9.8 C
Prizren
E premte, 29 Mars, 2024

Ish-presidentët, ekstra të privilegjuar

zyra e presidentesLigji për Presidentin e Republikës së Kosovës u njeh privilegje të jashtëzakonshme presidentëve të cilët e kanë përfunduar mandatin, përfshirë edhe familjarët e tyre. Presidentët të cilët e kanë përfunduar mandatin dhe familja Rugova marrin pension mbi dy mijë euro në muaj në kohë të pacaktuar.
Presidentët e Republikës së Kosovës, të cilët e kanë përfunduar mandatin sipas Ligjit Nr. 03/L-094 për Presidentin e Republikës së Kosovës, gëzojnë privilegje dhe beneficione të shumta. Këto privilegje dhe beneficione i gëzojnë edhe familjarët e ish-presidentëve.

Sekretari i Presidencës së Republikës së Kosovës, Fahri Breznica, ka thënë për “Epokën e re” se sipas Ligjit për Presidentin e Republikës së Kosovës, ish-presidentëve Fatmir Sejdiut dhe Behgjet Pacollit u takojnë pension mujor mbi 2 mijë euro. “Ata marrin 70 për qind të pagës së presidentes.

Paga e presidentes është 2 mijë e 873 euro e 50 centë. Pra, pensioni mujor për ish-presidentët është 2 mijë e 10 euro e 40 centë”, ka deklaruar Breznica. Ai ka thënë se të njëjtin pension e gëzon edhe familja e ish-presidentit Ibrahim Rugova, konkretisht bashkëshortja e Rugovës, Fana.

“Familja Rugova, përkatësisht znj. Fana Rugova, merr pension mujor në shumën prej 2 mijë e 10 euro e 40 centë”, ka thënë Breznica. Në këtë kontekst, Breznica ka thënë se, sipas këtij ligji, nuk ka një afat të përcaktuar se deri kur mund t’i marrin pensionet presidentët që kanë përfunduar mandatin, përfshirë edhe bashkëshorten e ish-presidentit Rugova. “Sa i përket pensionit, nuk ka kufizim kohor”, është shprehur Breznica.

Shala: Beneficone të tilla nuk ka askund në botë

Drejtori ekzekutiv i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNj), Behxhet Shala, nuk është pajtuar me këto beneficione që marrin presidentët që kanë përfunduar mandatin. Ai ka thënë për “Epokën e re” se është e pandershme që politikanët e Kosovës të marrin këso beneficonësh për shkak të ushtrimit të funksionit shtetëror.

“Politikanët e Kosovës para përfundimit të mandatit miratojnë ligje të cilat në radhë ta parë ua rregullojnë statusin e tyre material e pastaj, nëse mbetet diçka, bëjnë edhe për qytetarët e Kosovës. Në të gjitha shtetet e tjera ekziston ligji i cili rregullon çështjet e bartëseve të pozitave të larta shtetërore, ndërkaq te ne ish-presidentët gëzojnë të drejta shumë të mëdha, konkretisht 70 për qind të pagës që kanë marrë kur kanë ushtruar funksionin e presidentit. Ata kanë të drejtë të kenë zyrë, të kenë një veturë luksoze, një vozitës, një asistente dhe të kenë mbushje për telefon”, ka thënë Shala, duke shtuar se këso beneficonesh nuk ka askund nëpër botë.

“Do të thotë se një ish-president i Kosovës buxhetit i kushton minimum 4 mijë deri në 6 mijë euro në muaj. Kjo nuk ndodh në asnjë vend të botës. Te në marrin beneficione edhe ish-presidentët,të cilët e kanë shkelur Kushtetutën, gjë që nuk është dashur të ishte kështu. Familja e ish-presidentit Rugova i kushton Zyrës së Presidencës së Kosovës afër 6 mijë euro në muaj. E njëjta gjë vlen edhe për Fatmir Sejdiun, i cili ishte detyruar të ofronte dorëheqje për shkak të shkeljes së Kushtetutës. Kjo është e tepërt dhe e pamoralshme, duke pasur gjendjen socio-ekonomike në Kosovë. Një gjë të tillë nuk e ka as Barack Obama në Amerikë”, është shprehur Shala.

Ai ka thënë se këto beneficione duhet të kufizohen e jo të jenë të përjetshme. Mendoj se beneficionet dhe pensionet duhet të kufizohen e jo të jenë të pakufizuara. “Do të ishte në rregull sikurse ish-presidentët t’i gëzojnë këto privilegje nëse janë në pension, ose derisa të gjejnë një punë, por jo në këtë mënyrë. Mos harroni, këto të drejta nuk i kanë vetëm ish-presidentët. Këto të drejta do t’i kenë kryetari i Kuvendit, kryeministri, kryetari i Gjykatës Kushtetuese, ai i Këshillit Gjyqësor dhe kryetari i Këshillit Prokurorial. Këto beneficione do të jenë përrallore, pra do të kenë të ardhura sikurse të ishin mbretër. Mendoj se shoqëria duhet të reagojë, pavarësisht se kush mund të jetë”, ka theksuar Shala, duke kërkuar nga shoqëria në përgjithësi të reagojë. Sipas tij, kjo çështje do të duhet të dërgohej edhe në Gjykatën Kushtetuese.

“Nuk ka bazë as logjike e as ligjore t’i gëzojnë këto beneficione të përjetshme. Nuk e di se diku në botë ka diçka të tillë, por meqë Kosova është rast ‘sui generis’, secili bën çka të dojë dhe ia rregullon vetes jetën ashtu siç do. Mendoj se kjo çështje duhet të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese, sepse dikush është munduar t’ia krijojë vetes një bazë ligjore që të ketë benefite të përjetshme. Kjo duhet të sqarohet. Nuk ka logjikë që për mirëmbajtjen e shtëpisë së Rugovës të paguhen gjitha ato para”, ka thënë Shala.

Edhe drejtori ekzekutiv i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Ismet Kryeziu, është shprehur kundër këtyre beneficioneve për ish-presidentët e Kosovës dhe familjet e tyre. Ai ka thënë për “Epokën e re” se do të ishte mirë të rishikohen këto beneficione duke pasur parasysh gjendjen socio-ekonomike në Kosovë. “Të drejtat dhe benefitet që i garantohen presidentit duhet të jenë shembuj të praktikave më të mira nga shtetet e rajonit dhe më gjerë. Kostoja e të ardhurave që i garantohet pozitës së presidentit duhet të rishikohet sepse jo vetëm që është në shpërpushje me gjendjen socio-ekonomike në Kosovë, por është dhe në s’përputhje me praktikat e shteteve të rajonit”, ka deklaruar Kryeziu.

Të drejtat e presidentit, pas përfundimit të mandatit

Ligji Nr. 03/L-094 për Presidentin e Republikës së Kosovës, presidentëve që kanë përfunduar mandatin dhe familjeve të tyre nuk ua njeh vetëm të drejtën e pensionit mujor, por edhe shumë beneficione të tjera. Më poshtë mund t’i lexoni disa nga nenet kryesore të këtij ligji që kanë të bëjnë me presidentët që kanë përfunduar mandatin.

Neni 18: Presidenti i Republikës së Kosovës fiton të drejtat e përcaktuara me këtë ligj pas përfundimit të mandatit për të cilin është zgjedhur.

Neni 19: Presidenti i Republikës së Kosovës, pas përfundimit të mandatit, në pajtim me paragrafin 1 të nenit 18 të këtij ligji, ka të drejtë në pension, shuma e të cilit është shtatëdhjetë për qind (70 %) e pagës të cilën e merr Presidenti i Republikës së Kosovës. Presidenti i Republikës së Kosovës dhe familja e tij/saj, pas përfundimit të mandatit, në pajtim me paragrafin 1 të nenit 18 të këtij ligji, kanë të drejtë në sigurim të plotë shëndetësor dhe shërbime mjekësore në spitalet ushtarake dhe publike gjatë tërë jetës.

Neni 20: Presidenti i Republikës së Kosovës, të cilit i ka përfunduar mandati në pajtim me paragrafin 1 të nenit 18 të këtij ligji, ka të drejtë për periudhën pesëvjeçare pas përfundimit të mandatit të tij/saj, në hapësirë zyre, në pajisje për zyrë dhe në personel profesional të zyrës që nuk mund të jenë më shumë se tre (3) persona. Presidenti angazhohet nga Qeveria e Kosovës në aktivitete shtetërore, atëherë periudha pesëvjeçare fillon nga përfundimi i angazhimit të Presidentit.

Neni 27: Në rast të vdekjes së presidentit të Republikës së Kosovës gjatë ushtrimit të mandatit, familja e presidentit gëzon të drejtat ashtu siç janë përcaktuar në nenin 19 të këtij ligji dhe;

Neni 28: Të drejtat e përcaktuara me këtë ligj u takojnë edhe familjes së presidentit të Republikës së Kosovës të cilit i ka përfunduar mandati si president para ditës së hyrjes në fuqi të këtij ligj.

Më Shumë

Selmanaj synon shtrirjen e LDK-së në çdo familje të Prizrenit

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Prizren, Driton Selmanaj, ka bërë thirrje te të gjithë anëtarët e partisë që të bashkohen për...

Zhdukja e kobshme – Niset për shtëpi, e moshuara nga Rahoveci vdes në mal

Si rëndom, edhe pasditen e së dielës doli nga shtëpia, por në të nuk u kthye e gjallë.   Hajnishahe Hoti nga Ratkoci i Rahovecit pasi...

Lajmet e Fundit