Ish Shefit të EULEX-it, Ambasadorit Bernd Borchardt Ministria e Jashtme e Gjermanisë në Berlin dhe shefja e BE-së për politikë të jashtme Catherine Ashton i kishin vazhduar mandatin edhe për një vit në Kosovë si udhëheqës i Misionit më të madh të BE-së në historinë e ekzistencës së saj. Që një gjerman e udhëheqte këtë mision diheshin edhe arsyet: si paradhënësja më e madhe në BE dhe me këtë edhe në këtë mision, dhe pas udhëheqjes jo edhe aq të suksesshme të dy ish-gjeneralëve francez, Kermabo dhe De Marnac, Berlini donte të shihte rezultate në luftën e korrupsionit në Kosovë. Për këtë shkak edhe u insistua që këtë mision ta transformonte por edhe udhëheqte një gjerman. Kështu edhe ngjau. Por në muajt e udhëheqjes së Borchardt përkundër përpjekjeve të mëdha të “krahut” gjerman nuk u arritën rezultatet e dëshirueshme.
Për më tepër, siç Gazeta Blic mëson, pasi dolën në shesh edhe konfliktet masive që brenda për brenda misionit mbretëronin dhe atë sidomos mes prokurorëve të EULEX-it, Borchardt kishte informuar Berlinin për këto probleme dhe me këtë rast edhe kishte marrë udhëzimin që të tërhiqej në Berlin sa më shpejt që të jetë e mundur përkundër faktit që ai kishte kontratë për të qëndruar edhe një vit në Kosovë.
Me ardhjen e shefit të ri, italianit Meucci, Berlini u pajtua menjëherë për shkakun që edhe shefja e re e Politikës së Jashtme në Bruksel është italiane dhe vetëm e vetëm që buja mediale të mos e zinte misionin pa udhëheqës. Por, siç Gazeta Blic mëson, Gjermania tashti do të kërkojë jo vetëm llogari në Bruksel por në të njejtën kohë edhe transformim total të këtij misioni. Dhe atë duke iu reduktuar edhe më tepër kompetencat këtij misioni dhe duke ua dhënë ato vendorëve.
Një diplomat gjerman i ka thënë Gazetës Blic se menjëherë në nëntor do të veprohet në këtë drejtim.
“Kosova është shtet dhe ne duam që edhe Prishtina të jetë më e angazhtuar që vet ta luftojë korrupsionin. Gjykata Speciale për Krime Lufte do veprojë jashta vendit kurse korrupsioni do jetë barrë e vendorëve. Dhe parakusht për integrime në BE. S’kemi pse harxhojmë para të tatimdhënësve për diçka që s’po funksionon. Prandaj do ta mbyllim këtë mision sa më shpejtë”, i ka thënë ky burim Gazetës Blic./Gazeta Blic