21.8 C
Prizren
E premte, 29 Mars, 2024

Josif Papagjoni: Regjisurës së teatrit i mungon filozofia, ende s’kemi parë një shfaqje mbresëlënëse

JosifPapagjoni-kritik i teatritKoncepti regjisorial deri më sot nuk ka mundur që të na japë shfaqje mbresëlënëse të pasuara me risi. Kështu u shpreh studiuesi dhe kritiku i teatrit Josif Papagjoni në intervistën dhënë për gazetën Sot. Duke folur mbi teatrin shqiptar, premierat, regjisorët dhe aktorët që kanë qenë pjesë e këtyre veprave, kritiku i teatrit vjen me një analizë mbi atë se çfarë sollën në pjesën më të madhe skenat teatrore. Në gjykimin e tij, kritiku Papagjoni thekson se një problem për skenën teatrore ka qenë dhe përsëritja e veprave. Sipas tij, shpesh regjisorët tanë, sidomos të rinjtë, duke mos gjetur tekste të bukura ose duke mos pasur mundësi të venë tekste klasike apo tekste që kërkojnë shumë personazhe, për efekte financiare marrin tekste me pak personazhe apo tekste që e kanë suksesin brenda tyre, dhe kështu përsëriten shpesh disa tekste që i kemi parë disa herë në teatër. Më tej duke folur mbi jetën artistike në fushën e teatrit, kritiku i teatrit Papagjoni thekson se fatkeqësia sot në teatrin shqiptar është se vihen shumë pak pjesë të fuqishme teatrore për shkak dhe të pamundësive financiare.

Në aktivitetin tuaj ju vijoni të jeni pranë teatrit, si kritik i teatrit çfarë mund të na thoni mbi shfaqjet teatrore të sezonit artistik. Sipas jush si kanë ardhur ato para publikut?

Koncepti regjisorial deri më sot nuk ka mundur që të na japë shfaqje mbresëlënëse të pasuara me risi, që ristrukturojnë jo thjesht mendësinë mbi teatrin por vetë teatrin si të tillë. U fol shumë për trajtimin e tragjedisë së Sofokliut “Edipi Mbret”, që u vu në skenë nga një regjisor i talentuar që erdhi nga Prishtina, Ilir Bokshi, që e vuri këtë shfaqje me trupën e Teatrit Kombëtar. Unë vetë më herët kam shkruar një shkrim pohues dhe pohimi im më së pari ka qenë në një qasje jo të lëvruar dendur në teatrin shqiptar nga regjisura, duke shfrytëzuar në këtë rast elementin e ritualit, skenografi me bartje kuptimore që i shkojnë drejtpërdrejtë spektatorit dhe e qartësojnë, e bëjnë të dukshëm mesazhin që regjisori ka dashur të përcjellë, ose të vendosë mbi tekstin e vjetër të Sofokliut, ashtu si desha të nënvizoja dhe një trajtim vizualisht të bukur, joshës, ekspresiv, por nga ana tjetër kjo premierë në TK pati dhe mangësi. Së pari kjo shfaqje ka një lloj kaosi në vetvete dhe mund të pastrohej pak. Të shqiptuarit e fjalës është nga elementët kryesorë në aktrim, por këtu herë pas here shpesh fjala nuk vinte e pastër, nuk vinte e fuqishme deri në sallë. Mendoj se ishte lënë në hije pjesa psikologjike që bart vetë tragjedia. Ajo pendesë, ai fatalitet, ai tmerr që ka personazhi në rastin e tonë Edipi, që po fle me të ëmën dhe po bën fëmijë, kjo ndjenjë e tmerrshme që ka njeriu kur mëson se ai është i ndëshkuar me një nga ndëshkimet më të egra që mund ti bëhet njeriu, i cili fle me nënën e tij, gjithë ky rrënim psikologjik nuk vjen në mënyrën tronditëse, sepse regjisori është tërhequr më shumë nga elementët e dytë, nga rituali, mizanskena, etj, dhe ka lënë pas dore këtë vuajtje të personazhit. Mendoj se regjisura duhet të jetë më filozofike, duhet ta tejkalojë tekstin. Kur merren tekste të vjetra që kanë një emër në teatrin e botës, regjisura në teatrin tonë nuk e tejkalon dot këtë tekst. Mbetet zakonisht nën nivelin e vetë tekstit, ky është defekti më i madh që ne kemi sot në regjisurën shqiptare. Nga ana tjetër ne kemi pasur dhe shembuj ku regjisura punon mirë me aktorin. Përmend këtu veprën “Fqinjët” shkruar nga Ruzhdi Pulaha dhe e vënë në skenë nga Alfred Trebicka, por këtu regjisura është e fshehur pas aktorëve, komedia shitet mirë tek publiku, i cili reagon me këtë komedi. Kemi veprat “14 vjeç dhëndër” dhe “Karnavalet e Korçës” vënë në skenë nga Elma Doresi, një regjisore e re por që ka fantazi. Me ambicien e saj dhe talentin ka mundur të vijë në skenë si një regjisore e re me perspektivë dhe e talentuar. Në të dy tekstet ajo operon mirë më groteskun, shfaqjet janë më joshëse, por ka dhe teprime. Nëse në “Karnavalet e Korçës” grotesku është më i përthithur brenda regjisores dhe trajtimit të komedisë, tek “14 vjeç dhëndër” herë- herë ka dhe ndonjë tepri, por finalja e kësaj komedie është e mrekullueshme. “Harroje dashurinë” me regji nga Erion Kame ishte një vepër që përgjithësisht funksioni në teatër, publiku pati reagim, paçka që herë-herë kishte dhe tepricë lënde, por shfaqja komunikoi me publikun.

Ju treguat disa nga veprat më kryesore në skenat e Tiranës, por në ato pak teatro që kemi në qytete të tjera, si kanë ardhur premierat?

Vepra “Stjuardesat” nga regjisorja Driada Dervishi në Durrës ishte një komedi plot gëzim dhe energji, aktrim që i përgjigjej komedisë së situatave. Shfaqje me imagjinatë ishte dhe ajo me regji nga Hervin Çuli, “Arlekini, shërbëtor i dy zotërinjve”, që erdhi po në skenën e Durrësit. Por dhe shfaqja me regji nga Kiço Londo titulluar “Vizita e Damës plakë” kishte gjetjet e saj. Kemi veprën “Hiqeni ministrin nga priza”që erdhi në skenën e Korçës, dhe këtu kishte gjallëri, aktorë të mirë, por versioni siç e ka vënë në skenë Ilir Bokshi në Teatrin e Prishtinës ka qenë një bukuri e madhe, pra varet nga regjisori, por dhe aktorët që janë në vepër. Kam parë shfaqjen “Nata e dymbëdhjetë” po me regji të Ilir Bokshit, që ka qenë dhe është një nga shfaqjet antologjike të teatrit shqiptar. Kemi bukuri të madhe, kemi rituale, dhe ka qenë një premierë e bukur. Përmend këtu dhe veprën “Doktor Shuster”, ku roli që ka qëndisur Robert Ndrenika është në nivelin e tij dhe kjo dëshmon që ky aktor është një nga margaritarët e aktrimit shqiptar, ku dhe me këtë rol di të luajë kaq bukur. Një problem për skenën teatrore ka qenë dhe përsëritja e veprave. Shpesh regjisorët tanë, sidomos të rinjtë, duke mos gjetur tekste të bukura ose duke mos pasur mundësi të venë tekste klasike apo tekste që kërkojnë shumë personazhe, për efekte financiare marrin tekste me pak personazhe apo tekste që e kanë suksesin brenda tyre, dhe kështu përsëriten shpesh disa tekste që i kemi parë disa herë në teatër, prandaj ka rëndësi koncepti regjisorial.

Ju folët mbi problemet e regjisurës, çfarë mendoni sot për aktorët?

Kam qenë dhe ne festivale të ndryshme të botës dhe kam parë trajtime të ndryshme të lojës së aktorit. Kemi dhe aktorët e traditës që vijnë dhe nga tekste të mëdha, të fuqishme, që bota i ka trashëgimi, por në teatrin tonë për fat të keq shumë pak tekste klasike na vijnë. Ne na vjen shumë pak Shekspiri, Molieri, etj, mungojnë sepse janë vepra me shumë personazhe, duan para, financime, dekore. Këtë lloj interpretimi teatri shqiptar e ka pasur arritje para viteve ’90, dhe në kohën e realizmit socialist një nga vlerat e teatrit ishte aktrimi. Sot aktrimi ka ndryshuar, por dhe në botë ka shumë eksperimente të cilat kanë filluar dhe në teatrin shqiptar. Në teatrin tonë ka aktorë që eksperimentojnë dhe kanë arritur rezultate në tekste të ndryshme. Shpesh kemi interpretime të bukura ashtu si ka dhe interpretime që kanë vend për kritikë.

Është pranuar se mungon kritika në art, dhe në teatër duket se ka sjellë jo pak problem mungesa e kritikës. Shpresoi se kjo situatë do të ketë ndryshim?

Kritika është hallka e tretë në sistemin e komunikimit. Ka sjellë pasoja mungesa e saj. Kritika bën shoshitjen e vlerave, ndihmon në krijimin e një hierarkie. Kritika është pjesë e shkencës letrare, artistike, por të mos harrojmë që kritika ka një dozë të fuqishme dhe të subjektivitetit të kritikut, dhe nuk mund të dalë dot kritiku jashtë vetvetes. Sot jo vetëm në arte, por dhe në letërsi, kritika është në krizë, është në mungesë totale. Do një atmosferë që të ndërtohet një mendim kritik, që shoqëria të tolerojë mendimin kritik. Një kritik ka detyrë të vështirë që duhet të vërë në pah dhe mediokritetin dhe të mos japë lëvdata pa fund, pra ka një pozitë morale që duhet dhe të kritikojë. Kritika duhet institucionalizuar, kërkon njerëz që janë të specializuar për kritikën. Ne sot nuk kemi fuqi si në shtete të ndryshme ku kritika paguhet. Nuk kemi kritikë në media të specializuar, por dhe në qendrat shkencore mungojnë njerëzit e tillë, mungojnë njerëz që shteti ka detyrim që ti paguajë për kritikën.

Së shpejti do të fillojë sezoni artistik në teatro, cili është mesazhi juaj për regjisorët?

Unë nuk e di me saktësi se çfarë tekstesh do të vijnë në skenë. Por kam dëshirë që të gjendet një ekuilibër mes dramës shqipe dhe asaj të huaj sa i takon vënies së veprave në skenë. Kemi detyrim si artistë për dramaturgjinë shqipe. Nëse ne nuk e inkurajojmë dramën shqipe dhe këta autorë që kemi do të fillojnë të bien, prandaj ne duhet të mbajë ndezur frymëzimin tonë. Mos harrojmë që shpesh kur goditen tekste të bukura të dramës shqipe krijojnë reagime në publik.

Më Shumë

Ushtroi dhunë fizike ndaj katër personave, arrestohet i dyshuari në Prizren

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar një person në Prizren, pasi i njëjti kishte ushtruar dhunë fizike ndaj katër personave. Rasti ka ndodhur...

Haradinaj e Latifi nderojnë 5 dëshmorët dhe 49 martirët e fshatit Brestoc

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj dhe kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, kanë përkujtuar në 25-vjetorin e përjetësimit 49 martirët e Brestocit të...

Lajmet e Fundit