12.8 C
Prizren
E enjte, 2 Maj, 2024

Kino Lumbardhi nuk mbrohet duke rrënuar pjesë të objektit

Kino LumbardhiOrganizatat e shoqërisë civile në Prizren, ndonëse janë dakord me përpjekjen e komunës për të shpallur Kino Lumbardhin si hapësirë të interesit të përgjithshëm publik, për të ndaluar procesin e privatizimit, ato nuk pajtohen me çfarëdo tentimi për të rrënuar ndonjë pjesë të caktuar të objektit të Kino Lumbardhit.

“Propozimi i Kryetarit të Komunës së Prizrenit që Kuvendi i Komunës të shpallë Kino Lumbardhin si hapësirë të interesit të përgjithshëm publik (shoqëror), ndër veprimet e propozuara pas dhënies së këtij statusi përmend edhe “zgjërimin e rrugës”. Ndërmarrja e këtij veprimi është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me qëllimin e shpalljes së kësaj hapësire si zonë e interesit të përgjithshëm publik, pasi që zgjërimi i rrugës nënkupton rrënim (dhe eventualisht rindërtim) të pjesës së mbyllur të Kino Lumbardhit. Më poshtë janë arsyet mbi të cilat bazohet argumenti kundërshtues ndaj përpjekjeve për të rrënuar dhe ndryshuar strukturën aktuale të objektit (pjesa e mbyllur) të Kino Lumbardhit”, thuhet në një komunikatë të lëshuar nga zyrtarja për marrëdhënie me publikun pranë “DokuFest”, Nita Deda.

“Vlerat e trashëgimisë kulturore- Sipas Ligjit të Trashëgimisë Kulturore dhe Rregullores përkatëse, për t’u përfshirë në Listën e Trashëgimisë Kulturore mjafton të plotësohet njëra prej këtyre kritereve (vlerave): historike, arkeologjike, artistike, shkencore, shoqërore, shpirtërore, teknologjike dhe rariteti. Kinemaja Lumbardhi plotëson së paku katër nga këto kritere: historike, shoqërore, teknologjike dhe rariteti. Kinoja është njëra ndër objektet më të vjetra publike që ka mbijetuar në Prizren (historike). Ajo është dëshmi e traditës filmike të qytetit dhe ka ndikuar në formësimin e identitetit kulturor dhe shoqëror të komunitetit (shoqërore). Kinoja ka sjellë në Prizren teknikën e avansuar të asaj kohe të projektimit përmes shiritit filmik në ekranin e madh (teknologjike). Stili i ndërtesës (përmasat dhe posedimi i pjesës së hapur krahas asaj të mbyllur) paraqet një ekzemplar të rrallë në Kosovë dhe rajon, jo vetëm në kohën e ndërtimit, po edhe sot (rariteti). Shoqëria civile e Prizrenit është duke e përgatitur dokumentacionin për t’i propozuar Ministrisë së Kulturës përfshirjen e Kino Bistricës në Listën e Trashëgimisë Kulturore”.

“Mbrojtja që i garantohet me Planin e Konservimit- Plani i Konservimit dhe Zhvillimit të Zonës Historike të Prizrenit, i miratuar nga Kuvendi i Komunës në vitin 2008 e vendos Kino Lumbardhin në hierarkinë më të lartë të objekteve që duhen mbrojtur, duke e barazuar për nga rëndësia monumentale me Kompleksin e Lidhjes së Prizrenit. Ky dokument parasheh ruajtjen e strukturës ekzistuese të objektit të Kinos, bashkë me funksionin (destinimin) që ka si hapësirë kulturore/filmike (kinema). Plani i Konservimit është akt ligjor i komunës së Prizrenit dhe shkelja e tij nënkupton vepër penale. Sipas Kodit Penal të Kosovës, kushdo që dëmton ose shkatërron monumentin ose objektin e mbrojtur kulturor, historik, fetar, shkencor apo natyror, dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy (2) vjet”.

“Vendlindja e festivaleve- Kino Lumbardhi është hapësira më e rëndësishme e skenës kulturore të Prizrenit. Në hapësirën e Kino Lumbardhit kanë lindur dhe janë zhvilluar një numër i madh i festivaleve të qytetit. Një pjesë e rëndësishme e suksesit, por edhe e vetë identitetit të këtyre festivaleve lidhet pikërisht me hapësirën e Kino Lumbardhi. Prandaj, çfarëdo tjetërsimi i kësaj hapësire, nënkupton edhe sulm mbi këto ngjarje të skenës kulturore të Prizrenit”.

“Shënjues (pikë referimi) kulturor- Përveç vlerave të trashëgimisë kulturore, Kino Lumbardhi është shndërruar edhe në një shënjues kulturor (cultural landmark), pasi që është njëra nga pikat e referimit më të njohura në Qendrën Historike të Prizrenit. Si shënjues kulturor, Kino Lumbardhi është shndërruar në ikonë (një simbol me kuptime të shumta) që përfaqëson (shënjon) një epokë, një zonë, një besim, një kulturë, një qytet dhe një traditë. Shënjuesit kulturor dhe historik të qyteteve sot trajtohen në nivel të njëjtë me monumentet e trashëgimisë kulturore, ndërsa në shumë raste ato edhe janë shpallur monumente në mbrojtje për shkak se me kohë janë shndërruar në shënjues kulturor (cultural landmark)”.

“Peticioni i qytetarëve- Mijëra qytetarë të Prizrenit në vitin 2007 kanë nënshkruar peticionin për mbrojtjen e Kino Lumbardhit. Kërkesat e tyre kanë të bëjnë me mosndryshimin e destinimit dhe ruajtjen e objektit të kinemasë në formën aktuale. Prandaj, çdo përpjekje për ndryshimin e strukturës aktuale të objektit ose/dhe ndryshimin e destinimit si hapësirë kulturore/filmike (kinema), përveç tjerash paraqet edhe shkelje të vullnetit të dokumentuar të qytetarëve të Prizrenit. Ky vullnet ekziston edhe sot dhe ai mund të rikonfirmohet përmes një peticioni të ri”.

“Cilat janë alternativat?
1. Dhënia e statusit të interesit të përgjithshëm publik, duke e eliminuar propozimin për zgjërimin e rrugës nga vendimi,
2. Ndalja e procesit të privatizimit, duke e siguruar vendimin zyrtar nga AKP për largimin e Kino Lumbardhit nga ky proces,
3. Shpallja e Kino Lumbardhit si pronë e trashëgimisë kulturore në mbrojtje të ligjit nga Ministria e Kulturës,
4. Themelimi i një grupi punues në bashkëpunim me komunitetin e kulturës për të hartuar planin e menaxhimit,
5. Ngritja e fondeve nga buxheti shtetëror, donatorët ndërkombëtar dhe palët e tjera për restaurim dhe rifunksionalizim,
6. Menaxhimi i Kino Lumbardhit nga një trup i përbashkët që do të mandatohet për zbatimin e planit të menaxhimit që do ta funksionalizojë atë si hapësire kulturore me destinimin primat si kinema e qytetit,
7. Në lidhje me aspektin teknik të ngushtimit të rrugës:
a. Të konsiderohet mundësia e ngushtimit të trotuarit në anën e kundërt të rrugës, në mënyrë që paralelisht të fitohet hapësirë për trotuar para objektit të Kino Lumbardhit,
b. Të konsiderohet mundësia e mbylljes së rrugës kryesore për qarkullim motorik, për ta kthyer hapësirën publike në shërbim të qytetarit dhe ofruar mbrojtje adekuate për të gjitha objektet e rëndësishme në atë zonë”, thuhet në komuniktë. /PrizrenPress.com/

Më Shumë

Luizi dhe Kiara na prezantojnë me të bijën, Luna Mari Ejlli

Luiz Ejlli dhe Kiara Tito një ditë më parë u bënë prindër për herë të parë. Ashtu siç e paralajmëruan dje, çifti sot doli...

Tentim vrasje në Dragash: Dyshohet se dhëndri e ka plagosur vjehrrin

Një tentim-vrasje ka ndodhur sot në Dragash. Dyshohet se dhëndri ka shtënë me armë zjarri në drejtim të vjehrrit të tij. Si pasojë ai ka...

Gabimi i Noes

Lajmet e Fundit