Maratonës së bisedimeve ndërmjet Koalicionit LDK-AAK- NISMA dhe Lëvizjes Vetëvendosje, po i vjen fundi. Blloku ka pranuar parimet e qeverisjes të parashtruara nga VV, kurse partia e Kurtit ka lëshar pe në disa kushte duke mos kërkuar që të jenë vendimmarrësit, por prijësit e bisedimeve me Serbinë.
Kërkesat e lëvizjes së Albin Kurtit, apo parimet e qeverisjes, ashtu si i quan Kujtim Shala nga Lidhja Demokratike e Kosovës, e që është njëri prej njerëzve kryesor të koalicionit për vazhdimin e bisedimeve me drejtuesit e Vetëvendosjes, janë të pranueshme për partitë e koalicionit dhe pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese pritet të zyrtarizohet koalicioni i përbërë prej 63 deputetëve shqiptarë.
Shala po ashtu tha se bisedimet do të fillojnë menjëherë pas vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese, që do të merret deri më 18 shtator.
Dardan Molliqaj, sekretari i Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se ky lajm është i mirë dhe VV është e gatshme të lëshojë pe në disa kushte, sidomos në bisedimet me Serbinë ku nuk do të kërkojnë që të jenë vendimmarrësit, por vetëm prijës të bisedimeve.
Edhe Molliqaj pret që fill mbas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, të takohen dhe ta nënshkruajnë marrëveshjen për koalicion të përbashkët qeverisës.
Sipas Fisnik Korenicës nga Grupi për Studime Politike dhe Juridike, kërkesa nga ndërkombëtarët për të tre liderët e koalicionit që Vetëvendosja mos me qenë prijëse e bisedimeve dhe ankesa e deputetëve të Partisë Demokratike, në Gjykatën Kushtetuese, është zvarritur kaq gjatë deri te nënshkrimi i koalicionit opozitar me Lëvizjen Vetëvendosje.
Takimi i fundit i bisedimeve ndërmjet partive të koalicionit dhe Vetëvendosjes është mbajtur më 16 korrik, kur ishte arritur konsensus në të gjitha pikat nga grupi punues prej katër anëtarësh të secilës parti.
Mirëpo, më 17 korrik, në ditën e parë konstituive të legjislaturës së pestë, marrëveshja nuk u nënshkrua nga liderët, të cilët në fund refuzuan që Vetëvendosja t’i drejtojë bisedimet. /Rrokum.Tv/