Ish-deputeti i PDK’së, Ramë Vataj, sa ishte Kryetar i Komisionit për Arsim, kishte marrë pjesë në hartimin e Statutit të Universitetit të Prizrenit. Në atë kohë ishte vendosur që kandidati për Rektor duhet të ketë gradën e profesorit të asocuar e jo të profesorit asistent siç është në Statutin e UP’së.
Vataj, i cili prej vitit 2009 e ka gradën e prof.asoc, ka konkurruar për pozitën e Rektorit në Prizren, në ditën e fundit të konkursit.
I kontaktuar nga Express, Vataj ka thënë se nuk dëshiron të deklarohet, sepse nuk ka asgjë kontroverse në kandidimin e tij.
Kur është pyetur se pse ishte vendosur kriteret më të larta për Universitetin e Prizrenit se në Universitetin e Prishtinës, ai nuk është përgjigjur dhe e ka ndalur telefonin.
Në anën tjetër, ish-kolegu i Ramë Vatajt në Komisionin për Arsim, Sadri Ferati, thotë se është e çuditshme se si është e mundur të ketë kritere më të larta për pranimin e Rektorit në Prizren se sa për Universitetin e Prishtinës.
Ai thotë se nuk i kujtohet se si ishte vepruar në kohën kur Statuti i UPZ’së ishte dërguar në Komisionin për Arsim pasi shumica e punësi ishte kryer nga Universiteti dhe nga Ministria e Arsimit.
“Për mua është e çuditshme se si Universiteti i Prizrenit të ketë kritere më të larta se i Prishtinës, sepse kriteret duhet të jenë të njëjta për universitetet”, thotë Ferati, për Express.
Sidoqoftë, ai thotë se Vataj edhe mund të behet Rektor nëse ia lejon ligji dhe nëse nuk është konflikt interesi.
Megjithëkëtë, kolegu tjetër i Vatajt në Komision, Jeton Svirca, thotë se qëllimi i tyre ka qenë ngritja e kritereve për pranimin e Rektorit të Prizrenit si mundësi e mirë për ngritjen edhe të cilësisë.
Ai thotë senuk beson se ngritja e kritereve ishte bërë për t’ia përshtatur dikujt pozitën me thirrjen akademike.
Ish-kandidati i PDK’së për Kryetar të Suharekës, Ramë Vataj, në zgjedhjet e fundit kishte marrë vetëm 7 mijë e 246 vota, të cilat nuk i kanë mjaftuar për t’u bërë deputet. Ai është profesor në Universitetin e Prishtinës në Departamentin e Kimisë.
Ndryshe, Vataj sa ishte deputet kishte arritur të regjistronte djalin, Atdheun, në Fakultetin e Mjekësisë përmes një vendimi të Ramë Bujës për pranimin e studentëve me shtetësi të huaj.