19.8 C
Prizren
E martë, 21 Maj, 2024

Jetë që ia vlen të rrëfehet

Për Hedli Riçardsonin, gruan e parë të Hemingueit, tetë vjet më të madhe se ai, të skicuar në librin “Një grua në Paris”.

Nga Arta MARKU

Do të vinte një kohë e më në fund ajo do të gjendej “gjithandej” në një libër të tijin. Ama, do të ishte libri i  kujtimeve. Ndryshe e thënë, ishte libri ku ajo, s’kishte se si të lihej jashtë. Se fundja kishte qenë pjesë e jetës së tij, jo pak por për pesë vjet. Një kohë kaq e gjatë nuk mund të fshihet me gomë e tek hidhet dritë mbi të, pjesët e rëndësishme ndriçohen të parat. Kësisoj edhe ajo, Hedli Riçardsoni, gruaja e parë e Hemingueit, figura e saj, portreti…, teksa shkrimtari do të vendoste të shkruante kujtimet, do të ndriçohej në sy të të gjithëve, ngase do të përfshihej në libër, padyshim.

Kurse ajo, në kohën e jetesës së përbashkët, teksa ishin burrë e grua, rrisnin djalin e venin e vinin andej-këndej nga Amerika në Europë, thellë brenda vetes kishte ëndërruar të shndërrohej në personazh të letërsisë së tij…

Gjatë atyre pesë viteve i ndodhte ta kapte veten mat, duke kërkuar se mos gjente qoftë edhe ndonjë hije të sajën, rreshtave a mes rreshtave të dorëshkrimeve të të shoqit, që i lexonte e etur. Tekefundit a nuk shkruante ai për gjëra që i kishin jetuar bashkë? A nuk ndodheshin aty, në krijimet e tij, pikërisht ata njerëz që kishin qenë me ta a rreth tyre? Atëherë, pse jo edhe Hedli? …Një herë i pat thënë se donte të shkruante për infermieren me të cilën kishte pasur një histori dashurie gjatë kohës që u shtrua në spital pas plagosjes së rëndë… Më vonë, libri “Lamtumirë armë” e bëri Agnesën, një personazh botërisht të njohur… Sërish pra, pse Hedli të mos ishte? Pse të mos e bënte ajo, xhiron e botës si një personazh libri? Tekefundit ishte gruaja e tij… Apo mos ndoshta pikërisht se ishte gruaja, thjesht gruaja me të cilën u martua pa hasur as në rezistencën më të vogël, e mandej prapë gruaja, ajo që ishte çdo ditë në të njëjtën shtëpi me të, gruaja pa mistere dhe pamundësi, teksa infermierja (apo të tjera si ajo) kishte joshjen e mosrealizimit? Mos ndoshta Hedli, duke iu “dorëzuar” lehtë nuk mund të ishte një idengulitje e pashqitshme e Ernestit ashtu si Agnesa e librit të ardhshëm? Jo se mendime të tilla e sfilitnin Hedlin, por i shkonin nëpër mend gjithsesi.

Përfundimisht, sa ishin bashkë, ajo e gjeti veten veç në një kushtim ku shënohej emri i saj dhe i djalit të tyre, në kushtimin e librit “Dhe dielli lind” që ai e shkroi në kohën kur martesa e tyre po merrte rrokopujën, dhe çfarë gruaja përfitoi ishin vetëm të drejtat e librit dhe të filmit që, vite më pas, rrodhi prej tij.

Më vonë ama, Hedli Heminguei u bë personazh librash. Libra që kishin të bënin me Heminguein padyshim, ama jo të shkruar nga dora e Hemingueit (pa llogaritur pra A Movable Feast që u botua tre vjet pas vdekjes së shkrimtarit). Merret me mend, personazh historish kryepersonazhi i të cilave ishte Heminguei. Ndërsa së fundmi (2011), ajo u bë protagoniste e romanit biografik (autorja këmbëngul te të qenët shkrimtare dhe jo thjesht biografe, pavarësisht fakteve historike që përmban libri) me titull “Një grua në Paris”. Në të vërtetë pat qenë A Movable Feast, nxitja për “The Paris Wife” (shqip, Një grua në Paris) të Paula McLain, ku sipas shkrimtares, “Zëri dhe jeta e saj (Hedlit) janë magjepsëse. Ajo është personi ideal për të na treguar një anë të Hemingueit… i butë, i ndjeshëm, shumë njerëzor, por edhe ajo vetë ishte njeri i jashtëzakonshëm… Hedli ishte shumë e rëndësishme për karrierën dhe pjesën tjetër të jetës së HemingueitPa ndikimin e saj, ai nuk do të ishte bërë shkrimtari që ne njohim. Kështu beson autorja e “Një grua në Paris” për Hedli Ricardson Heminguein, ndaj dhe iu kushtua kësaj gruaje, interesante në vetvete, përballë një njeriu interesant padyshim.

Hedli Heminguei, është pra Gruaja e Parisit (që e ka kuptimin, gruaja me të cilën shkoi e jetoi në Paris)… e sakaq një copëz jete e Hemingueit që tek zbulohet, prodhon letërsi…

Heminguei, Hedli dhe të dy

Duket sikur për Heminguein dihet shumë. Por, për personazhe të tillë ka gjithnjë diçka të re për të zbuluar. Herë gjëra të thëna, por që është mirë të rithuhen, parë nga një këndvështrim i ri, e herë të pathëna, mbetur skutave të errëta mbi të cilat papritmas hidhet pak dritë dhe vihet re se janë aty e është mirë t’u zbulohen syve të të tjerëve.

Te “Një grua në Paris”, nga njëra anë është Heminguei i ri, ende i panjohur që bën për vete Hedlin, vajzën tradicionale pa përvojë me djemtë. Heminguei, që nuk mund të lërë shpërfillës cilëndo grua, me rrëfimet e jashtëzakonshme mbi luftën, frontin, takimin me vdekjen që iu duk një çast sikur do ta merrte me vete. Heminguei, sakaq në kërkim të famës, i bindur se diçka ka brenda vetes që duhet t’ia japë botës, për të mirën e tij, por edhe për të mirën e botës…

Nga ana tjetër është edhe Hedli. Gruaja që jo vetëm rri një copë herë të gjatë në krah të tij, por mbi të gjitha ndikon tek ai. Gruaja që i vihet në dispozicion, e heshtur dhe mirëkuptuese, nxitëse dhe ndihmuese. Njëkohësisht një grua aspak e zakontë, një pazakonshmëri me të cilën është shenjuar qysh në lindje. Nisur nga mjedisi ku është lindur e rritur, një qytet i vogël e i heshtur dhe nga familja të cilës i përket; marrëdhënia mes prindërve të saj; mënyra se si ishte ndërtuar dhe funksiononte e ëma; e deri edhe vetëvrasja e të atit mu në mes të sallonit të shtëpisë që e shenjoi vajzën me një imazh të pashlyeshëm tronditës…

Dhe pastaj janë të dy bashkë, me të ndryshmet dhe të përbashkëtat e tyre. Nënat posesive të të dyve, hedh idenë Hedli, është një nga arsyet e të qenët bashkë edhe pse Heminguei e kundërshton. Një prirje aventure e të dyve, guximi për të provuar diçka të re, të panjohur që nuk i dihet ku do t’i çojë… një arsye tjetër, ndoshta e pranuar nga shkrimtari i ardhshëm. Por, më e sigurta ndër arsyet që i çuan drejt njëri-tjetrit, është fakti se ai kërkonte pjekurinë që ajo ofronte kurse ajo energjinë që ai zotëronte, energji e cila njëfarësoj kishte ikur prej saj me moshën… E pra, merrnin prej tjetrit çfarë nuk e kishin brenda vetes.

Një copëz intimitet

Cili është Heminguei përballë grave? Te “Një grua në Paris”, gruaja që qëndron në bosht është Hedli Riçardsoni, gruaja e parë, 8 vjet më e madhe se burri. Por sfondi i jetës së tyre të përbashkët ka edhe gra të tjera. Veç kalimtareve që nuk shenjuan kushedi çfarë në jetën e tij, edhe të tjera, ndikuese, përcaktuese dhe që e bënin për vete.

Mund t’ia nisim me infermieren që u bë e famshme më vonë nëpërmjet librit “Lamtumirë armë”. Në të vërtetë i përkiste të shkuarës së shkrimtarit, por rishfaqet në ndërkohën që Hedli dhe Heminguei ishin bashkë, si pjesë e bisedave mes burrit dhe gruas. A duhej ta shkruante ai një libër për të? Pse duhej ta shkruante një libër për të? Hedli besonte se atë kohë, kur u takua me vdekjen për t’u ndarë menjëherë prej saj, Hemingueit iu ngulit tmerri ndaj vdekjes, e të shkruante për infermieren, ndoshta do ta ndihmonte. Diçka e cimbiste gruan, por me gjasë, pjekuria e moshës e bënte të logjikonte…

Gratë e tjera? S’mund të mos jenë kur bëhet fjalë për Heminguein, edhe në kohën kur jetonte me Hedlin. Gra që në të vërtetë e bezdisin gruan, për shkak të mënyrës se si silleshin me të shoqin dhe se si ai sillej me to. Por sërish, ia del të qëndrojë “përmbi”.

Dhe mbi të gjitha, është Paulina Pfajfër. Rivalja më e fortë se Hedli, pikërisht gruaja që i rrëmbeu burrin, ndryshe e thënë gruaja e dytë e Hemingueit… Një copë herë jetët e dy grave mbivendosen, ecin paralelisht. E çuditshme, por e vërtetë. Në fillim Paula e dashuruar ia fsheh të vërtetën gruas dhe vijon ta mbajë shoqe. Madje përfiton nga shoqëria. Ai po se po. Ndoshta është koha kur asnjëri nuk është i bindur për lidhjen. Ama, në këtë ndërkohë pothuaj bashkëjetojnë. Që të tre, bashkë me djalin e Heminguejve, jetojnë në të njëjtat hotele. Derisa Hedli fillon e ndien, kupton, dhe më në fund mëson të vërtetën, tradhtinë e dyfishtë. A mos ndoshta është më e rëndë kështu? Ka të ngjarë. Gjithsesi, Hedli në fillim mendon të  rezistojë, të qëndrojë “përmbi” ashtu si edhe herë të tjera kishte qëndruar. Në fillim duke pritur që “lidhja” paralele të marrë fund… derisa shpalli ultimatumin e saj të “100 ditëve”.

Bëhet fjalë për një nga pjesët më joshëse të librit: Heminguei mes dy grave: njërën që nuk do ta humbë e tjetrën që do ta fitojë me çdo kusht; i dashuruar me të dyja; i sfilitur nga udhëkryqi

Personazhet e tjera të famshme

“Një grua në Paris” është nga libra ku lexuesi ka mundësinë të lexojë për shumë  personazhe të famshme njëkohësisht. Sepse që nga çasti që Heminguei vendos të qëndrojë në Paris, gjendet padyshim mes emrave më të njohur të kohës. Dhe nuk ishin pak, dhe ishin gjeni, pa përjashtim. E pranuan Heminguein mes tyre, kryekreje për hir të rekomandimeve që ai kishte marrë me vete nga përtej oqeanit, mandej për hir të aftësisë së tyre për të kuptuar se pas tij fshihej gjeniu i ardhshëm që kishte nevojë për kohë dhe mbështetje, të cilën nuk ia kursyen.

Është në librin e Paula McLain, Ezra Paund me konceptet e tij të “çuditshme” për jetën dhe bashkëjetesën, me urrejtjen për martesën dhe etjen për alkool… Është  Gertrudë Shtein që bashkëjeton me një grua, me gruan që sa herë Heminguejt u shkonin për vizitë e merrte përkrahu Hedlin për ta çuar në kthinën tjetër, duke bërë, për pakënaqësinë më të madhe të saj, ndarjen tradicionale sipas të cilës: “burrat” mënjanë në bisedën e tyre intelektuale dhe “gratë” në muhabetet tipike femërore. Janë Fitzxheraldët që silleshin në mënyrë të pazakontë kafeneve… Janë Mërfët, janë…  E ndërsa zbulohet Heminguei me gruan e tij të parë (dhe nëpërmjet gruas së tij të parë), u hiqet nga një copë lëvore për të parë ç’ka brenda, edhe shumë prej gjenive të tjerë të kohës së tij.

Jetohet në Parisin e papërsëritshëm të viteve ’20 të shekullit të shkuar, ku vlojnë bisedat e jashtëzakonshme mbi letrat, artin, kulturën, gjithçka…  rrethuar nga avuj alkooli dhe etje e pashuar për aventurë…

***

Është një copëz jete që tek rrëfehet fiton statusin e letërsisë. Është jeta e Hemingueit… Jetët e shkrimtarëve kanë shpesh shansin të bëhen letërsi. Herë të shkruara nga ata vetë, e herë të shkruara për ata nga të tjerët. Në të gjitha rastet janë jetë që ia vlen të rrëfehen…

Më Shumë

Ramadani: Isha në rrezik për jetë, më trajtuan si fëmija i presidentit

Ylber Ramadani e kaloi një rrezik të madh për jetën disa javë më parë. Mesfushori i Lecces u përball me një problem shumë të...

Mbi një mijë gjoba trafiku të shqiptuara në Kosovë në 24 orët e fundit

Policia e Kosovës në 24 orët e fundit ka shqiptuar 1 mijë e 609 gjoba trafiku. Ndërkaq në raportin 24 orësh të policisë, figuron se...

Lajmet e Fundit