1.4 C
Prizren
E hënë, 7 Prill, 2025

Kastrioti i jep fund serisë së fitoreve të Rahovecit

Kastrioti i ka dhënë fund serisë së fitoreve të Rahovecit në Superligën e Kosovës në hendboll.
Të shtunën mbrëma në palestrën “Mizahir Isma” në Rahovec, derbi i xhiros së 25-të përfundoi baras, 31:31.

Rahoveci kishte 24 fitore rresht dhe për herë të parë lëshoi pikë këtë edicion. Udhëheq në tabelë me 49 pikë. Kastrioti është i dyti me 39 pikë.
Ndeshja në Rahovec ishte shumë e fortë dhe shumë interesante, përcjell PrizrenPress.

Në pjesën e parë fillimisht në epërsi të lehtë ishte Kastrioti e më pas Rahoveci. Por në fund të 30 minutave rezultati u barazua në 16:16. Pjesën e dytë ferizajasit e nisën pozitivisht. Krijuan epërsi prej dy golash, ndërsa ‘vreshtarët” ia dolën vetëm të barazojnë. Në minutën e 49-të epërsia e Kastriotit ishte katër gola, 27:23. Në minutën e 54-t rezultati u barazua në 28:28. Kastrioti shënoi për 29:28, Rahoveci barazoi në 29:29. Më pas Kastrioti shënoi për 30:29 e vendasit barazuan. Kastrioti shënoi edhe për 31:30, ndërsa në minutën e 59-të Ardit Tafilaj barazoi në 31:31.

Aksionin e fundit nuk e realizoi Kastrioti, por as në anën tjetër nuk shënoi Rahoveci. Dhe ndeshja përfundoi baras.

Para golit të Tafilajt, Egzon Gjuka i shënoi pesë gola rresht për vendasit. Rron Ramadani i shënoi dy golat e fundit për mysafirët.

Deniz Terziqi ishte më efikasi te Kastrioti me tetë gola. Nga pesë i shënuan Lulzim Shabani e Ramadani, ndërsa nga katër i kishin Yassine Henahen e Vlerson Zherka. Me lojë shumë të mirë u dallua portieri Wadi Chebbi.

Egzon Gjuka i realizoi nëntë gola për Rahovecin. Katër i shënoi Jon Muqolli e nga tri Alban Haziri, Arbios Mushkolaj e Mali Luzha.

Të shtunën u luajtën edhe dy ndeshjet tjera të xhiros së 25-të. Besa Famgas fitoi ndaj Trepçës me rezultat 42:19. Jon Vokshi udhëhoqi pejanët me 16 gola. Nëntë i realizoi Balsha Çejoviq. Ermir Smaka ishte më efikasi te Trepça me shtatë gola.

Besa Famgas është e treta me 38 pikë. Trepça është e gjashta me 12 pikë.

Prishtina fitoi 39:38 ndaj Vushtrrisë. Oltion Beshiri i shënoi 12 gola për Prishtinën. 15 gola për Vushtrrinë i kishte Egzon Ademi.

Prishtina është e katërta me 25 pikë. Vushtrria renditet e pesta me 16 pikë./PrizrenPress.com

Më Shumë

Dëshmitar i Masakrës në Pastasellë: I humba ndjenjat kur i pashë trupat e shqiptarëve

Nijazi Krasniqi është dëshmitar i krimeve që u kryen nga forcat ushtarake dhe policore serbe në Pastasellë të Rahovecit. Krasniqi mes lotësh rrëfen momentin...

Derbi vendimtar në Prizren: Bashkimi kërkon kreun, Peja pozitë më të mirë para Playoff-it

Sonte zhvillohet përballja kryesore dhe derbi i xhiros së fundit nga stinori i rregullt i Superligës së Kosovës. Bashkimi e pret në palestrën ”Sezai Surroi”...

Eminem bëhet gjysh

Lajmet e Fundit