Prof.Dr. Xhafer Beqiraj
(Për një vetëdijesim gjuhësor)
Gjuha shqipe, si shenjë thelbësore e identitetit kombëtar, po përballet me një krizë të thellë në aspektin e përdorimit në komunikimin e përditshëm. Rrjetet sociale, të cilat në parim ofrojnë mundësi për shprehje të lirë dhe përhapje të kulturës gjuhësore, fatkeqësisht janë shndërruar në pasqyra që zbulojnë deformimin dhe keqpërdorimin e shqipes së shkruar. Në to, gjithnjë e më shumë vërehet një përdorim i shthurur i gjuhës, i cili qëndron jashtë çdo norme standarde ose dialektore, duke krijuar kështu përshtypjen e një kodi të paqëndrueshëm gjuhësor që ngjan më shumë me një përzierje elementesh të paartikuluara sesa me një sistem të gjuhës natyrore.
Veçanërisht shqetësuese është dukuria që kjo mënyrë shkrimi nuk përfaqëson devijime të vogla nga norma standarde, por dëshmon për një nivel të ulët të zotërimit të gjuhës amtare nga folësit e saj, në Kosovë dhe më gjerë. Mjafton t’u hedhim një sy shkrimeve të ndryshme në rrjetet sociale dhe do të shohim se fjalët janë të gjysmuara, të renditura pa lidhje logjike, pa përshtatje gramatikore dhe pa shenja pikësimi. Fjalitë janë të copëzuara (sikurse edhe fjalët), pa koherencë sintaksore dhe semantike, ndërsa përmbajtja humbet në një rrjedhë të çrregullt formulimi, ku mungon qartësia e mesazhit dhe e informacionit.
Kjo mënyrë shprehjeje nuk është më thjesht shpërfillje e rregullave, por manifestim i një mosnjohjeje serioze gjuhësore dhe e mungesës së ndërgjegjes për funksionin e gjuhës në komunikimin e shkruar apo pakujdesi e atij/asaj që e shkruan shumë keq shqipen tonë të bukur. Më poshtë po paraqesim disa shembuj, të shkëputur nga rrjetet sociale, për të dëshmuar nivelin shqetësues të jogramatikalitetit dhe të varfërisë së performancës gjuhësore të një numri jo të vogël që shqipen e kanë gjuhë amtare:
– *“Sa hash m…. palidhje pse nuk ehash ni byrek me mish ani tbon mir po kqyrish me hangër qka nuk duet apo kiqef veq me Le palidhje”;
– *“Oj kuder oj hajneshe oj e paftyre epa moral tije veq nji rrence e poshter na kemi ndigju qe edheburrin tend pk e rrehshe qese qfar kuqke je”;
– *“Kush nuk te do plaste ne vent ti vazhdo rrugn tende njerzit e lig jan gjithmon ne peezencn ne jet sikush do ne rrugn e vet po ske cte besh kur ngaterrohen ne rrugn tende”;
– *“Bo bo gje me te shpifur nuk kam pare qjane keto shpifsira keto qaf lesha apo kok lesha te pa lare zhulsat e mutit kushedi sa e Kane pleshtin ne ne koke degjeneroj familjen ola per nje koke lesh”…
(Përshkrim i fjalëpërfjalshëm. Shembuj të tillë ka shumë, andaj mjaftohet me kaq.)
Sikundërse shihet te shembujt e mësipërm, në aspektin sintaksor vërehen shthurje të dukshme, si p.sh.: mungesë e koherencës, renditje e çorientuar e përbërësve të fjalisë, përdorim i pasaktë i lidhëzave dhe i sintagmave etj. Teksti, për pasojë, largohet nga struktura natyrore e gjuhës dhe kështu shndërrohet në një përzierje fjalësh të papërpunuara dhe të pashqiptueshme. Në vend që të shërbejë si bartëse e kuptimit, gjuha e shkruar në rrjetet sociale shndërrohet në paqartësi komunikimi. Dhe, si rrjedhojë, fiton përshtypjen sikur ke të bësh me një gjuhë të panjohur, b.f. “indisht” apo “kinezisht”!
Ajo që ndodh nuk është as zhvillim dialektor, as normë e gjuhës standarde, por një çrregullim gjuhësor i pashoq. Ky keqpërdorimi i gjuhës, i krijuar nga mosdija, pakujdesia, nga mungesa dhe mospërfillja e normës, nuk përfaqëson asnjë traditë gjuhësore shqiptare. Përkundrazi ai e minon normën e gjuhësore dhe zvogëlon rolin e saj si mjet themelor i komunikimit dhe si shenjë themelore e identitetit kombëtar.
Ky fenomen reflekton një krizë të thellë pakujdesie kulturore, arsimore… Rrjetet sociale nuk janë më thjesht platforma të lirisë së shprehjes, por janë sot edhe tregues të gjendjes reale të performancës gjuhësore në shoqërinë shqiptare. Prania e një numri të madh përdoruesish që nuk janë në gjendje të strukturojnë një fjali të qartë, të përpiktë dhe gjuhësisht të saktë është një alarm i fortë për sistemin arsimor dhe për të gjitha institucionet tona.
Kundër këtij shpërfytyrimi gjuhësor nuk mjaftojnë më thirrjet formale për respektimin e normës. Kërkohet një ndërhyrje e gjerë dhe sistematike që fillon me rishikimin e mënyrës së mësimdhënies së gjuhës shqipe në shkolla, me forcimin e rolit të medias dhe të autoriteteve institucionale. Duhet të krijohet një kulturë e re e përgjegjësisë gjuhësore, në të cilën shkrimi i saktë të mos jetë më mosdije a pakujdesi, por normë.
Një dimension po aq shqetësues i gjuhës së përdorur në rrjetet sociale është edhe prania e fyerjeve, e ofendimeve dhe e gjuhës së urrejtjes, e cila manifestohet në forma të ndryshme: nga sulmet personale deri te paragjykimet racore, gjinore, fetare apo politike. Këto forma shprehjeje jo vetëm që cenojnë etikën e komunikimit publik, por ndikojnë edhe në ndotjen e mjedisit gjuhësor dhe emocional/psikologjik të shoqërisë. Me këtë dukuri merret ekolinguistika, një disiplinë e re në gjuhësi, e cila studion ndërveprimin midis gjuhës dhe mjedisit në kuptimin më të gjerë të fjalës, përfshirë mjedisin shoqëror, etik etj. Sipas kësaj qasjeje, gjuha e urrejtjes është formë e ndotjes simbolike që destabilizon jo vetëm marrëdhëniet ndërnjerëzore, por edhe harmoninë e komunikimit. Kjo qasje na fton të ndërgjegjësohemi për ndikimin e fjalës në mirëqenien kolektive dhe të promovojmë përdorimin e gjuhës si mjet kulture e identiteti e jo shkatërrimi.
Nëse kjo tendencë e shpërfilljes së shqipes së shkruar (por edhe e ligjërimit të folur) nuk ndalet, pasojat do të jenë të thella. Do të zvetënojmë një nga shtyllat më të rëndësishme të ndërgjegjes sonë kombëtare dhe kulturore – gjuhën si mjet komunikimi, përkatësie dhe zhvillimi. Në një shoqëri ku gjuha e shkruar nuk respektohet, edhe mendimi humbet saktësinë, edhe komunikimi mjegullohet, edhe kultura zbehet.
Për këtë dukuri, ndër të tjera, Gjergj Fishta te poezia “Gjuha shqype” thotë:
“…Pra, mallkue njaj bir Shqyptari,
Qi ket gjuhë të Perendis’,
Trashigim, qi na la i Pari,
Trashigim s’ia len aj fmis;
Edhe atij iu thaftë, po, goja,
Qi përbuzë ket gjuhë hynore…” (Gjuha shqype)
Këto vargje të Fishtës janë një thirrje e fuqishme për ruajtjen, respektimin dhe zhvillimin brez pas brezi të gjuhës amtare. Ai e sheh gjuhën si trashëgimi hyjnore dhe mallkon çdo shqiptar që nuk e ruan apo që e përbuz atë, duke theksuar se gjuha shqipe është themeli i identitetit kombëtar, e cila ruan dhe përcjell brez pas brezi historinë, kulturën dhe traditat e zakonet tona, me një fjalë, qenësinë tonë kombëtare. Pra, Fishta dhe rilindësit e tjerë na lanë amanet, duke na porositur se ruajtja e gjuhës është detyrë e shenjtë për secilin shqiptar, sepse përmes saj kombi shqiptar mbetet i njohur, i nderuar mes popujve të botës së civilizuar.
Si përfundim, le të mësojmë nga popujt e tjerë se si e trajton gjuhën e vet, me sa fanatizëm kujdesen, e ruajnë dhe e zhvillojnë atë.
“Gjuha shqipe është zëri i përbashkët i historisë sonë.”