnë edhe zgjidhje të çështjes së Kosovës nën deklarimin e popullit me referendum” (është fjala për referendumin e shtatorit 1991), edhe sipas preferencave të qarqeve diplomatike perëndimore, të cilat duke qenë për “anatemimin e veprimit konkret” dhe kundër “luftës për liri”, ishin rreshtuar kundër pavarësisë së Kosovës.” (Fjalët në thonjëza janë të Enver Malokut, të përdorur në artikullin e lartpërmendur).

* * *

Në 16 vjetorin e vrasjes së gazetarit Enver Maloku, portali www.pashtriku.org – publikon artikullin e tij: “Kush janë “ekstremistët shqiptarë” në Kosovë“, të botuar më 28 tetor 1998, në të përditshmen “Bota sot”.

Enver_Maloku_1954-1999

* * *

DILEMA

KUSH JANË „EKSTREMISTËT SHQIPTARË“ NË KOSOVË?

Anatemimi i veprimit dhe i luftës për liri do të thotë mbështetje për agresionin serb, pra edhe për masakrat e krimet e tij. Natyrisht, ndëshkimin e veprimtarëve e bën Beogradi, por me lejen e perëndimit

Shkruan: Enver MALOKU

Diplomacia perëndimore, në përshkrimet e vlerësimet e veta për Kosovën, po e fut në fjalor edhe sintagmën “ekstremistët shqiptarë”.

– A ka fare ekstremistë shqiptarë në Kosovë dhe kush janë ata?

– Përse kjo sintagmë po futet në përdorim mu në kohën kur Kosova është vendi me më së shumti viktima në botë?

– Cilat mund të jenë pasojat e praktikës së inkriminimit?

Në deklaratën e disa diplomatëve perëndimorë shihet se me sintagmën “ekstremistët shqiptarë” ata nënkuptojnë shqiptarët që punojnë e që luftojnë për lirinë e pavarësinë e vendit të vet, ata që mbrojnë shtëpitë e familjet e veta dhe që përpiqen që, me mjetet që i kanë, të realizojnë vullnetin e popullit për liri e pavarësi.

Kështu, perëndimi anatemon vepruesit, ndërsa nuk i qorton as nuk i anatemon ata që flasin e shkruajnë për pavarësi. Ç’është e vërteta, më parë se Perëndimi, qëndrimin e tillë e ka krijuar vetë Beogradi, i cili tash sa vite nuk i denon masovikisht shqiptarët për delikt verbal, pra për shprehje mendimesh e pikëpamjesh, por i dënon dhe i ekzekuton shqiptarët që veprojnë ose që kërkojnë veprim. “Ekstremistë shqiptarë” nuk do të kishte po të mos kishte politikanë që vetëm flasin, por nuk punojnë e nuk veprojnë.

Një pjesë e zhurmshme e politikës kosovare është propagandë për liri e pavarësi të Kosovës. Ka kaq shumë propagandë sa opinioni është ngopur me të, mirëpo, së paku deri më tash, me propagandën politike për pavarësi jetojnë relativisht mirë grupacionet e individët. Duke folur e duke shkruar, kjo politikë qëndronte lartë te opinioni i manipuluar kosovar, i cili tash po zgjohet me të shpejtë nga tragjedia e vet.

Në anën tjetër, kjo politikë nuk është në shënjestër të represionit të ashpër serb, për shkak se Beogradit i ka konvenuar në njëfarë mase politika propagandistike, si zëvendësim i politikës vepruese. Politika propagandistike kosovare nga Perëndimi vlerësohet gjithnjë e më shumë si politikë e moderuar.

Ç’është e vërteta, më parë Perëndimi e ka vlerësuar atë si politikë të moderuar dhe ka investuar në të e në politikanët që janë ofruar vetë, që janë treguar të gatshëm të kontestojnë rezultatin e referendumit dhe që janë treguar të gatshëm të pranojnë edhe zgjidhje të çështjes së Kosovës nën deklarimin e popullit me referendum.

Ku ka “shqiptarë të moderuar”, ka edhe “shqiptarë ekstremistë”. Kjo është një logjikë e thjeshtë! Mirëpo, duke inkriminuar vepruesit (nuk po përdorim këtu fjalën veprimtar, e cila e ka humbur kuptimin nga keqpërdorimet) për projektin e pavarësisë, Perëndimi, praktikisht, po e inkriminon edhe vetë projektin për të cilin, me propagandë, angazhohen edhe politikanët e “moderuar” shqiptarë!

Anatemimi i veprimit dhe i luftës për liri do të thotë mbështetje për agresionin serb, pra edhe për masakrat e krimet e tij. Natyrisht, ndëshkimin e veprimtarëve e bën Beogradi, por me lejen e Perëndimit! Jo rastësisht, pas deklaratave se nuk mbështesin pavarësinë e Kosovës, disa diplomatë të Perëndimit i kanë shpeshtuar kohëve të fundit edhe deklaratat kundër pavarësisë së Kosovës!

Më Shumë

Rikthehet Superliga, vëmendja tek Malisheva–Drita

Pas pushimit për shkak të ndeshjeve të Kombëtareve, këtë vikend rikthehet Superliga me xhiron e 27-të. Këtë javë na presin dy ndeshje shumë interesante....

Paraburgim për dy të dyshuarit për dhunimin e të miturës nga Prizreni

Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar masën e paraburgimit ndaj dy të dyshuarve për dhunimin e një vajze të mitur. Të dyshuarit thuhet se janë...

Lajmet e Fundit