19.8 C
Prizren
E diel, 19 Maj, 2024

Kali, shëruesi i sëmundjeve në Has

Njeriu me kohë arriti që t’i zbus disa prej kafshëve për t’i vënë në shërbim të tij. Një prej kafshëve më të dobishme është edhe kali. Ajo shihet si një kafshë fisnike, kurse udhëpërshkrues të ndryshëm shprehen se shqiptarët janë shumë të lidhur me këtë kafshë. Tani, edhe pse rrethanat kanë ndryshuar shumë, kjo kafshë vazhdon të jetë në funksion të lehtësimit të jetës së njeriut. Kadri Palla, nga Prizreni tregon se dikur me kalin e tij ka punuar punë të rënda, kurse tani me pajton bart vizitorët kureshtarë në qytetin historik të Prizrenit, shkruan gazeta Kosova Sot.

Ndërsa studiuesi Nexhat Çoçaj shprehet se në bashkëjetesën e kalit me njeriun, kali ka qenë simbol pune, ekzistence, jetese dhe mbijetese, por edhe një metaforë bukurie dhe ndjeshmërie artistike. “Më shumë se çdo kafshë tjetër, ai ka qenë i pranishëm në përfytyrimet mitologjike dhe në gjurmët gjuhësore. Pegasi fluturues që nga mitologjia është personifikim i përfytyrimeve më të guximshme të ndjenjave njerëzore”, shpjegon Çoçaj. Sipas tij, në hapësirën shqiptare, “kali është përdorë në ndarjen pleqërive të shumta”.

Vetitë shëruese të qumështit të pelës

“Në disa raste është përdorë edhe për të mësuar nëse njeriu është i vdekur apo jo, ngase kali as sot e kurrë nuk e kalon varrin dhe nuk e kalon njeriun e vdekur. Prandaj, është vetmja kafshë fisnike që e kupton shpirtin e njeriut a është në trup apo jo. Atje ku mungon mjeku, edhe sot e kësaj dite për të mësuar se a është i vdekur a i gjallë ende provohet me kali. Ta zëmë në Has është përdor shesh kur njeriu ka mbetur në komë për të provuar se a është i gjallë apo i vdekur”, thotë Çoçaj. Sipas tij, qumështi i pelës ka veti shëruese, që janë konstatuar edhe nga mjekësia, e që janë përdorë qysh në kohërat më të hershme. Sipas tij, qumështi është përdorë kryesisht për gratë sterile.

“Edhe sëmundjet e syrit kanë arritur t’i shërojnë me qumësht pele”, thotë Çoçaj, i cili shpjegon se Pegasi përfytyrohet si një kalë me fletë që fluturonte, me të cilin thuren shumë legjenda. Ai lindi nga gjaku i Meduzës kur e vrau Perseu, kurse e ka përdorur Zeusi për të transportuar rrufetë. Zeusi e vendosi atë në qiell, në formën e yjësisë së Pegasit. Në një tjetër legjendë thuhet se mbi të hipnin Muzat dhe si rezultat i lidhjeve me Muzat u bë për poetët e vjetër, por edhe ata të rinj, simbol i frymëzimi poetik. Sipas Çoçajt, këtë kafshë e gjejmë edhe në traditën ilire, në gdhendjet artistike në dru, në gur, pastaj në thurjet e qëndisjeve, si dhe në toponimet e shumta dhe historitë gojore. Ndërsa Masar Randobrava shprehet se kjo kafshë përmendet edhe në legjendat e popujve të tjerë. “Kali përmendet edhe në legjendat e mëpasshme. Mjafton të përmendim Gurakën kalin, që e çoi profetin Muhamed lart në qiell, ku takoi Zotin”, tregon Randobrava. Sipas tij, edhe në krahinën e Hasit ka pasur kushte të favorshme për mbarështimin e kuajve. “Që nga kohët e vjetra hasjanët e kanë çmuar kalin, më shumë se nga të gjitha kafshët e tjera, të cilët e kanë ndihmuar”, shprehet Randobrava. Ndërsa studiuesi Nexhat Çoçaj thotë se “çdo hasjan ka në zemër një qoshe dashurie për kalin, ashtu siç çmon shumë gruan, dhe pendën e qeve, tri gjëra jetësore: Jeta (dashuria), buka dhe kafshët, që e kanë shoqëruar në jetë”.

Kafsha në punimet artistike

Krahina e Hasit ajo e Përdrinisë ishin të njohura edhe për traditën e rritjes së kafshëve, e sidomos për kalin e bukur, të shpejtë dhe të fortë, që njihet si kali Hasit apo i Podrimes. Toponimet përbëjnë një argument më shumë për vendin që zë kjo kafshë fisnike, në Përdrini e Has. Ato janë të shumta në vendbanimet e këtyre anëve si Samari i Kalit, Qafa e Kalit, Gropa e Kalit, Guri i Kalit në Has, një gur me përmasa normale e me emër. Sipas një zakoni mbetur kushedi nga ç’kohë këtu burrat me nam hipnin mbi kuajt e bukur dhe të ushqyer mirë. Ka qenë si rregull të nderohen ata që shkojnë kaluar dhe kjo u jepte të drejtën e fisnikërisë së tyre, si dhe përcaktonte edhe rëndësinë hierarkike, sepse të mbaje kalë në këto dy vende patjetër duhet të ishe i pasur apo i shtresës së mesme fshatare. Një dëshmi tjetër e qartë janë edhe gdhendjet e lashta në vendbanimet ku tregohet simpatia e të parëve tanë për shpendët, kafshët, e sidomos për kuajt. Ata që i kanë parë me sytë e tyre këto gdhendje i tregonin me një ndjenjë adhurimi dhe simpatie. Shumë nga ato janë shkatërruar pas viteve të luftës. Edhe Kadri Palla, nga Prizreni, rrëfen për besimin në vetitë shëruese. Ai tregon se me kalin e tij shpesh e kanë thirrur me ia marrë jargët kalit për shërim dhe jashtëqitjen për eshtra. Ai tregon se gratë e vjetra në qytet i marrin edhe sot jargët e kalit e me to i shërojnë “Saraxhet” ashtu siç ai i mendonte varret apo puçrrat e pezmatuara. “Baglat” e kalit edhe sot të vjetrit ua kërkojnë që me to t’i shërojnë eshtrat e sidomos eshtrat e gjunjëve”, tregon Palla, i cili në Prizren edhe sot mbijeton nga pajtoni i tij me kalë.

Vrasja e kalit llogaritej si vrasje e një anëtari të familjes

Në rrëfenjat e ndryshme tregohej për miqtë që në dasma udhëtonin kaluar kuajve të zgjedhur. Në traditën shqiptare është tepër i njohur edhe riti i marrjes së nuses me kalë. Në Has zakonisht preferohej kalë i bardhë i zbukuruar me lule, shami, rruaza. Kur merrej nusja, krushqit përmbi kuaj qëllonin me armë dhe krismat bashkë me dollinë, këngët dhe vallet gjallëronin atmosferën për një kohë të gjatë. Krahina e Hasit nga pozicioni gjeografik që ka, kufizohet me shumë krahina të tjera fqinje nga hasi i Shqipërisë apo Podrimja në rrafsh, ndaj për ta kaluar në kohë dimri, stërvitnin kuajt që e bënin kalimin e lumit të sigurt. Ka shumë episode të tilla. Në përvojën e gjatë popullore për kalin si kafshë shtëpiake, të moshuarit tregojnë se kali, kur rrëzohej i zoti, kishte hije të lehtë, dhe nuk vritej shumë. “Ai ndalon menjëherë sikur të jetë me frena. Ndodhte shumë herë që rrëzoheshin nga gomari e mushka, se ecin më shpejt, duke e dëmtuar të zotin, që thyente krahët a këmbët. Kali është engjëll, që e do Zoti. Prandaj kali ka marrë urimet ose si me thënë bekimin e perëndisë. Kali është korrier shumë i mirë, ngado që të jetë, kur i ndodh një gjë të zotit dhe ai mbetet vetëm kthehet shpejt në shtëpi dhe është sinjal se diçka ka ndodhur. Kali është bari shumë i mirë dhe për kopenë e bagëtive, ai drejton dhe i ruan ato nga egërsirat, si dhe bëhet ortak edhe me qentë e tufës. Kali gjithashtu është paralajmërues i fatkeqësive, të ndryshimeve klimaterike. Ai ka shpëtuar njerëz e kafshë të tjera nga gjarpri, lumi i rrëmbyer, guri në lëmë, nga furtunat, etj. Prandaj edhe vrasja e kalit është konsideruar e barabartë më vrasjen e një mashkulli shtëpie”, tregon Çoçaj.

(Kosova Sot)

Më Shumë

Vazhdon regjistrimi i popullsisë në Prizren: Kontaktoni në numrat e publikuara!

Komuna e Prizrenit ka njoftuar se regjistrimi i popullsisë do të vazhdojë deri më 24 maj. "Të gjithë ju që keni mbetur pa u regjistruar,...

Propozimi i PDK-së për zgjedhje: 30 qershori ose 7 korriku

Mbrëmë janë takuar kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Memli Krasniqi. Gjatë këtij takimi, ndër të tjera u diskutua...

Lajmet e Fundit