Zëdhënësi i Policisë Rajonale të Prizrenit Hazir Berisha konfirmoi për KALLXO.com emrat e tre të vrarëve në Prizren.
“Viktimat janë Haki Thaçi, Ferdi Shishko dhe Bilgin Ersoi,” tha Berisha.
Ndersa emrat e te dyshuarve zëdhënësi Berisha tha se ende nuk janë bërë publikë.
“Policia sapo ka gjetur veturën e braktisur me të cilën dyshohet se të dyshuarit kanë ikur nga vendi i ngjarjes, policia është në kërkim të tyre,” tregoi Berisha.
Ai shtoi se ende nuk ka informata të sakta për motivet e vrasjes.
16:31
Zëdhënësi i policisë në Prizren ka dhënë detaje rreth vrasjes së trefishtë e cila ndodhi pak para orës 15 sot në Prizren.
“Dyshimet janë për dy persona të cilët dyshohen që kanë qenë kryerës të vrasjes, pasiqë në vend ngjarje kemi gëzhoja të dy armëve, të kallashnikovit dhe të pistoletës. Të dyshuarit janë nga Prizreni, mirëpo ende nuk dihet se a janë shkrepur nga një person dy armët apo nga dy persona”, tha Hazir Berisha.
“Njëra nga viktimat është me mbiemër Thaçi dhe siç duket është nga lagja Tusuz, ndërsa për të tjerët ende nuk dihet. Tre viktimat janë të gjinisë mashkullore, dy nga ta, janë të moshës 33 përkatësisht 35 vjeçare, ndërsa për viktimën e tretë ende nuk dimë”, tha zëdhënësi Hazir Berisha.
16:06
Para pak minutash, në rrugën afër Spitalit Regjional të Prizrenit, ka ndodhur vrasje e trefishtë.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Hazir Berisha e ka konfirmuar këtë rast për KALLXO.com.
“Sapo arrita në vendin e ngjarjes mund t’ ju konfirmoj se janë tre persona të vrarë, ndërsa nuk di detaje rreth motivit të vrasjes, për këtë do t’ ju njoftoj në ndërkohë”, tha zëdhënësi Berisha.
Tre të vrare në Prizren
Tre persona kanë mbetur të vdekur në Prizren, pas një incidenti me armë zjarri mes disa personave.
Policia rajonale e Prizrenit ka konfirmuar për Koha.net se në këtë rast, në incidentin e sotëm kanë mbetur të vdekur tre persona. Ndërsa ngjarja mësohet të ketë ndodhur në një rrugë afër Spitalit rajonal të Prizrenit.
“Policia është në fazën fillestare të hetimeve, mirëpo mund të konfirmojmë se nga ky incident kanë mbetur të vrarë tre persona”, kanë thënë për Koha.net zyrtarë të Policisë rajonale të Prizrenit.
Ende nuk dihet mosha e viktimave e as motivi që ka çuar deri te ky akt i rëndë.