Mbrëmë në Prishtinë u hap Festivali i Filmit 9/11. Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, me rastin e hapjes, ka mbajtur një fjalim
“Dymbëdhjetë vjet më pare dhe në çdo përvjetor që nga ajo ditë e kobshme e sulmeve terroriste ndaj simboleve dhe vlerave amerikane, në forma të ndryshme të gjithë qytetarët e botës së lirë u bashkuan për të kujtuar shuarjen e shumë jetëve të pafajshme, për t’i dënuar forcat e errëta që shkaktuan shumë dhembje dhe për t’u solidarizuar me familjet e viktimave dhe popullin amerikan në përkujtimin e mijëra viktimave të 11 Shtatorit”, tha Jahjaga.
Presidentja Jahjaga tha se përmes këtij festivali tashmë tradicional ne vazhdojmë të shprehim përkrahjen e qytetarëve dhe institucioneve të Republikës së Kosovës duke kujtuar se sa të lidhur jemi me njeri tjetrin, se si të godasësh njërin prej nesh është sikur të godasësh mbi të gjithë ata që ndajnë dëshirën për të jetuar në paqe dhe për të qenë të lirë. Duke kujtuar mbase se sa e vështirë është të krijosh e sa lehtë është të shkatërrosh.
“Por, edhe të kujtojmë atë që është më e rëndësishme se përkundër dhembjes dhe humbjes së madhe që shkaktuan forcat e errëta në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, populli amerikan u ngrit para kësaj sfide duke u solidarizuar me njëri tjetrin, me ata që humbën të afërmit e tyre dhe duke u përkushtuar sërish për krijimin e një bote më të sigurt për të gjithë, një bote ku mbizotëron paqja dhe respekti i ndërsjellë dhe ku nuk ka vend për dhunë dhe urrejtje”, tha ajo.
Të bashkuar populli amerikan dhe qytetarët e botës së lirë dolën njëzëri në mbrojtje të paqes dhe lirisë, ashtu siç bënë edhe kur i erdhën në mbrojtje popullit të Kosovës, mbi të cilin po ushtrohej represion dhe dhunë e madhe dhe ashtu siç do të qëndrojmë të bashkuar për t’iu ardhur në ndihmë viktimave të tjera të gjenocidit dhe represionit shtetëror.
“Andaj, sot, derisa po përkujtojmë viktimat e sulmeve në New York dhe në Washington, të gjithë mund të themi se jemi mbijetues të 11 Shtatorit. Këtë e them jo për të zbutur dhembjen dhe përjetimet e paimagjinueshme të familjeve që humbën të dashurit e tyre dhe të njerëzve që shpëtuan, të qindra zjarrfikësve e policëve që sakrifikuan edhe jetën për të ndihmuar bashkëkombësit e tyre”, tha ndër të tjera presidentja e vendit Atifete Jahjaga./PrizrenPress.com/