19.8 C
Prizren
E diel, 8 Shtator, 2024

Ismail Kadare zbulon romanin e parë

Ismail Kadare-mjegullat e tiranesPërpara “Qyteti pa reklama”, “Kronikë në gur”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Dimri i vetmisë së madhe” dhe të ropusit letrar kadarean, me imazhet, stilin dhe gjuhën e papërsëritshme, ishte “Mjegullat e Tiranës”, ai që sot mund të konsiderohet pa frikë romani i parë i Ismail Kadaresë.

Pikërisht atëherë, kur shkrimtari i madh kishte deklaruar se “nuk do të botonte më letërsi artistike”, vjen shkëndija e parë, që krijoi gjurmën e tij të shkrimit. Një roman që, siç pohon vet autori, mbeti në errësirën e heshtur të arkivit personal, i mohuar prej atij vet.

Vepra është shkruar në vitet 1957-58, kur Kadare ishte 20-vjeçar, dhe e ka zanafillën te ditari i dikurshëm i studentit. Ai shoqërohet me një intervistë dhënë Viola Isufajt, e cila gjithashtu e ka pajisur veprën me një studim të hollësishëm.

“Do të thoja se është më tepër një sprovë për të shkruar romanin, se sa një roman i mirëfilltë. Pra nuk do të jetë një vepër letrare, që do të ketë jetën e vet, si gjithë romanet e tjera, do të thotë se është një tekst, i cili ka më tepër një vlerë dokumentare dhe është një pasuri për studiuesit dhe gjenetistin, në këtë rast për studimin tim”, u shpreh Dr. Viola Isufaj, pedagoge në UT, transmeton TCH.

Kadare nuk e pranon “Mjegullat e Tiranës” si një vepër të mirëfilltë, por si një përpjekje të parë për të shkruar një roman dhe, ndryshe nga tekstet e tjera, nuk ka pranuar të bëjë asnjë ndryshim në botimin e tij.

I titulluar fillimisht “Dashuria numër 2”, “Mjegullat e Tiranës” është një lloj kundërshtimi i dashurisë romantike, por që nga ana tjetër, përmes dy personazheve, Emës dhe Bardhylit, si dhe atmosferës së kryeqytetit të viteve ’50, një periudhë gjatë së cilës – pohon Kadare, – letërsia shqipe ishte në ditët e saj më të zeza.

Ndoshta kjo është arsyeja, pse “Mjegullat” është një shpërfillje deri në përqeshje, që Kadare i bën artit të imponuar të realizmit socialist, madje dhe me skena thellësisht intime, të pazakonta për letërsinë e kohës.

“Është një tekst letrar shumë i këndshëm dhe i bukur. Ka vetëm një linjë dashurie. Jam ndalur pikërisht te fuqia e krijimit të Ismail Kadaresë, por gjithmonë i parë si potencial. Është parë më tepër ky tekst si magma dhe jo thagma e krijimtarisë së tij”, shtoi më tej Dr. Viola Isufaj.

“Mjegullat e Tiranës” nuk është e vetmja vepër e pabotuar e Ismail Kadaresë. Në dorëshkrimet e tij të panjohura për lexuesin, gjendet edhe një novelë me titullin “Barka në rërë”, edhe ajo në gjendje të midistë: midis jetës dhe pajetës.

Më Shumë

Viti i ri shkollor nis në Prizren, Totaj uron nxënësit dhe zotohet për investime

Me fillimin e vitit të ri shkollor në Komunën e Prizrenit, kryetari Shaqir Totaj, ka uruar sot nxënësit dhe stafin mësimor për një vit...

Shqipëria me rikthim fantastik triumfon ndaj Ukrainës

Është mbyllur sfida në “Epet Arena” me fitoren 2-1 të Shqipërisë përballë Ukrainës. Pas një pjese të parë pa gola, ishin ukrainasit që shënuan të...

Lajmet e Fundit