14.8 C
Prizren
E enjte, 28 Mars, 2024

Pse gënjejnë politikanët

OpinionGënjeshtra për lavdi. Gënjeshtra për të rritur lavdinë personale e atë familjare, origjinën Ylli Pango I RI bzpatriotike, lavdinë atërore, gjyshore e stërgjyshore, është gjithashtu e njohur në politikë. Kjo është një lloj tendence për të krijuar një lloj “brand”-i familjar, që e bën politikanin më të besueshëm, të dashur, të lavdishëm në sy të popullit. Mjaft nga ofiqarët publikë gënjejnë a mburren lidhur me të kaluarën e tyre, aftësitë e sukseset në fusha të ndryshme profesionale a shoqërore, ushtarake, dikur me trimërinë e tyre në luftë, historitë e luftës a heroizmin e baballarëve a gjyshërve, dhe kur njihet e vërteta, këto fabrikime më shumë dëshmojnë inferioritet, poshtërim sesa heroizëm. Tek ne, disa politikanë të viteve ‘90 nxituan, shpesh të lustruar dhe nga mediat servile, të japin imazhe heroike të betejave të tyre për demokraci. Kështu, dikush që shëtiti mes bulevardit mbi një makinë në ditët përpara rrëzimit të monumentit të diktatorit, u përpoq t’i japë vetes imazhin e një heroi mbi tank, që pengoi diktaturën të mitralonte njerëzit në protestë, ndërkohë që njerëzit që shëtisnin në bulevard atë ditë, shihnin me habi një makinë të vjetër ku dy burra shpalosnin madhështi, kinse ktheheshin nga Blloku ku po përgatitej gjëma, pasi kishin negociuar me sukses atje për të mos goditur popullin dhe kishin shpëtuar mijëra jetë të pafajshme. Në këtë rast e raste të tjera, duke imituar lavdinë luftarake të politikanëve komunistë të 45 viteve diktaturë, fabrikuar në vepra nga Enveri, postkomunistët ndjeheshin deficitarë dhe kërkonin me të njëjtat mjete të fabrikonin një imazh heroik të së shkuarës së afërt, gati-gati të tashmes, duke mos duruar dot deri në bërjen e historisë që do të vërtetonte dikur “heroizmin” e tyre a “lavdinë luftarake”, nëse ajo do të ishte vërtet e tillë. Përveçse etje për lavdi, kjo është dhe një nevojë për të qenë pjesë e një të kaluare historike ku kanë qenë pjesë të gjithë ata që mbahen për protagonistë, e ku mosmarrja pjesë shtron pyetjen: “Po ku ishe ti atëherë?” Ekzagjerimi i rekordeve, profesionale, militare a heroike është i zakonshëm për politikanët e shkon deri tek fabrikimi i sajesave të tëra. Të gënjesh lidhur me lavditë e shkuara e të tashme personale, shërbimet ushtarake, lavdinë luftarake, biografinë e lavdishme familjare, është një rrugë e lehtë për një kandidat a politikan që veç paraqitjes si hero, e ndihmon atë për t’u parë në një dritë pozitive nga populli edhe në aspekte për të cilat elektorati ka interes të jesh i tillë. Kështu elektoratit i pëlqen që deputeti a politikani i vet i preferuar të jetë i fortë, i disiplinuar, patriot. Kjo jep avantazhe, përmirëson imazhin tek të tjerët por edhe te vetja, sidomos kur fillon e beson në ato që ke sajuar për veten e kur mendon se vërtet je bërë personi që dëshiron të jesh…Kjo është gati-gati një sindromë që përhapet, dhe sa më shumë shfaqet, aq më sfidues bëhet. Janë të shumtë ata që e kanë e vazhdojnë ta kenë këtë në politikë, ku kjo sindromë spikat më tepër për faktin që politikani është shumë më i dukshëm e lehtësisht i diskreditueshëm. Por, për hir të së vërtetës, ky tipar spikat edhe mes njerëzve të thjeshtë që duan të bëhen të famshëm, nëpërmjet brand-it të sajuar jo vetëm për veten, por kur ka mundësi edhe për familjen. Arsyet janë jo vetëm lavdia, dëshira për t’u shquar, përfitimi financiar, por edhe vetmia e nevoja për shoqërizim.

…Më interesantja arrihet kur njerëzit fillojnë të besojnë gënjeshtrat që kanë sajuar vetë. Kjo ndodh sidomos kur gënjeshtra ndërtohet si një varg të tillash, madje kalon në një fabul a histori të tërë. Në një aspekt, të gjithë gënjejnë. Gënjeshtrat janë të zakonshme në shoqërinë njerëzore. Më e rrallë është të sajosh një varg gënjeshtrash të lidhura e që pasojnë njëra-tjetrën e të vazhdosh të jetosh me to së paku për ca kohë. Një gënjeshtër e vetme është një akt i vetëm, por të sajosh një varg mashtrimesh ke nevojë për fantazi, mani lavdie e një grup a kast mbështetës. Edhe në këtë fushë jo vetëm politikanët, por dhe mjaft njerëz të zakonshëm moralisht e profesionalisht, angazhohen në gënjeshtra, mashtrime. Ja tek kemi një shembull të kohëve të fundit: dikush boton një biografi të Lasgush Poradecit pa e njohur fare atë dhe familja indinjohet. Dhe kjo për të përfituar pak lavdi në kurriz të të lavdishmit. Dikush tjetër më diabolik, njeri i vetmuar që jeton gjithë jetën pa asnjë raport shoqëror e as seksual, gjen mbështetje në median mishngrënëse që ushqehet me sensacionin dhe sajon lloj-lloj historish për çdo njeri të njohur, hyn në detaje të jetës personale a familjare, dashurore a politike, kinse njeh mirë fakte a është dëshmitar i tyre. Dhe të gjithë këto janë raste jo politikanësh dhe jepen për të kuptuar se fenomeni është më i gjerë, njerëzor, dhe politikani shpesh është pjesë e kësaj edhe thjesht si qenie njerëzore. Ndërkohë ka sigurisht specifika për të. Për politikanin rruga drejt gënjeshtrës fillon si pa kuptuar. Ndofta fillon me diçka për të cilën ai është i etur. Si figurë publike ai duhet të ketë një përvojë jete që do ta bënte atë më të dashur për votuesit. Madje më të shquar krahasuar me politikanë të tjerë. Vetëm një gjë mungon për ta patur këtë dashuri: ai nuk e ka këtë përvojë. Atëherë ai fillon të gënjejë.

Gënjeshtra elektorale. Politikanët e quajtur të suksesshëm, sidomos në zgjedhje, tentojnë të jenë pragmatistë dhe e justifikojnë veten edhe kur s’kanë turp ta gënjejnë disi ose edhe me thasë, elektoratin. Si pjesë të detyrës së tyre si përfaqësues të popullit, në një demokraci funksionale, ata argumentojnë se edhe nëse nuk realizohen premtimet, së paku qëllimi i mirë është kryesori, dhe nuk është keq që populli të mbahet me shpresa të bukura. Pastaj qoftë edhe realizimi minimum i tyre, sidomos kur vijnë zgjedhjet e tjera, është diçka. Në fund të fundit kaq janë mundësitë. Në një takim elektoral përpara zgjedhjeve të vitit 2001, kandidati me integritet moral e tejet i ndërgjegjshëm V., njeri i vuajtur që kishte kaluar edhe disa vjet burg për arsye politike, duke dashur të jetë sa më i ndershëm e realist, ju thotë zgjedhësve se natyrisht ai dhe partia që përfaqësonte, do të bënin çmos t’i ndihmonin për të zgjidhur hallet e tyre të panumërta por natyrisht ata, zgjedhësit, nuk duhet të prisnin që ata t’ju zbrisnin parajsën mbi tokë. Njerëzit dëgjonin dhe jo pak syresh filluan të shprehnin dyshime nëse ja vlente a jo të zgjidhej ky politikan që pothuaj nuk premtonte asgjë, a së paku premtonte pak, ndryshe nga të tjerët. Në zonë erdhi menjëherë për ndihmë, një kandidat i një zone tjetër, pehlivani M., i vlerësuar nga partia si akrobatik për zgjedhjet dhe fitues i disa fushatave elektorale. “Nuk bëhet kështu fushata”, i sqaroi ai kolegut. “Më ndiq dhe do kuptosh”. “Çfarë deshët ju?- pyeti ai njerëzit. “Shkollë? Dy do t’jua bëjmë” “Ujë? 24 orë…do e keni”. “Rrugën? Do ta keni më të mirë se Bulevardin e kryeqytetit”. Njerëzit duartrokitën. H. i fitoi zgjedhjet në zonën e tij. V. natyrisht i humbi. Deri ku duhet të shkojë premtimi politik në zgjedhje, gënjeshtra politike, e vërteta, sinqeriteti i atij që kërkon të zgjidhet? “Sa i dëgjojnë e sa i kuptojnë zgjedhësit premtimet e komplikuara programore elektorale? Sa i besojnë ata ato të thjeshtat?” Eksperienca së paku tek ne, por edhe më gjerë tregon se shpesh fitojnë M-të dhe rëndom humbasin madje nuk kandidohen më nga partitë V-të. Cila është masa e pranueshme e gënjeshtrës që e kuptojnë të gjithë që është gënjeshtër politike, por e pranojnë si brenda kufijve të së lejueshmes për politikanin? Le të marrim një politikan që flet kundër korrupsionit orë e pa kohë, por ndërron kostume të shtrenjta shumë shpesh; rrallë kush nëmos askush do të merret me të deri me këtë aspekt, ndonëse dihet se njeriu i thjeshtë nuk ndërron dot kaq shumë kostume me rrogën e zakonshme por as edhe vetë ai politikan, s’do e bënte dot këtë vetëm me rrogën e vet sado të lartë ta ketë. Ky është minimumi i të lejueshmes. E keqja është se tek ne ka kohë që pranohet e gëlltitet si i natyrshëm a pranohet se s’ke ç’i bën, dhe maksimumi i rrenës e sidomos elektorale. Madje shpesh ajo nuk kuptohet për shkak të fjalëve të vështira për masën e zhurmës e spektaklit të fushatave që përjetohen më shumë si shfaqje në zonat rurale, se sa si vigjilje të ndryshimeve të mëdha të premtuara në jetën e tyre. Një emigrant i viteve të fundit në Bruksel, më thoshte se nuk besonte më asnjërën palë, por ç’mund t’ju bënte ai, …prapë do ngelej keq, e prandaj kishte ikur…

Ka psikologë që duke mos e humbur shpresën, (por flitet për demokracitë më të zhvilluara), mendojnë se nëse zgjedhësit kanë ide të mira dhe të dhëna të sakta, të bollshme e logjike reale, për të mbështetur kërkesat e tyre, mund të arrijnë t’i bëjnë politikanët e politikëbërësit, të bëjnë çfarë dëshirojnë ata. Të tjerë mendojnë se zgjedhësit gjithnjë do të kenë pak ose aspak influencë tek politikanët. Kjo sepse politikanët e zgjedhur e zyrtarët e lartë që rrjedhin soje, kanë mjaft ide të mira vetë, por shpesh nuk i marrin vendimet të bazuar në të dhëna apo sipas nevojave të zgjedhësve a të zhvillimit të vendit. Ata më shumë priren të dëgjojnë e të influencohen nga njerëzit me të cilët kanë raporte të afërta. Në raste të tjera më negative, ata nuk merren fare me problemet, impresionohen më shumë nga historitë personale të njerëzve të veçantë (ose i përdorin këto për tu paraqitur gjoja si të impresionuar, apo për të impresionuar të tjerët); se sa nga faktet, nevojat e njerëzve, faktet a të dhënat. Kjo sepse ngjarjet ata i mbajnë mend më lehtë se numrat, shifrat, statistikat, problemet e vërteta të komplikuara që kërkojnë zgjidhje. Vini re se sa shpesh tregohen ngjarje (përralla) në fushata elektorale me njerëz a zgjedhës të thjeshtë që e kanë takuar politikanin, kandidatin a liderin në rrugë e i kanë thënë kaq e kaq gjëra të mënçura apo histori të dhimbshme personale sinjifikative për të dëshmuar poshtërsinë e qeverisë që duhet të rrëzohet e shpresën e madhe tek qeveria që po vjen. Pse ndodh kjo? Sepse politikanët nuk kanë më nge të bëjnë studime, të lexojnë, të analizojnë e preferojnë a e gjejnë natyrisht më të lehtë të konkludojnë a bëjnë efekt nëpërmjet disa rasteve të mbledhura nga bisedat rastësore, takimet me miq, apo edhe sajesave- pjella të fantazisë së vet. Këtu fillon edhe dhjamosja e politikanit, jo vetëm fizike por kryesisht e si fillim ajo mendore

Paratë, donacionet, financimet politike. Fushatat elektorale janë e po bëhen gjithnjë e më të shtrenjta për kandidatët. Nëse nuk blen direkt vota me këto para (gjë që ka ndodhur rëndom kohët e fundit), politikani duke shpenzuar para, prapë fiton akses që të influencojë zgjedhësit e procesin politik. Në cilindo rast dhe kjo është një formë e spikatur e mashtrimit elektoral. Këtu tek ne, madje blerja e votave, pra ky lloj mashtrimi elektoral, është nga më të hapurat e më banalet dhe në jo pak raste realizohet edhe me shuma qesharake për individët e familjet në nevojë. Ndërkohë, ai që kandidon e fushata e tij po i ngjasojnë gjithnjë e më shumë modelit të zgjedhjeve të vendeve më të zhvilluara, ndonëse atje ka rregulla të forta loje e ajo që bëhet me paranë, ka të bëjë edhe me premisën që politikani të jetë sa më pak i korruptueshëm. Kurse tek ne ndodh e kundërta dhe e përbashkëta me ta, qëndron vetëm në faktin që pa para nuk mund të hyhet më në zgjedhje…

Më Shumë

Vetura godet një këmbësor në Prizren – arrestohet shoferi

Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur të dielën në Prizren rreth orës 21:50. Policia ka njoftuar se me këtë rast ka arrestuar një...

Ekrem Kastrati vendos buqetë lulesh pranë lapidarit të dëshmorit të kombit Indrit Cara

Një delegacion i kryetarëve të komunave të Kosovës, me ftesë të kryetarit të Bashkisë së Kavajës, Fisnik Qosja, po qëndrojnë për vizitë punë në...

Dhimbja

Lajmet e Fundit