IMER MUSHKOLAJ
Përtej rezultatit të zgjedhjeve, një fitore shumë më e madhe për qytetarët do të jetë dhënia e besimit për t’i përfaqësuar atyre që nuk kanë probleme me ligjin, njerëzve që vërtet e meritojnë. Mos i votoni kandidatët e korruptuar e të kriminalizuar më 11 qershor. #AsUne nuk do t’i votoj. Jo me votën time, jo me votat tona të tillët deputetë.
Një garë e paparë ndonjëherë pritet të jetë ajo për të fituar një ulëse deputeti në Kuvendin e Kosovës. Koalicionet parazgjedhore kanë bërë që partitë të mos i kenë listat e plota në dispozicion, por t’i ndajnë ato me partnerët. Kjo nënkupton se për zyrtarë partish politike, një fitore e vogël mund të jetë madje edhe futja e emrit në listë.
Por, përtej rezultatit të zgjedhjeve, një fitore shumë më e madhe për qytetarët do të jetë dhënia e besimit për t’i përfaqësuar atyre që nuk kanë probleme me ligjin, njerëzve që vërtet e meritojnë, njerëzve të pakriminalizuar e të pakorruptuar.
Në të gjitha përbërjet e kaluara të legjislativit ka pasur deputetë që kanë shkelur ligjin, por që janë bërë pjesë e Kuvendit. Pak duke përdorur marifetllëqe tashmë të njohura, por më së shumti me votën tonë.
Në këtë mënyrë, në vend që t’i përfaqësojnë qytetarët, ata e kanë shfrytëzuar karrigen e fituar si një lloj imuniteti ndaj veprimeve të tyre të paligjshme, duke gëzuar privilegjet që sjell të qenit deputet. Për më tepër, me mënyrën e veprimit të tyre, kanë fyer edhe ata që i kanë votuar.
* * *
Subjektet politike e kanë shansin që në listat zgjedhore të përfshijnë emra që nuk kanë probleme me ligjin. Në këtë mënyrë do të dëshmonin se i kanë seriozisht premtimet për shtet të së drejtës.
Kandidimi, e më pas zgjedhja e njerëzve me precedentë penalë prodhon pasoja të rënda. Këta njerëz e kanë në dorë rregullimin e jetës sonë, e kanë në dorë të ardhmen tonë. Këta njerëz votojnë ligjet, këta njerëz zgjedhin qeverinë. Këta njerëz vendosin kah ta çojnë atdheun tonë.
Subjektet politike duhet të mos iu japin shans të tillëve, ndonëse e kanë të vështirë të veprojnë kështu. Thuajse në të gjitha partitë njerëzit e fortë, njerëzit që nuk njohin rend as ligj përbëjnë një masë të konsiderueshme. Ata sigurojnë shpesh mjete financiare për parti, ata kanë ndikim në parti, ata duan të jenë në lista, ata duan të zgjedhen. Andaj, të mos iu krijosh hapësirë në lista të tillëve, për partitë do të thotë të presin degët që i mbajnë.
Përbërja e kaluar e Kuvendit në masë të madhe ka qenë e turpshme – me njerëz nën hetime, njerëz të paedukuar a të paedukatë, njerëz të pafytyrë e me shumëfytyrësha, njerëz që ta fyejnë inteligjencën kur i dëgjon tek përpiqen të thonë diçka në foltore. Institucioni që do të duhej të ishte tempull i përfaqësimit e i demokracisë jo rrallë kthehej në tempull të turpit. Turp ky, të cilit i kemi ndihmuar vetë ne, duke ua dhënë votën atyre që t’i përfaqësojnë interesat tona. Por, çfarë bënë atë në të vërtetë?
Ata nuk na përfaqësuan ne, vetëm u paguan me paratë tona. Ata përfaqësuan veten dhe klanet e veta, si dhe i shfrytëzuan të mirat e privilegjet që ne ua mundësuam. Ata me siguri na shohin budallenj që ua kemi dhënë votën. E rastin e kemi që të mos na konsiderojë askush më, asnjëherë të tillë.
* * *
Më kanë kërkuar këto ditë kolegë gazetarë që ta komentoj thirrjen e ndërkombëtarëve për dekriminalizim të listave zgjedhore. Iu kam thënë dhe vazhdoj të mendoj se përpara se të jetë punë e ndërkombëtarëve, ambasadorëve e kujdoqoftë tjetër, kjo është punë e jona, është obligim yni.
Ambasadorët, përfaqësuesit e institrucioneve ndërkombëtare nuk do të na o pastrojnë listat. Listat mund dhe duhet t’i pastrojmë ne. Edhe nëse partitë politike zgjedhin të na ofrojnë kandidatë të kriminalizuar, të korruptuar, të pazot, ne duhet t’i ndëshkojmë ata me votën tonë, me fuqinë tonë.
Kandidatët për deputetë duhet të jenë shembull për të mirë. Është koha e fundit që të pamerituarit të mbeten jashtë Kuvendit, ndërkaq ata që vlejnë dhe që na përfaqësojnë denjësisht, t’i ndihmojmë me votë. Vetëm kështu vendosim qartë për të ardhmen tonë.
Mos i votoni kandidatët e korruptuar e të kriminalizuar më 11 qershor. #AsUne nuk do t’i votoj. Jo me votën time, jo me votat tona të tillët deputetë.